Presidenti Sejdiu dekoron dëshmorin kavajas Cara, që ra në luftën e Kosovës
Presidenti i republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu ka dekoruar me medaljen "Luftëtari i lirisë Adem Jashari" dëshmorin Indrit Cara, i cili u vra në luftën për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, para 10 vitesh. Për të dorëzuar këtë medalje, në familjen e dëshmorit në Kavajë kanë qenë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Sadri Ferhati dhe ambasadori i Kosovës në vendin tonë, Gazmend Pula.
Fillimisht janë vendosur kurora me lule në bustin e Indrit Carës, në qendër të qytetit. Më pas në një ceremoni që është zhvilluar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Kavajës, ministri kosovar ia ka dorëzuar medaljen babait të dëshmorit kavajas, Lulëzim Cara me motivacionin "Për kontribut në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës". Ministri i pushtetit vendor të Kosovës, Sadri Ferhati ka vlerësuar kontributin e ushtarit kavajas në luftën që u zhvillua për pavarësinë e Kosovës. Nga ana e tij, babai i dëshmorit Indrit Cara ka falenderuar presidentin e Kosovës për këtë medalje. Pas dorëzimit të medaljes, delegacioni kosovar i shoqëruar nga përfaqësues të pushtetit vendor në Kavajë dhe zv/ministri Ferdinand Poni kanë bërë një vizitë në shtëpinë e familjes Cara, në qytetin e Kavajës.