E Diel, 1 Nëntor 2026

Tani do të luajmë në ligën e parë, por a jemi kaq profesionistë?

Besi Bekteshi
Si dikur më të izoluarit, më të përveçmit, dhe sidomos më të varfrit në kontinent, ne kemi arritur një nga maksimumet e lartë të bashkimit me botën e lirë. Jo vetëm të lirë, por edhe demokratike. Një shtet si Shqipëria, që në fakt pavarësinë e saj e ka fituar e fundit në vitin 1912-të, me përpjekjet e mëdha të rilindjes tonë kombëtare, që ka qenë një fushë beteje midis shumë fuqive të kohës dhe fqinjëve, që u pushtua në 7 prill të 1939-tës nga Italia fashiste e asaj kohe, që nuk pati asnjë ushtri të huaj ndihmë në çlirimin e saj, që vendosi një regjim feudo-komunist dhe mori armë nga BRSS-ja, që u fut në Traktatin e Varshavës dhe doli prej tij zyrtarisht në 1968-tën, që u lidh me Kinën Komuniste dhe mori armë me shumicë prej saj, që ndërtoi Mbrojtjen Bunker nga më të çmendurat në botë, sot është anëtare e NATO-s dhe ulet në një radhë me shtetet e kësaj aleance së pari politike dhe pastaj ushtarake. Patjetër që kemi bërë shumë përpara në këtë drejtim, dhe është një krenari e madhe, sepse tregon dy elementë thelbësorë. I pari është, se shtetet që janë anëtare të organizatës më të madhe të mbrojtjes kolektive, kanë një besim të madh në mentalitetin e popullit tonë, dhe e dyta është se me të vërtetë kemi një komb dhe po ashtu dhe klasë politike që në këtë drejtim është besueshmërisht me NATO-n dhe në konceptet e saj. Patjetër që nuk mund të përjashtojmë nga kjo edhe ndërhyrjen e fuqishme të kësaj organizate të madhe politiko-ushtarake në Kosovë, që pastaj solli dhe shtetin e ri shqiptar. Praktikisht duhet të besojmë se në NATO jemi politikisht, dhe kjo është kryesore dhe pastaj edhe ushtarakisht, që ka akoma shumë punë për të bërë.
Në fakt, deri më tani kemi qenë disi në kategori të dytë dhe pak më përpara në të tretën, por me pranimin zyrtar në NATO, nuk ka asnjë dyshim se ne do të luajmë në Ligën e Parë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Ky është një krahasim disi folkloriko-sportiv, por është më se i vërtetë. Me pranimin në NATO, praktikisht konsiderohemi një shtet që është në elitën e atyre vendeve që kanë besueshmëri politike, ushtarake dhe qeverisëse. Nuk ka asnjë dyshim që këto janë standarde dhe nuk është se ne shkëlqejmë në këto drejtime. Po të shohësh dy të pranuarat e fundit që janë Shqipëria dhe Kroacia, ne jemi më mirë vetëm në dy drejtime se sa shteti ish Jugosllav, por me një nivel të lartë ekonomik, kulturor dhe qytetërues dhe me bazament e traditë integruese në Europë.
Kroacisë ja kalojmë në dashurinë që kemi për NATO-n dhe se nuk kemi kriminelë të luftës së Bosnjes, sikundër ka pasur Kroacia. Pra duhet thënë se e gjithë organizata NATO, ne na ka privilegjuar pikërisht për sigurinë që ka se kombi dhe shteti shqiptar, janë besnikërisht me NATO-n dhe botën demokratike perëndimore. Ka një diçka shumë të rëndësishme mbas pranimit të plotë në NATO !! Nuk mund të bëjmë me lojëra amatore dhe jo thjesht ushtarake. Bie fjala nuk mund të ketë me 97-të dhe Gërdec dhe kjo është një diçka që nuk mund të imagjinohet. Por nuk mund të jemi më amatorë politikisht me drejtimet demokratike, jo thjesht për Aleancën e Atlantikut, por në përfaqësimin tonë qeverisës, pluralizmin e aplikuar dhe standardet e tij, dhe sidomos demokracinë e cila duhet të jetë e pikërisht Ligës së Parë. Pra profesionistë të demokracisë dhe zbatimit të saj. Kuptohet se jemi të fundit për sa i përket profesionizmit nga që jo vetëm kemi pasur një nga diktaturat më absurde dhe trashëgojmë modele të saj edhe sot e kësaj dite, por se edhe gjatë tranzicionit, kemi treguar se nuk luajmë si profesionistë.
Një nga momentet ku akoma luajmë keq, është mbetja e orës politike në vitin 1944.
Po pikërisht në këtë kohë. Vazhdojmë akoma të referohemi politikisht në këtë vit dhe këtë moment dhe me referenca që vendosin palë kundra palëve. Nuk i kemi bërë një analizë të qartë dhe historike që pastaj jep edhe zgjidhjen politike të kësaj date, tepër të rëndësishme që është në historinë tonë. Akoma vuajmë mbi dyzimin e plotë në saj të kësaj date, në të cilën vërtetë fituam lirinë nga pushtuesi nazist, por shpejt u sqarua se kryem një autopushtim komunist, që vazhdon të rëndojë në ndërgjegjen tonë.
