E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në burg “pa afat” tre lazaratasit

 

GJIROKASTER - Tre persona nga fshati Lazarat të arrestuar katër ditë më parë nga policia, do të qëndrojnë në dhomat e paraburgimit deri në përfundim të hetimeve. “Arrest në burg pa afat” ka qenë masa e dhënë për Oltijon Prokon, 19 vjeç nga Lazarati, të cilit iu gjet një armë automatike me dy krehra me fishekë model 56. Trupi gjykues, pasi ka marrë argumentet e paraqitura nga prokurori i çështjes Spartak Çoçoli, dha dje masën e arrestit për të riun, i cili do t’i duhet të qëndrojë në burg derisa të dalë në gjyq për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Proko është kapur nga forcat e policisë mesin e javës së kaluar gjatë një operacioni të ndërmarrë nga policia për kontrollin e automjeteve pa leje qarkullimi në të hyrë të fshatit Lazarat. Arma automatike është gjetur nën sediljen e pasme, çka justifikoi prangosjen e tij në flagrancë. E njëjta masë sigurie u dha edhe për atë e bir, Xhemal dhe Urim Mahmuti, po nga fshati Lazarat, të cilët kundërshtuan me dhunë forcat e policisë gjatë bllokimit të dy autoboteve me ujë që po hynin në Lazarat. Tensioni ka qenë prezent te banorët lazaratas pas ndalimit të njerëzve të tyre nga aksionet e policisë, por ata nuk kanë manifestuar shenja demonstrative, duke qëndruar në këtë mënyrë pasiv ndaj veprimeve të fundit të policisë.                     p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›