E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis degjimi i zerit te qytetareve per Planin Urbanistik

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka bërë të ditur sot, se Plani Urbanistik i Tiranës do të miratohet vetëm atëherë kur të marrë aprovimin e banorëve të kryeqytetit.  Në konferencën hapëse të ”Javëve të Arkitekturës” në Tiranë, organizuar nga Universiteti “Polis”, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, Basha tha se “pjesëmarrja dhe më pas vendimmarrja e qytetarëve, në përfundimin e Planit Urbanistik që i ka munguar këtij qyteti për 21 vjet, është për mua thelbësore, po aq e rëndësishme sa rezultati përfundimtar i këtij plani dhe është po kështu garancia që rezultati përfundimtar do të jetë i qëndrueshëm dhe jo subjekt i ndryshimeve të herëpashershme të gjendjes shpirtërore burokratike, shtetërore etj, të institucioneve përgjegjëse’”
Konsultimet për Planin Urbanistik të Tiranës që nisin sot e do të shtrihen në të gjithë njësitë bashkiake të Tiranës, do të jenë një garanci më shumë, se procesi do të përfundojë me transparencë dhe pjesëmarrje të plotë të të gjithë qytetarëve. 
“Plani Urbanistik, në përfundim do të jetë tabloja, piktura, vepra e artit, e përbërë nga mijëra detaje, si një mozaik i vërtetë, në të cilin do të gjejnë veten e tyre qytetarët e sotëm të Tiranës dhe brezat që do të vijnë, por kjo tablo e cila është shumë komplekse nuk mund të trajtohet si një vepër arti “e strukur” në një studio, në duart e një piktori eksentrik, sado i talentuar apo jo mund të jetë. Duhet dhe do të jetë një vepër arti e hapur për kontributin dhe bashkëpunimin e të gjithë kapaciteteve njerëzore intelektuale, profesionale dhe artistike të kryeqendrës së shqiptarëve. Kështu ka nisur procesi dhe kështu do të përfundojë. Bashkia, këtu ka rolin e vet por asnjë pjesë e rolit nuk është më i rëndësishëm se sa të garantojmë se procesi do të përfundojë me transparencë dhe pjesëmarrje të plotë të të gjithë atyre që i thonë Tiranës “shtëpia ime””, u shpreh kryebashkiaku. 
Në hartimin e Planit Urbanistik të Tiranës, një premtim i bërë gjatë fushatës elektorale, u përfshinë ekspertët më të mirë, nga arkitektura tek urbanistika, nga inxhinieria tek mjedisi. Po kështu, një kontribut të rëndësishëm kanë dhënë personalitete të mëdha të arkitekturës botërore, që hartuan projektin e Bulevardit të Ri dhe rehabilitimit të lumit të Tiranës, pjesë e Planit Urbanistik të Tiranës. Pjesëmarrjen në Tiranë, të një numri arkitektesh nga e gjithë e bota, në “Javët e Arkitekturës”, Basha e ka konsideruar si shenjën më të fortë të besimit që ka projektuar kjo energji e re e qytetit tonë.  
”Jemi sot edhe më krenarë, që si rezultat i kësaj energjie të prodhuar, kësaj energjie pozitive, që qyteti ynë rrezaton jo vetëm për qytetarët e tij, madje jo vetëm për vendin por sot edhe në aktivitete të rëndësishme botërore si Bienalja e Venecias, e rrezaton këtë energji, e përcjell këtë energji, në qytetet e tjera, tek simotrat e saj kudo në Evropë, ne kemi sot të pranishëm në Tiranë, edhe njëherë në këtë hark të shkurtër një vjeçar, zërat më të rëndësishëm të pararojës, avant-gardës arkitekturore dhe urbanistike të botës. I kemi të pranishëm fizikisht dhe me punimet e tyre të shkëlqyera, që paraqesin plane dhe projekte, që nesër do të jenë realitet për qytetin tonë dhe pse jo edhe për qytete të tjera. Kjo është valuta më e mirë, shenja më e fortë e besimit që ka projektuar kjo energji e re e qytetit tonë e që do të përkthehet pa dyshim dhe me patjetër në vepra konkrete publike dhe private, për të mirën e qytetit tonë, qytetarëve tanë dhe mbarë vendit”, vuri në dukje kryetari i Bashkisë së Tiranës. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›