E Diel, 1 Nëntor 2026

Tanush Mulleti: Qazimi vdiq nga marazi, në '56-ën, në Romë

(Vijon nga numri i kaluar)
Zoti Mulleti. Thamë nga numrat e kaluar, që xhaxhai juaj, Qazim Mulleti, është larguar përfundimisht nga Shqipëria në 9 shtator të vitit 1944, pra pikërisht plot tre muaj para se në Tiranë të hynte qeveria komuniste e drejtuar nga Enver Hoxha. Si vijoi udhëtimi i tij për në emigrimin nga ku përfundoi sërish, pasi siç e dimë, në një emigrim të tillë kishte qenë edhe në kohën e Zogut?
Ehhh. Këtu është e veçanta, se jeta e tij ka qenë vazhdimisht një jetë prej militanti. Në kohën e Zogut ai ishte në Vjenë dhe në Paris, ku sigurisht bënte jetën e emigrantit. Atëherë ai ishte dënuar me vdekje nga Ahmet Zogu si pjesëmarrës në atentatin ndaj tij. Por me vdekje u dënua dhe vëllai i tij, që fitoi pafajësinë më mbrapa. Pas vitit 1939, kur Shqipërinë do ta braktiste vetë Zogu, Qazim Mulleti do të mund të zbriste, pas plot 15 vjetësh, në Durrës. Por…, nuk do të kalonin as katër vjet, - në të cilat Qazimi do të kryente detyrat e Kryetarit të Bashkisë dhe Prefektit të Tiranës, - për t'u larguar pikërisht në 9 shtator të vitit 1944, kur do të donte jo pak, por plot tre muaj që të hynte në Tiranë qeveria komuniste. E veçanta është se ai i ndiqte situatat dhe e pa shpejt se komunistët po vinin në pushtet. Madje, ai dinte edhe programet dhe vijimësinë e pushtetit komunist, aq sa i tregoi edhe vetë Bahri Omarit, se të keqen do ta kishte nga vetë kunati i tij, Enver Hoxha, të cilin e priste dhe e përcillte në shtëpi.
Ju, si e mësuat itinerarin e tij, kur nuk patët asnjë mundësi kontakti deri në vitin 1956, kohë kur ai do të ndërronte jetë, i vetmuar, në Itali?
Kur do të ikte, fillimisht për të shkuar me të e kishte mendjen edhe im atë, Hakiu. Por Qazimi i kërkoi që të mos largohej nga Tirana, për të mos u zhdukur Mulletët nga pronat. Ndërsa ai ishte i detyruar të ikte, se e dinte hakmarrjen komuniste mbi njerëzit që do të përmbyseshin nga pushteti. Tani, në lidhje me pyetjen tuaj ka një të veçantë të rrallë. Kjo lidhet me atë që, gjithë historinë e ikjes në '44-ën të xhaxhait, ne do ta mësonim vetëm në vitet e demokracisë, pra pas viteve '90-të, pasi më parë, kur në skenat shqiptare do të luhej komedia bajate "Prefekti" e skenuar nga Besim Levonja, të cilit Qazimi i kishte shpëtuar jetën, nuk do të kishim asnjë mundësi informacioni.
Si e mësuat dhe kush janë peripecitë e tij?
Peripecitë e të ikurit në kohë lufte, mendoj se edhe pa i thënë mund të merren me mend. Por e veçanta është se ai, si lajmëroi krerët e Legalitetit dhe ata të Ballit, se luftën e kishin të humbur dhe se në fuqi do të vinin komunistët, që kishin arritur një organizim të përsosur me struktura të habitshme, u nis për të kaluar kufirin. Me vete mori edhe të birin e ish-ministrit të Zogut, Sali Viçiterrnit, që quhej Nazim Viçiterrni.
Kush ishte Sali Viçiterrni?
