E Diel, 1 Nëntor 2026

Salihi: Kujdes gjyqtarin austriak, është i rrezikshëm

Ndeshjen Shqipëri-Maltë do ta drejtojë një treshe gjyqtarësh austriakë dhe arbitër kryesor do të jetë Robert Shërgenhofer. 

Jetmir Halilaj

Sapo i përmend këtë emër Hamdi Salihit, sulmuesi reagon menjëherë duke thënë se me një gjyqtar si ai duhet bërë kujdes. Bomberi shkodran ka njohuri të mira për këtë arbitër, sepse luan prej dy sezonesh në kampionatin austriak dhe këshillon që të bëhet kujdes me një gjyqtar si ai. “Është një gjyqtar i ri në moshë dhe është duke ngjitur shkallët e karrierës. Federata austriake i ka dhënë shumë besim në dy vitet e fundit. Unë mendoj se është një gjyqtar korrekt, por njëkohësisht dhe shumë i ashpër. Është i njohur për numrin shumtë të kartonëve që jep në çdo ndeshje dhe në një farë mënyre kjo e bën edhe të rrezikshëm, sepse ai nuk di të falë, por nxjerr direkt kartonin. Mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm, sepse kam përshtypjen se është nga ata gjyqtarë që duan të tregohen protagonistë në fushën e lojës, ndaj bëjmë kujdes”, ka thënë bomberi shkodran për “Panorama”. Gjyqtari që do të drejtojë nesër ndeshjen e kuqezinjve në “Qemal Stafa”, është pasardhësi i Fritz Shtuhlik. Ky i fundit drejtoi vitin e kaluar ndeshjen Shqipëri-Bullgari 1-1 dhe ndëshkoi që në pjesën e parë me karton të kuq ish-trajnerin e kuqezinjve Oto Bariç. “Po, është e vërtetë, Shërgenhofer cilësohet si pasardhësi ideal i Shtuhlik për nga mënyra e sjelljes, ndaj unë mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm”, ka thënë Salihi. Shërgenhofer ka drejtuar deri tani 3 ndeshje të kampionatit austriak dhe ka akorduar gjithsej 15 kartonë të verdhë, çka tregon më së miri se është një gjyqtar shumë i prerë dhe aspak tolerant. Asistentët e tij do të jenë Egon Breuter e Raimund Bush, ndërsa Bernhard Bruger do të jetë gjyqtari i katërt.
Goli
Hamdi Salihi i shënoi gol Maltës në miqësoren që Shqipëria fitoi 3-0 në gusht vitit të kaluar dhe shpreson që ta bëjë sërish këtë gjë. “Unë dua të shënoj në çdo ndeshje dhe nuk do të më vinte keq nëse do t’i shënoja Maltës, aq më tepër që bëhet fjalë për një ndeshje ku na nevojiten tre pikët”, ka thënë sulmuesi. Lojtari po kalon një formë të shkëlqyer dhe kundër Suedisë luajti si titullar, ku megjithëse nuk arriti të shënonte bëri një paraqitje të kënaqshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›