E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Tani, koha te mendojme per jete me te mire"

Ajete Beqiraj*

PRISHTINE - Nje vit pas pavaresise Kosova perballet me ekonomi te pazhvilluar, shkalle te larte te papunesise, varferi ekstreme dhe korrupsion. Si rrjedhoje, pervjetorin e pavaresise populli i Kosoves e pret me ndjenja te perziera.

Ne fakt, 17 shkurti i 2008-tes, kete dite bota ishte fokusuar tek Kosova, e cila pushonte besimplote se qe nga kjo dite do te radhitej nder shtetet e pavarura. Populli shqiptar e priste me padurim shpalljen e pavaresise, e te gjithe kishin pergjigje te njezeshme: "Mezi kemi prit me e pa diten e sodit, e moti jemi duke e prit...Prej 1912-es e deri ne dite te sodit, vuajtje e kiamet. E sot, s´ka dite ma t´madhe per popullin shqiptar!"

Per dallim, te serbet e Kosoves, akti i shpalljes se pavaresise ngjalli pasiguri e skepticizem. Vesna Spalevic eshte nder serbet e rralle, e cila dhjete dite para shpalljes se pavaresise, u kthye ne Decan me shpresen per nje te ardhme ne shtetin e Kosoves. "Une jam kthyer ne Decan me 28 janar 2008. Qe do te thote, rreth 20 dite para shpalljes se pavaresise se Kosoves", - thote Vesna Spalevic.

Por, sa i ka realizuar shpresat e qytetareve pavaresimi i Kosoves dhe a ka ndryshuar dicka ne standardin e jetes se tyre, nje vit pas berjes se Kosoves shtet?

"Send mbi kete toke! Shit dru vjet-shit sivjet. Erdh shpirti te hunda, pa pune, pa pune...E me hanger po duhet perdite!"-thote Mustafe Hyseni 55 vjec, nga Bardhaniqi i Gjakoves, te cilin edhe sivjet e gjejme me nje karroce me dru buze rruges, per shitjen e te cilit i duhet te pres me jave.

"Si mos me keq! Nuk kam uje as s´kam asgje. Mos pyet fare! Megjithese fqinjet shqiptare jane te mire me mua dhe vine e me vizitojne, pavaresia e Kosoves ne jeten time nuk ka ndryshuar asgje"-pergjigjet 80-te vjecarja, Velika Sharkovic, nga Bellopoja e Pejes.

"Kosoven shtet e kam paramendue krejt ndryshe, me vende te reja pune, pa percarje te politikaneve. E kta, ai per veti-e ky per veti, e ne fund po heq populli. Nxe karriket e mbushi xhepat per vete, e per popullin asgje!"-thote Milaim Hulajn, kamarier.

"Ne standardin e jetes sime s´ka ndryshuar asgje. Perkundrazi, ndoshta eshte edhe ne renie per shkak te gjendjes ekonomike - thote Rasim Tolaj, nga Decani-Strukturat udheheqese do t´duhej te krijonin me shume vende pune, kur kemi parasysh nje rini, e cila cdo vit diplomohet apo specializohet ne profile te ndryshme e ne fund mbesin pa pune!"

"Ne familjen tone nuk ka ndryshuar shume, pervec ngritjes se pagave te nivelit te arsimit. Por, sot kemi institucionet tona legale, kam pasaporte dhe leternjoftim te shtetit tim dhe kjo me ben te lumtur dhe krenar!" - thote Betim Qorraj, arsimtar, i cili Kosoven e pavarur e sheh nga nje kendveshtrim tjeter.

Nje vit pas kthimit, Vesna Spalevic, mendon se ne Kosoven e pavarur ka te ardhme per secilin. "Perderisa te kete pune, kudo mund te kete te ardhme. Une u ktheva para nje viti, ne Decan - thote Vesna. Ne qershor fillova punen ne Zyren Komunale per Komunitete, ndersa ne dhjetor arrita te sjell ne Decan nje projekt prej 40 milione eurosh per ndertimin e nje impianti per riciklimin e mbeturinave, te cilin do ta zbatojme se bashku me komunitetin e ketushem dhe me autoritetet kosovare."

"Edhe, ne duhet te japim ne vazhdimesi per shtetin e Kosoves - mendon arsimtari, Sadik Mazrekaj, nga Dranoci. Asnjehere s´duhet thene: "Bera mjaft e tash do t´ndalem te pushoj!" Edhe qeveria, edhe strukturat e tjera politike nuk do duhej te ndalen me kaq, sepse sot kemi shifra katastrofike te varferise se skajshme. Kemi nje numer te madh te papunesise. Nje moshe relativisht te re. Rreth 30 mije krahe pune dalin ne vit tek kosovaret. Pritet qe politika te beje edhe shume ne uljen e varferise. Se, sado qe nje pjese e popullit te kete, kur nuk kane te gjithe, qeveria nuk duhet me qene te knaqun".

* Deutsche Welle


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›