Saliu ishte ministër në kohën e Zogut, ndërsa në kohën e fashizmit ai u internua për katër vjet në Itali. Kjo ndodhi, se dihet tashmë që zogistët u goditën nga Italia fashiste. Ata u morën në mbrojtje dhe erdhën në detyra në kohën e gjermanit, duke luftuar njëkohësisht të gjithë ish- fashistët. Sali Viçiterrni, si e pësoi në kohë të fashizmit e pësoi edhe në kohë të komunizmit, pasi do të arrestohej si ish-ministër i Zogut dhe do të përfundonte në burgun e Burrelit, ku në vitin 1949 do të mbyllte përgjithnjë sytë. Kur do të ikte Qazimi, ai iu lut për të birin, Nazimin, ta merrte me vete, se e dinte se këtu në Shqipëri do të kishte fund të keq si të vinin komunistët.
Nazimi, ka ardhur në Shqipëri vetëm pas vitit '97, që i bie pas plot 50 vjetësh si u largua atëherë me Qazimin.
Ku jetonte ky Nazimi, tashmë që erdhi pas '97-ës?
Ky jetonte në Brazil. Aty ishte stabilizuar. U kthye për herë të parë dhe përgjithmonë pas plot 50 vjetësh. Pas kësaj nuk u largua më. Vdiq këtu në vendin e tij. Ai na ka treguar me hollësi të gjitha peripecitë që ka kaluar me Qazimin, që në momentin që është larguar.
Familjen, e la këtu Qazimi?
Po, e la, se nuk ia mori mendja se komunizmi do të merrej edhe me gratë e fëmijët, që nuk kishin asnjë faj. Ai nuk mund ta merrte dot familjen në situatën që po ikte, pasi ai do të kalonte në shtete të Europës, e cila ishte tërësisht në luftë. S'kishte asnjë garanci të ishte me djalin. Këtë tregonte edhe Nazimi kur u kthye pas 50 vjetësh, që kishin kaluar probleme dhe vuajtje të mëdha, derisa kishin mundur të sistemoheshin disi dhe të shpëtonin nga valët e arrestimeve në shtetet që kalonin.
Para se të ikte, nuk harroi t'i linte porosi të veçantë vëllait të tij dhe babait tim Hakiut, për veturën e punës. Megjithëse ishte luftë dhe Shqipëria ishte në rrëmujë të madhe se ishte në ndërrim sistemesh politike, ai donte të ishte korrekt absolutisht me shtetin në çdo gjë. Kështu, pasi u largua Qazimi, im atë e çoi makinën në prefekturë.
A kishte shofer makina, përse duhej ta çonte yt atë?
Sepse ishte makinë organike e prefektit. Tashmë që prefekti mungonte, do të vendosnin autoritetet se çfarë do të bëhej me të, por tashmë që Qazimi nuk ishte ajo duhej të ishte në garazhin e prefekturës. Pastaj është njoftuar shoferi për t'u paraqitur në detyrë, për të vijuar me detyrat që do t'i ngarkonin.
Jam kurioz të di se kush e përdori makinën e Qazim Mulletit?
Këtu ka një koincidencë shumë të bukur, se pothuajse ajo makinë u përdor shumë pak nga zyrtarët e prefekturës, se siç e dini nuk kaluan shumë, veçse tre katër muaj, dhe filloi funksionimin qeveria e re komuniste e porsaardhur në pushtet. Konfidenca është se pikërisht ajo makinë dhe po me atë shofer, kaluan në dispozicion të Koçi Xoxes, që në atë periudhë ishte njeriu më i fuqishëm politik, se ishte pikërisht sekretari organizativ i Partisë Komuniste.
Me të njëjtin shofer?