Ne edhe sot e kësaj dite, megjithëse konsiderohemi shoqëri pluraliste dhe demokratike, na ndan shumë kjo datë. Sepse përdoret kur vjen momenti për të qenë profesionistë përpara botës. Sepse vendos disa syze të tilla që përthyejnë dritën në mënyre të shëmtuar.
Tjetri problem që ne vazhdojmë të mos jemi profesionistë të demokracisë, është momenti i ndërrimit të pushteteve dhe zgjedhjeve. Nuk kemi zgjedhje të sigurta jo thjesht nga standardet, por nga koncepti banal që nuk besojmë akoma të liria dhe demokracia në momentin e votës së lirë. Mbase sot jemi më afër se kurrë ndonjëherë, por sërish ne kemi pak besueshmëri se zhvillojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme. E në fakt ka shtete të tilla që zgjedhjet i kanë pa probleme, por politikisht, gjeostrategjikisht dhe moralisht nuk janë në NATO. Pra nuk kemi profesionalizëm në këtë drejtim. Mungesë të profesionalizmit kemi në sistemin gjyqësor dhe drejtësinë në përgjithësi. Patjetër që jemi në NATO, por ama besueshmëria në sistemin tonë të drejtësisë si brenda dhe jashtë është pak, shumë pak. Nuk jemi profesionalë dhe të hapur për të formuar dhe gjeneruar elita të reja politike. Kjo vërtetohet shumë, në njerëzit përfaqësuar prej 18-të vitesh në politikë.
Por që nuk kanë siguruar një leje për futje në klasën politike të njerëzve që nuk kanë as dyzimin e 44-tës dhe as fajet e 91-97-2008-tës. Çfarë profesionalizmi mund të jetë, kur klasa politike nuk ripërtërin veten dhe nuk krijon elita, por klane që vazhdojnë të kenë mentalitet rural edhe pse konsiderohen integruese. Takimi i madh Strasburg-Kiehl është sinjikativ. Sepse bëhet midis dy vendeve Gjermani dhe Francë, të cilat kanë lënë miliona të vrarë në dy luftëra botërore dhe më përpara. Por sot bota demokratike sillet vërtetë si e tillë në saj të profesionalizmit dhe detyrimit për të qenë pikërisht demokratike. Mbas NATO-s fillon era e një politike dhe sjellje rigoroze në demokraci.
Festimet tona ndërkohë që në Kroaci gjysma janë skeptikë për anëtarësimin në NATO, nuk duhet të interpretohen si një metodë servile e të parit të përfitimit që sjellë NATO, por si një trend i ri në konceptin demokratik të ecjes përpara. Në 4 prill, pikërisht në ditën e 60-të vjetorit të NATO-s Shqipëria  ka bërë një hap të madh përpara, sepse është ngjitur pa zgjidhshmërisht me botën e qytetëruar. Në atë botë e cila na ka munguar prej kohe, dhe prej të cilës si për faj tonin dhe të atyre që na kanë sunduar dhe pushtuar si ushtarakisht dhe politikisht, jemi ndarë në mënyrë tragjike. Tani fillon me të vërtetë edhe puna për të qenë sa më profesionistë të botëkuptimit dhe sjelljes në botën e lirë dhe demokratike, që Aleanca e Atlantikut mbron dhe përfshin. Ky është fillimi dhe hyrja si të barabartë me shtetet dhe shoqëritë më të përparuar dhe të sigurta të botës. Klasën politike dhe shoqërinë tonë tashmë e presin momente të një reflektimi të madh, sepse nuk mund të jenë më gënjeshtarë, servilë për përfitime, keqqeverisës dhe jo kushtetues, populistë pa humanizëm brenda dhe thyerës të standardeve demokratike. Patjetër që në politikën e jashtme do të jemi akoma më të rëndësishëm dhe kjo duhet të shoqërohet jo vetëm me besnikërinë tonë, por edhe me profesionalizmin e kohës në këtë drejtim. A do të jemi profesionalistë të vërtetë? Nuk është e pa mundur, por është e vështirë derisa nuk largojmë idenë se pushtetet janë përfitime dhe jo shërbime ndaj shoqërisë. E vështirë, derisa abuzojmë me politikat tona syleshe drejt popullit dhe syqeshur drejt të huajve. E vështirë, derisa tjetër të mendojmë dhe tjetër të deklarojmë. E vështirë derisa, tjetrin përballë e kemi armik të cilin patjetër duhet të mos e trajtojmë si kundërshtar politik, por si një tjetër që kërkon të na marrë pushtetin. Po ashtu derisa, ai që është jo në pushtet të konsiderojë atë në pushtet, një armik që duhet larguar me domosdo dhe me të gjitha mënyrat. Ne të gjitha këto i kemi vërtetuar ndër këto vite dhe janë dashur shumë sakr

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›