E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Tango" argjentinase në Afrikë

U deshën dy gabime në këtë sfidë që skuadra e Maradonës të arrijë mes tetë më të mirave në Kupën e Botës. Së pari, dyshja italiane e gjyqtarëve Roseti-Airoldi që cilësuan të rregullt golin e Karlos Tevez në minutën e 26-të (1-0). Në fakt, sulmuesi ishte dukshëm në pozicion të parregullt.

Së dyti, mbrojtëi i Meksikës Ozorio, që në të 33-tën i dhuroi topin Higuainit në brendësi të zonës. Këtij të fundit nuk i mbeti tjetër veçse ta shtyjë në rrjetë: 2-0. Sa për golat e tjerë, ishin njëri më i bukur se tjetri.
Shtatë minuta nga fillimi i pjesës së dytë Tevez lëshon një silurë nga rreth 30 metra dhe topi mund të prehet vetëm në rrjetën e portës së Oskar Perezit: 3-0. Kurse në minutën e 71-të Havier Hernandez shkurtoi diferencën me një gjuajtje të fuqishme nga brenda zonës, pas një aksioni të përsosur.

Përfundoi 3-1 në “Soccer City” të Johanesburgut, stadiumi ku do të luhet finalja më 11 korrik. Pengesa e radhës e të besuarve të Maradonës është Gjermania, ashtu si katër vite më parë (gjermanët kualifikoheshin me penallti). Më 3 korrik gjigandët do të përplasen në “Green Point Stadium” të Kejp Taunit, ku njëra prej tyre duhet t’i thotë lamtumirë ëndrrës për më tej.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›