Po, po, me të njëjtin shofer. Pra, Koçi Xoxe udhëtonte në Tiranë me makinën e Qazim Mulletit, e cila përdorej po nga shoferi që kishte marrë Qazimi. Madje për kuriozitet, shumë herë ai vinte me makinë te shtëpia e Qazimit dhe merrte të birin, Shytin. Se siç ju shpjegova, të shoqen Hajrien dhe të birin Reshitin, ai kur iku i la në shtëpi me mendimin se nuk do të merrej kush me ta, pasi s'kishin të bënin as me politikën dhe me asgjë. As që mund t'i shkonte mendja se do të përfundonin internimeve. Ai mendoi se do ikte dhe do të vinte një moment kur do të kthehej prapë, aq më shumë që iku në një kohë kur Europa ishte në zjarr e flakë nga lufta.
Dhe si vijoi itinerari i largimit?
Siç ju thashë, ne nuk kontaktuam më me të deri sa ndërroi jetë, në vitin 1956. Nazimi, që u kthye nga Brazili në vitin 1997, na tregoi se "së bashku me Qazimin, si ikëm nga Shqipëria me shumë peripeci, përfunduam në Vjenë. Aty takoi dhe të vëllanë, i cili kishte humbur pasaportën. U dorëzuam te amerikanët. Vëllain që kishte humbur pasaportën e morën gjermanët dhe e futën në kampet e robërve të luftës. Qazimi u tha se kishte qenë prefekt dhe se kishte bashkëpunuar me gjermanët. Pas kësaj, ata e hoqën veç duke i thënë: 'Rri këtu dhe shkruaj të gjithë historinë tënde'. Ndërsa neve na zhveshën lakuriq, duke na kontrolluar kudo, duke na sekuestruar edhe lekët që kishim në xhep. Qazimin nuk e prekën. Nuk ia prekën as 700 napolonat që kishte me vete, të cilat i kishte vendosur në një brez".
Çfarë ju tregoi Nazimi, a e shkruajti historinë e jetës së tij?
Ai për tri javë me radhë shkruajti të gjithë historinë e jetës. Pas kësaj, ai material autobiografik shkoi në gjyq. Në atë gjyq Qazimi u deklarua se ka qenë kundër komunistëve, arsye e cila e kishte detyruar të largohej nga vend i tij, duke lënë familjen vetëm. Mori deklaratën e miratuar në gjyq dhe pas kësaj ishte i lirë. Ndërkohë, autoritetet dhe shumë miq e këshilluan të ikte menjëherë nga Vjena, se aty shumë shpejt do të hynin rusët.
U largua?
Shkoi në Tirol të Austrisë, se nuk mund të largohej përfundimisht, pasi kishte vëllain në kampin e robërve, pasi siç ju shpjegova, pas humbjes së pasaportës nuk mund të besohej nga askush, se ishte pa asnjë dokument identifikimi.
Nuk u interesua Qazimi?
U interesua shumë, duke iu thënë dhe duke u betuar se ishte vëllai i tij, por fjalët nuk pinin aspak ujë. Pas kësaj, Qazimi kërkoi kontakt me kryetarin e Bashkisë së Vjenës, ku i shpjegoi të gjithë historinë dhe detyrën e tij që kishte pasur në vendin e vet dhe në këtë mënyrë siguroi preokupimin e tij. Pas ndërhyrjes së kryetarit të bashkisë, vëllai i Qazimit mundi të dilte nga kampi i robërve. Por tashmë kishin kaluar tre muaj, ku ai ishte shndërruar në një skelet të vërtetë. Tashmë që liroi të vëllanë, ishin të gatshëm të largoheshin nga Vjena, pasi hyrja e rusëve i kishte orët të numëruara.
Dhe?
Qazimi me Nazimin morën drejtimin e Italisë, ku përfunduan në Romë, ndërsa vëllai, që ishte drobitur dhe shkatërruar fizikisht, shkoi në Zvicër, se kishte shumë nevojë të rimerrte veten nga ana shëndetësore.
Qazimi, aty u vendos përfundimisht?
Po. U vendos në Romë dhe nuk lëvizi prej aty derisa vdiq, në 28 gusht të vitit 1956.
