Tani, të gjithë e duam Lasgushin
Nëse në vitin 1967 u botua një vëllim i plotë i veprave të Lasgushit, më ’80 ndodhi çdo shkëputje e këtij poeti me lexuesin. Ndërsa në Kosovë në të njëjtën kohë vazhdojnë seritë e botimeve. Mohimi, harresa dhe tani kujtimi - në 110-vjetorin e lindjes, në vitin dedikuar këtij shkrimtari, dje, kritiku nga Kosova, Sabri Hamiti kishte zbritur rastësisht në Tiranë për të thënë se “tani të gjithë e duam Lasgushin”. Kur ceremonia e djeshme, në mjediset e Ministrisë së Kulturës kishte përqendrimin më të madh në një kujtesë poetike, dhe memorie vizuale - ku ra në sy dhe është celebruar për herë të parë ndoshta profili i parë i plotë i Lasgushit përmes një ekspozite me fotografi të kornizuar nga shtëpia botuese “Argeta LMG”, - ajo çfarë realisht duhet të quhet ngjarje për këtë poet është doktoratura e tij, dorëzuar në Universitetit e Gracit më 25 maj 1932, dhe mbrojt më 23 maj 1933. Dje ka qenë mbi tavolinë doktoratura, e hapur, për t’u besuar dhe pranuar publikisht në një botim - në dy gjuhë - gjermanisht dhe shqip. “Eminesku i injoruar dhe ideologjia e tij popullore vendase”, i dha gradën e prof. dr. poetit që nuk u njoh asnjë ditë në kohën e diktaturës, dhe sigurisht as që është paguar për këtë. E bija, Maria, kujton se Lasgushi kishte bërë disa karta ku kishte shënuar titullin që kishte marrë, por që nuk i ka përdorur kurrë - vetëm kur shkonte për vizitë në spital. Në shqip botimi vjen i përkthyer nga origjinali, prej Koço Bendos. E gjithë doktoratura vjen dhe si dorëshkrim siç është shkruar me dorë nga Lasgushi. Ndërsa përkthimi i referohet origjinalit që sot ruhet në arkivat e Universitetit të Gracit. Maria tregon se kopja është siguruar nga Kristaq Jorgo që ka studiuar atje, kur nga vetë poeti nuk ka mbërritur asnjë kopje. Ndonëse besohet nga të bijat se duhet të ketë ekzistuar një kopje, duke menduar se dikush e ka asgjësuar në arkivi. Janë 100 faqe doktoraturë e shkruar në një gjermanishte që nuk dallon nga vendasit, ku Maria kujton thënien e të atit se “unë nuk e di gjermanishten, por e sundoj”. Kjo për herë të parë është vlerësuar dje, si një nga rastet e veçanta, ku një personalitet i letrave shqipe kontribuon për kulturën evropiane.