Libri është i shenjtë
Nga Ndue Ukaj
Shoqëritë demokratike, të emancipuara, civilizuese dhe përparimtare, i kushtojnë vëmendje të posaçme çështjes së librit, fjalës së shkruar dhe fjalës publike. Për këto fusha bëhen analiza të thukëta. Me këto segmente merren institute të tëra, sepse nga këto fusha fillojnë të ndërtohen konturet e mirëfillta të shoqërisë së qëndrueshme...
Së këndejmi, për ne shtrohet çështja: Si është gjendja e këtyre fushave në kontekstin tonë kombëtar, në kohën kur sfidat e konsolidimit janë të mëdha, në kohën kur ndihet ankthshëm një krizë morale dhe krizë intelektuale? Shkrimtari i madh Hose Luis Borhes në esenë “Lumturia e librit”, flet për rëndësinë dhe përgjegjësinë që ka libri për njerëzimin në të gjitha nivelet.
Andaj, për të sforcuar diskursin për temën në fjalë, për peshën dhe njëherit përgjegjësinë e madhe të librit, ky shkrimtar brilant i referohet një mendimi të rëndësishëm të Shën Anselmit: "Të vësh një libër në duart e një injoranti është po aq e rrezikshme sa të vësh një shpatë në duart e një fëmije. Ja pra se çfarë mendohej atëherë për librin", - thotë Borhes. Në këtë mendim përmblidhet esencialiteti i botëkuptimeve borhesiane. Për autorin e përmendur, libri është i shenjtë, është kult para secilit njeriu, sikurse para një objekti kulti, ulet dhe merr modelin për ta bërë pjesë funksionale të botëkuptimit, ngase libri ka fuqinë e shpirtit, funksionon nga shpirti. Andaj, ata që shkruajnë libra, kanë përgjegjësi të mëdha, ngase prekin ndjenjat dhe shpirtin e njeriut dhe njerëzimit. Aty ku funksionon shpirti, ka delikatesë. Në gjendjen tonë kombëtare, kur çdo ditë shohim degradime morale dhe sistem vlerash të përçudnuara, për këto fusha nuk ekziston përgjegjësia e duhur. Madje, as debati.
Në mënyrë që shumë procese kombëtare ta marrin fizionominë e duhur, duhet të hapet një debat i domosdoshëm në kulturën e shkrimit shqip, për fushat e lartshkruara dhe ndikimin që kanë këto në segmentet e tjera, që nga politika, ekonomia, arti, religjioni etj. Libri, fjala publike ka ndikim predominant në çdo shoqëri. Andaj t'i lejohet çdokujt të merret më këtë fushë, është aq e rrezikshme, sa të lihet shpata në duar të fëmijëve. Pesha e librit dhe e fjalës publike në formësimin e një shoqërie është e një rëndësie të posaçme, sui generis, sidomos kur shoqëria është në ndërtim e sipër, në konsolidim e sipër, siç ngjet me kombin tonë.
Në kaosin dhe mjerimin që na ka mbërthyer (a nuk mjafton fakti se shqiptarët gjenden në listën e fundit te sondazhi perëndimor në Evropë), përgjegjësia e intelektualëve është e zbehtë, në mos s'ekziston fare. Në Kosovë, intelektualët janë shtresa më e nëpërkëmbur. Andaj, edhe përgjegjësia e tyre kundrejt zhvillimeve i ngjason zërit të çjerrë që bërtet në shkretinë. Jo se kemi intelektualë oportunistë, por kemi liri të kufizuar; kemi abuzime me median dhe librat, me fjalën e thënë dhe fjalën e shkruar: në Kosovë shkruan çdokush, ndërsa më së paku mund të dëgjohen zëra intelektualësh nëpër media.
Ndërsa në Shqipëri, gjendja paraqitet diç më mirë, falë edhe disa mediave që kanë arritur një stad të mirë të emancipimit dhe kultivimit të debatit intelektual. Në mungesë të këtij debati, kemi një vetëkënaqësinë që ka mbërthyer, si qeverisjen e Tiranës, ashtu edhe të Prishtinës. Shoqëria shqiptare e gjendur në tranzicion të gjithanshëm, para këtyre përgjegjësive ndihet disi e përjashtuar. Intelektualët e mirëfilltë ndihen të harruar, të vetmuar, të papërfillur. Andaj, qendrat kulturore, politike të shqiptarëve janë bërë arena, ku vërshojnë me dhjetëra fjalëshkrues, që shfrejnë pamëshirshëm emocionet, paragjykimet, idetë indoktrinuese dhe çkado tjetër - çdo kush dhe atë për çdo gjë.