Jam shumë kurioz zoti Tanush të di nëse në kohën e Enverit juve merrnit kontakte të fshehta me të? Pra kishit mundësi komunikimi?
I kemi mbajtur rregullisht kontaktet.
Kur ka qenë letra e parë që ka ardhur në Shqipëri nga Qazim Mulleti?
Ka ardhur pak kohë pas çlirimit, viti nuk më kujtohet, por duhet të ketë qenë aty te '46-ta apo '47-ta. Ka qenë një letër që ka ardhur në mënyrën më të fshehtë. Ishte dikush që kishte pasur kontakt me Qazimin dhe kur ka ardhur në Tiranë, ka pyetur se "ku janë fëmijët e Haki Mulletit?". E marrim letrën dhe e lexojmë me vëmendje dhe me shumë mall. Ishim të përvëluar nga dashuria për të dhe nga pamundësia për ta kontaktuar. Këtu regjimi po bëhej shumë i egër dhe luftën ndaj të ikurve dhe ndaj ish-pushtetarëve të periudhës së luftës po e bënin shumë të ashpër.
Çfarë shkruante për ju?
Ishte informuar për të gjithë persekucionin e pashembullt që kishte filluar mbi ne, si njerëzit e Qazim Mulletit, dhe për këtë shprehte një dëshpërim të jashtëzakonshëm. Ai kishte marrë vesh që edhe babai im, pra vëllai i tij, ishte futur në burg. Kemi parasysh se ne ndenjëm, se ai i tha babait se "me ty nuk ka kush gjë, se nuk je pleksur fare me politikën dhe nuk duhet të shuhet familja e Mulletëve". Por ja, tashmë ai ishte në burg dhe për këtë Qazimi fajësonte veten. Por ai kishte marrë vesh që na kishin sekuestruar edhe shtëpinë. Ç'të të them! Ka qenë një letër mallëngjyese, që nuk mundeshim ta lexonim dot deri në fund. Sa herë e fillonim, aq herë e ndërprisnim nga ngashërimet, se edhe Qazimi, nën efektin e lotëve e kishte shkruar.
Si jua dërgonte letrat në mënyrë të fshehtë?
Ai gjente forma të ndryshme. Atëherë kanë qenë njerëzit e UNRRA-s, të "Kryqit të Kuq", apo të tjerë njerëz që kishin mundësi të lëviznin në itinerarin Romë-Shqipëri dhe e kundërta. Letra u jepej në formë të fshehtë, duke vënë mbi të emra dhe adresa të ndryshme. Tani që kemi pasur mundësi të hulumtojmë arkivat dhe dosjen e tij, konstatojmë se shumë letra të ardhura dhe me postë, Sigurimi i paska fotokopjuar dhe janë në dosje. Gjatë kësaj kohe ai ka gjetur mundësinë me një mijë e një mënyra që të na dërgonte dhe ushqime, me të cilat mundëm të mbijetonim.
Ushqime?
Na dërgonte ushqime, veshmbathje, ilaçe, etj. Pa to ne do të kishim vdekur. Këto i ka dërguar rregullisht, deri në vitin 1956 kur ai vdiq.
Pas vdekjes së tij, pastaj na dërgonte xhaxhai tjetër, Hysniu.
Ku ishte Hysniu?
Po siç të thashë, në fillim në Vjenë. Kur doli nga kampi si rob lufte, Hysniu shkoi në Zvicër të merrte veten, se ishte drobitur dhe dërrmuar gjatë tre muajve sakrifice dhe vuajtjesh. Pas kësaj ai ishte rikthyer në Romë dhe ishte bashkuar me të vëllanë, Qazimin. Hysniu na ka dërguar ndihma deri në vitin 1962, kur do të ndërronte jetë.
Kur vdiq Qazim Mulleti?
