E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tango hyn në pasurinë botërore jomateriale të UNESCO-s

Tango, një vallëzim me origjinë argjentinase dhe uruguajane që aktualisht praktikohet në mbarë botën, u regjistrua sot në pasurinë botërore jomateriale të UNESCO-s gjatë një takimi në Abu Dhabi, gjatë të cilit u përfshinë edhe rreth 60 tradita të tjera. Pasuria jomateriale botërore, e kërcënuar ndonjëherë nga degradimi ose zhdukja, grupon praktika, njohuri dhe dije të ndryshme, të njohura nga grupe apo komunitete si pjesë e pasurisë së tyre kulturore. Ajo manifestohet për shembull në traditat dhe shprehjet gojore, në artizanat, artin e spektakleve, praktikat sociale dhe ritualet apo ngjarjet festive.
Sipas UNESCO-s, ky vallëzim plotëson listën e pasurisë botërore që përfshin qindra qendra natyrore apo kulturore. Tangoja bën pjesë në listën e 60 regjistrimeve të reja vendosura sot në Abu Dabi nga UNESCO. Për Francën në këtë listë bëjnë pjesë tapiceritë e Aubusonit, "Maloya - një këngë dhe valle e ishullit Réunion.
Në Belgjikë u nderua procesioni i Gjakut të Shenjtë që zhvillohet çdo vit në ditën e ngritjes së Krishtit lart në qiell në Bruges (veri).
Jo më pak se 22 tradita kineze u futën gjithashtu në këtë listë, ndër të cilat teknika e ksilogravurës kineze, prerja e letrës kineze apo opera tibetiane. Po ashtu dantellat e Kroacisë apo të Lefkarës në Qipro.
"Ky është një homazh për të gjithë ata që e kanë mbështetur tangon që nga krijimi i saj dhe që kanë transmetuar poezinë dhe kërcimin nga brezi në brez", vlerësoi Hernan Lombardi, përgjegjës për kulturën në qytetin e Buenos Aires.
Tradita argjentinase dhe uruguajane e tangos tashmë e njohur në mbarë botën, ka lindur në fillim të shekullit 20-të në qarqet popullore të qyteteve të Buenos Aires dhe Montevideos, në basenin e Rio de la Plata, lumi që ndan Argjentinën nga Uruguaj, vëren UNESCO në faqen e saj të internetit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›