Nga ky fakt, brenda jetës politike, kulturore si të Tiranës ashtu edhe të Prishtinës, gjithnjë e më shumë po defilojnë matrapazë, diletantë dhe kamuflues. Mbesin, çuditërisht, gjithmonë jashtë këtij "sistemi" njerëzit që ndjekin parimet e shkruara, qëndrimet e thëna; shkurt, ata që i qëndrojnë besnik një ideali dhe përcaktimi intelektual. Dhe nga kjo rrëmujë arrijnë të "përfitojnë" gjithherë ata që kanë sensin të mashtrojnë, shkatërrojnë dimensionet e shëndosha dhe parimet intelektuale. Një mendësi kjo që po degjeneron kombin. Gjithë ky mjerim që na ka kapluar, të cilin nuk kemi guxim ta themi, e ka pikënisjen nga libri dhe nga fjala e shkruar ose e thënë publike: shumë intelektualë të quajtur, kudo hapësirave shqiptare, përpos ca librave të ideologjisë së kaluar tragjike, s'lexojnë tjetër. Ato i mbajnë model, nga to frymëzohen. Madje shumë sosh (më shumë në Kosovë), si kërpudha pas shiut dalin dhe quhen intelektualë, prijës.
Marrin pozicionin e orakujve. Këta të mjerë ndërtohen mbi thashetheme politike, kulturë odash e rajonesh, nëpër çajtore të shumta të çarshive dhe odave të tymosura, dhe jo bibliotekave. Ndërkohë që bota përparimtare, në të cilën synojmë të integrohemi merret me galaktikat dhe harton projekte tridhjetëvjeçare për qytetarët e saj. Një fjalë latine thotë: "A verbis, ad verbera" - "Nga fjalët, tek kamxhiku". Ndryshe, nga fjalët dhe librat deri te dhuna. Ky mendim më së miri definon problematikën në fjalë. Nëse për çdo gabim kombëtar ka mundësi përmirësimi, për këso veprimtarish, pasojat gjithherë janë të mëdha dhe si të këtilla, afatgjata. Madje vështirë të riparueshme. Andaj kjo veprimtari assesi nuk guxon të abuzohet, sepse është pikënisja prej ku fillon formësimi i njeriut, i të gjitha kategorive: nga këtu fillon formësimi i prijësve politikë, ekonomikë, ushtarakë, kulturorë etj. Nëse do të kemi libra të mbështetur në parimet e dijes universale, fjalë të shkruara dhe fjalë publike të shëndosha, tolerante, të bazuara në sistem vlerash intelektuale, do të kemi edhe qeverisje të përgjegjshme, ekonomi të qëndrueshme, mirëqenie të përgjithshme.
Andaj librat dhe fjala publike, siç sugjeron Borhesi, duhet të jenë në frymën e shenjtë, një simbolikë kuptimplote. Librat duhet të kenë frymën e tolerancës, mirëkuptimit dhe përparimit; assesi të indoktrinimit, kamuflimit të së vërtetës, paragjykimit, improvizimeve. Vetëm atëherë kur të vetëdijesohemi për këto fusha, do të kemi predispozitat e një kombi të shëndoshë, të emancipuar për të kundruar të tashmen dhe të ardhmen në relacione të qarta dhe reale, pa abuzime dhe kamuflime. Libri prodhon opinione. Libri bëhet udhërrëfyes për shoqëri, kombe, civilizime dhe botën në përgjithësi. Çdo popull përfaqësohet përmes librit (librave). Të nisemi nga një fakt i njohur dhe i pranuar si i këtillë: çdo popull përfaqësohet nëpërmjet intelektualëve, vlerësohet për aq sa ka bërë veprimtari intelektuale, pranohet për aq sa i ka dhënë njerëzimit figura të mëdha, të cilat sublimojnë në shkallë universale dëshirat e njeriut për përparim, për fisnikërim. Është kjo dëshirë e kahershme, e cila nuk fashitet në asnjë kohë dhe nga asnjë popull. Është kjo dëshira dhe sakrifica që ka prototipin te Prometeu antik, kjo figurë mitologjike greke, që për të mirën e njerëzimit sakrifikon veten.
Është kjo dëshira për përparim dhe për vlera sublime, që është kalitur me mijëra shekuj në skuta të errëta të shpirtit të njeriut dhe çdo herë çon kokën në kërkim të sublimes. E gjithë bota jonë kulturore dhe civilizuese është produkt i librave të mëdhenj, që kanë në thelb një shpirt fisnik, një shpirt hyjnor.