Qazimi vdiq në Romë, në 28 gusht 1956. Sipas profesor Myftar Spahisë, ai jo ka vdekur, por ka plasur. I ka rënë infarkt i menjëhershëm në një drekë.
Si ndodhi?
Ka qenë një drekë lamtumire për shokët e tij që do të iknin në Amerikë. Dreka bëhej në Vatikan. Në atë drekë kanë qenë Eqerem bej Vlora, Mentor Çoku, etj. Tashmë ata i kishte miqtë më të mirë. Kur pa që komunizmi nuk po binte, që familja e tij, gruaja dhe djali rraskapiteshin në Tepelenë si të internuar, vëllai ishte në burg, shtëpia ishte sekuestruar e në Shqipëri nuk vinte dot, tashmë edhe shokët që kishte po i iknin në Amerikë dhe po mbetej vetëm fare, - kjo tregonte që po i hiqte fare shpresat të ritakohej me njerëzit e tij dhe rrëzimi i komunizmit po zgjaste, - në këto mendime pra, ai ka rënë menjëherë përtokë nga infarkti.
Çfarë punonte në Itali?
Tashmë, pas rrëzimit të komunizmit, që kemi shkuar për ta takuar, kemi marrë vesh se ka qenë Konsulent për Çështjet Shqiptare, pranë ambasadave.
Çfarë do të thoshte kjo?
Ishte njeri i kredituar nga ambasadat dhe sheshonte garanci për emigrantët shqiptarë që duhej të paraqisnin dokumentet për vizë. Me firmën e Qazim Mulletit janë vlerësuar shumë e shumë emigrantë. Por ndër ata që kanë kërkuar ndihmë, ka pasur edhe bashkëpunëtorë të Sigurimit.
Sa ka koinçiduar që të ketë ndihmuar njerëzit e Sigurimit?
Kanë qenë tre veta, të cilët kanë marrë edhe rekomandim nga neve që të takonin Qazimin, për t'i ndihmuar që të ecnin më tej për në perëndim. Kur ka mësuar Qazimi se kishte ndihmuar njerëzit e Sigurimit, i ka rënë kokës me dorë dhe na ka njoftuar menjëherë që filan familje dhe filan familje që ju i mbani për miq, janë njerëz të Sigurimit, që ju plotësojnë dosjet te komunistët.
I njihni tashmë?
Si ore s'i njohim, por nuk mund të flas tashmë me emra, se ata janë një njollë turpi dhe tashmë kanë fëmijë, që do rëndohen nga veprimi i tyre.
Ç'mendim kishte Qazimi për komunizmin në Shqipëri?
Qazimi i shikonte gjërat shumë qartë dhe nuk fluturonte më kot. Ai e dinte se po të donte, perëndimi e rrëzonte Enver Hoxhën me kohë e me mot. Prandaj nuk i besonte shumë propagandave boshe, jo zbarkim e jo budallallëqe. Ai, kur pa se po instalohej fuqishëm dhe rrezikshëm dhe kur mësoi tërheqjen e perëndimorëve anglo-amerikanë, i tha vetes, që të presim tashmë kur të përmbyset vetë. Madje u ka bërë letër Muharrem Bajraktarit dhe Hamit Matjanit, si edhe shumë njerëzve të tjerë që ishin antikomunistë të betuar, që "mos u besoni propagandave të kota dhe mos u hidhni në Shqipëri, se po përdoreni mish për top. Nuk rrëzohet komunizmi i instaluar fuqishëm me disa parashutistë që bien më shumë në dorë të tyre. Të presim situatën dhe momentin kur t'i vijë vakti, s'kemi çfarë bëjmë". Dhe mendoj se koha e tregoi zgjuarsinë e Qazim Mulletit, i cili u ka bërë një vlerësim të saktë situatave.
Po me të shoqen dhe të birin si ka shkuar puna?
