E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tapitë, PS: Të mbetet ligji 7501

Socialistët nuk japin konsensusin për verifikimin e zbatimit të ligjit 7501 "Për tokën". 

BLEDAR HOTI

Opozita bojkoti mbledhjen e komisionit parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, duke mos pranuar shqyrtimin e më pas votimin e projektligjit për verifikimin e ndarjes së tokës bujqësore. Arsyeja e largimit nga mbledhja është se opozita kërkon që të mos prishet konsensusi i arritur në vitin 1991 me miratimin e ligjit 7501, "Për tokën". "Ne s'mund të prishim konsensusin e madh të vitit 1991 për ligjin 7501, "Për tokën". Nuk mund të rrimë të diskutojmë për këtë ligj, votojeni siç doni ju, rishikimi i tapive do të sjellë probleme të mëdha në fshat", deklaroi socialisti Flamur Hoxha. Ndërsa demokratët kanë deklaruar se ndryshimet janë realizuar pikërisht edhe me konsensusin mes pozitës dhe opozitës. Deputeti i PD-së, Ilir Bano theksoi se, materiali i integruar mes dy komisioneve të Ligjeve dhe Veprimtarive Prodhuese përfshin edhe mendimet e opozitës. "Një pjesë të madhe ne i kemi marrë parasysh sepse kemi pasur edhe predispozicionin, nuk duhet të na ndante gjë për këtë projektligj. Mendoj se s'ka çfarë të presim më, sepse kur arrihet një situatë e tillë diskutohet katër muaj, merren parasysh shumë vërejtje dhe sugjerime, ku për thelbin e problemit jemi të gjithë dakord që është i domosdoshëm ky projektligj dhe duhet që ta kalojmë", reagoi Bano. Por një gjë e tillë është kontestuar nga opozita. Hoxha deklaroi se, "nuk ka asnjë konsensus të dhënë nga PD-ja për projektligjin e paraqitur". Ndërsa vijoi se, do të braktisë komisionin parlamentar, deputetët e maxhorancës kërkuan që të diskutonin mbi mundësinë e rënies së konsensusit mbi projektligjin e paraqitur nga ana e qeverisë. "Ky është një projektligj partiak, keni caktuar prefektët që të ndajnë tokat nëpër rrethe. Ministri Jemin Gjana ka caktuar disa të paaftë atje, duke rekrutuar staf politik. Ju keni bërë një ligj partiak mor vlla", deklaroi socialisti Hysa, ndërsa po ikte nga mbledhja. Nënkryetari i komisionit, demokrati Rexhep Uka, ka ftuar opozitën që të ulet në një tryezë dhe të bisedojnë mbi projektligjin në fjalë, duke nënkuptuar arritjen e një konsensusi politik. Deputeti demokrat Ardian Kollozi deklaroi se, "qëndrimi dhe bojkoti i opozitës është i kotë, pasi në relacionin integral janë marrë në konsideratë të gjitha vërejtjet e opozitës".P/ligji "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore" parashikon që në afatin kohor 36-mujor, qeveria nëpërmjet mekanizmave të saj do të verifikojë 4700 ha, që rezultojnë se janë ndarë në kundërshtim me ligjin 7501 "Për tokën". Kjo ndarje e padrejtë është realizuar kryesisht në zonat bregdetare, të njohura ndryshe edhe si me përparësi për zhvillimin e turizmit. Relacioni i përbashkët i dy komisioneve të përbashkëta u paraqit në seancën e fundit plenare, por mungesa e opozitës detyroi që p/ligji të mos votohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›