Nuk do të mund të paramendohej qytetërimi ynë pa literaturën e madhe antike, pa përkthimet e Biblës, që i dhanë një shtytje marramendëse kulturës dhe artit perëndimor. Janë grekët ata që përfaqësohen përmes Platonit, Aristotelit, Homerit, Sofokliut, Eskilit, Euripidit e shumë të tjerë. Më tej, janë italianët ata që janë ngritur në piedestalin e popujve të çmuar përmes Virgjilit, Dantes, Petrarkës etj. Janë gjermanet ata që krenohen me të madhin Gëte, spanjollët me Servantesin, Anglezet me Shekspirin, Rusët me Dostojevskin, Francezët me Hygoin, Balzakun. Ka në këtë aks një regjistër emrash që i dhanë përmbajtje botës sonë. Pra, janë këto personazhe historike dhe aktuale, që ende jetojnë me shpirtin e gjallë, sepse idetë dhe shpirti i tyre synonin përparimin. Gjithnjë përmes ideve fisnike dhe vlerave sublime.
Ndërsa ne shqiptarët, ende luhatemi në tehun e thepisur të dilemave absurde, të vlerësimit të heronjve: ne dimë të shpikim heronj të të gjitha kategorive, të krijojmë mite të rrejshme, por shumë pak heronj të shkrimit, pra intelektualë. Prandaj, sot çuditërisht kemi ndërtuar sa e sa heronj të fushave të tjera, që për vlerat perëndimore, pa përçmim, përfaqësojnë minimumin e mundshëm, me të cilët ata vetëm tallen. Kultura shpirtërore shqiptare, sidomos ajo intelektuale, po cungohet nga disa intelektualecë, që për motive të ulëta kanë ndërmarrë një fushatë kundër Gjergj Kastriotit, kundrejt formulës së parë të shkruar shqipe, kundrejt autorit të parë dhe librit të parë shqip, “Mesharit” të Buzukut, kundër të madhit Pjetër Bogdani, kundrejt Gjergj Fishtës, kundrejt Faik Konicës, Ernest Koliqit, Ismail Kadaresë, Martin Camajt dhe Anton Pashkut.
Dhe ku shkon më tragjikja, kundër Nënës më të madhe të dymijë viteve të qytetërimit tonë: Nënës Terezë. Në këtë amulli që e përshkon gjendjen tonë nacionale, duhet të diskutojmë për rolin e intelektualit në shoqëri, me bindjen se pa këtë rol mjerimi vetëm do të thellohet. Ndërsa këtij kaosi vështirë do t'i gjendet fundi. Funksioni i intelektualit brenda një shoqërie, kombi apo shteti është fondamental, është shpirti që i jep gjallëri dhe dinamikë çdo qelize shoqërore dhe konstrukton fizionominë reale të saj. Janë pikërisht intelektualët e mëdhenj që u japin vulën zhvillimeve shoqërore, emancipimit dhe ngritjes së mendjes për të kundruar të ardhmen në mënyrë më të mirë. Janë shtresat intelektuale ato që i japin konturet e shëndosha një shoqërie.
Njëherit orientojnë popullin drejt vlerave përparimtare. Mbase, mund të themi pa hamendje, janë intelektualët e shumtë perëndimorë, që kanë përparuar demokracitë perëndimore në stadin e shkëlqyeshëm në të cilin gjendet sot Perëndimi. Intelektualët e përgjigjeshim, në këtë tranzicion kur po ribëhen shumë gjëra që në të kaluarën janë bërë mbrapsht, duhet të japin përgjigje për shumë aspekte: të definohet qartë roli dhe përgjegjësia intelektuale kundrejt të sotshmes, të analizohet cila është përgjegjësia e intelektualëve për të analizuar të djeshmen e kombit, pa emocione, ngarkesa dhe euforizma, cila është përgjegjësia për të ardhmen e kombit dhe më tutje, cila është përgjegjësia për këtë mjerim që na mbizotëron si një përbindësh, cila është përgjegjësia e intelektualëve për të përmirësuar gabimet që kemi trashëguar?
Janë këto pyetje që kërkojnë përgjigje, përmes një debati të shtruar drejt. Nga respektimi i të sotmes varet e ardhmja. Ndaj, elitat e mirëfillta intelektuale duhet të ngrihen në nivel të përgjegjësive që kanë, jo vetëm për të demaskuar segmentet e këqija, por për të ofruar rrugët dhe modelet e kundërta.
Përndryshe, edhe shumë kohë do të vajtojmë mjerimin tonë dhe të shtrojmë pyetjet-dilema: Cili është atdheu ynë? Ai që jetojmë çdo ditë në kaos apo ai që na proklamohet në formë të një parajse, nga retorika demagogjike politike?