E shoqja, Hajria, ka qenë një grua me të vërtetë trimëreshë dhe heroinë. Ajo ka pasur një kulturë të admirueshme dhe e ka mbajtur gjithmonë lart emrin e të shoqit, duke e përmendur me krenari të jashtëzakonshme, megjithëse jetuan fare pak bashkë.
Sigurisht, ka qenë në internim?
Nuk bëhet fjalë. Së bashku me të birin, Reshitin, kanë vuajtur shumë. Kanë qenë të internuar në Savër, Tepelenë, Gradisht, Porto Palermo, etj. Por ishte grua e jashtëzakonshme, që ne e kujtojmë me shumë respekt. Madje ka një detaj interesant të jetës së saj, ku pasi mbushi vitet e pensionit, pa se nuk ia jepnin atë vetëm se ishte në internim.
I kishte bërë vitet e punës?
Po, po, i kishte bërë dhe nuk ia jepnin vetëm se ishte e shoqja e Qazim Mulletit. Është nisur nga internimi pa marrë leje dhe pa pyetur askënd dhe ka shkuar në Ministri të Brendshme, ku ka kërkuar takim me Kadri Hazbiun. Sigurisht ia kanë penguar, por ajo ka insistuar dhe ka bërtitur se donte të takonte ministrin. Nuk diskutohet, se kur bëhej fjalë për të shoqen e Qazim Mulletit, Hazbiun e kanë vënë në dijeni për këtë fakt të rrallë. Kadriu pas kësaj ka urdhëruar menjëherë që ta lejonin. Kur është përballur me të, ajo ka shkarkuar të gjitha bateritë, ku me tërsëllimë i ka argumentuar ligjin dhe të drejtën e saj për të marrë pensionin që i takonte. Kështu Hajria u bë e internuara e parë që mori pensionin kur ishte në internim.
Kur ka vdekur Hajria?
Ka vdekur në moshën 70-vjeçare, në vitin 1980, kur ishte në internim në Savër dhe u varros në Lushnjë. Kam shkuar nga Shkodra në varrim. Kur u varros ka dhe një moment interesant, se ajo qëlloi të varroset pranë një oficeri që porsa kishte vdekur. Pas kësaj, i biri i oficerit protestoi se, përse babai i tij duhej të varrosej pranë të shoqes së Qazim Mulletit. Është për të qeshur, por e vërtetë, që as të vdekur nuk e pranonin si qenie njerëzore, por e njihnin si të internuar. Po çfarë të keqeje kishin parë nga Hajrija?
Po historia e të birit, si ka shkuar?
Edhe Reshiti, apo Shyti siç i thonim neve, ka qenë së bashku me të ëmën në internim. Ai u betua të mos martohej asnjëherë, duke argumentuar se jeta e tij do të mbyllej vetëm i dënuar dhe nuk donte të lindte fëmijë në internim. "Nuk dua të lind skllevër për komunistët", - thoshte shpesh, kur i kujtonim martesën. Ka vdekur në vitin 2005, kur kishte mbushur 75 vjeç. Vdekja e tij është shumë emociononte dhe prekëse njëkohësisht.
Po ju dëgjoj?
Reshiti, pasi kaloi një kalvar të gjatë në internime, duke jetuar në baraka, se në shtëpitë e të atit të tij jetonin të tjerët, dhe si arriti kohën e demokracisë, filloi përpjekjet të merrte shtëpinë e vet. Arriti ta merrte në vitin 2005, kur ishte plot 75 vjeç. Ditën që hyri në shtëpinë e të atit, që nuk mundi ta shikonte më asnjëherë që prej 9 shtatorit të '44-ës kur e pa për herë të fundit, u emocionua së tepërmi dhe duke pasur edhe problemet e shëndetit, vdiq. Pra, ai vdiq ditën e parë që hyri në shtëpinë e të atit. Nuk mundi t'i bënte ballë emocionit. Jeta e kishte përplasur me dallgë të mëdha.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›