E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga policit, qëlloi me armë në lojërat e fatit

 

VLORE - Arrestohet efektivi i policisë në Vlorë për akuzën e shkatërrimit të pronës. Një punonjës i policisë së Vlorës u prangos dje nga kolegët e tij, pas denoncimit të bërë nga pronari i një lokali për dëmtimin e pajisjeve që ndodheshin brenda objektit në pronësi të tij. Aleksandër Isufaj, 25 vjeç, mësohet se mbrëmjen e së dielës ndodhej në një lokal lojërash fati, ku ka humbur një sasi të konsiderueshme parash. Sipas burimeve të policisë, pasi nuk ka mundur të pranojë humbjen e rreth 200 mijë lekëve, efektivi blu ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar në drejtim të kompjuterëve duke dëmtuar dy prej tyre. Pas kësaj ai është larguar nga lokali, ndërsa ka qenë pronari që ka bërë kallëzimin penal në ngarkim të punonjësit të policisë, duke e akuzuar atë për shkatërrim të pronës. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila ka saktësuar se gëzhojat kishin dalë nga pistoleta e kolegut të tyre. Për Isufajn është prerë fleta e arrestit, duke u arrestuar në flagrancë. Mësohet se i riu ishte angazhuar prej 2 vitesh në radhët e uniformave blu të qytetit të Vlorës. Ndaj tij janë ngritur akuzat e shkatërrimit të pronës dhe përdorimit të armës jashtë detyrës.            q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›