Tarçullovski kërkon mbylljen e rasteve të Hagës

Ish-pjesëtari i forcave maqedonase të sigurisë, Johan Tarçullovski, i cili po vuan dënimin për krime lufte në Tribunalin e Hagës, ka kërkuar mbylljen e rasteve të Hagës në Maqedoni. Nëpërmjet një letre drejtuar opinionit dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i ka kërkuar që të mbyllen rastet e Hagës, që ngarkojnë ish-pjestarë dhe krerë të UÇK-së dhe të cilët tashmë janë proceduar nga drejtësia në Maqedoni.
Letra e tij pason në momentet kur Parlamenti i Maqedonisë po debaton lidhur me mbylljen e këtyre rasteve, përmes interpretimit autentik të nenit 1 të ligjit për amnisti të vitit 2001, i cili shpall të pafajshëm dhe ndërpret çdo hetim, për ish-pjestarët e UÇK-së.
Marrëveshja për mbylljen e rasteve të Hagës është pjesë e marrëveshjes së koalicionit midis VMRO-DPMNE dhe BDI. Sipas tij, këto raste duhet të ndalen dhe të shkohet përpara për të ndërtuar dhe jo për të rrënuar. Ai ka thënë se VMRO-DPMNE gëzon mbështetjen e tij, për të mbyllur këto raste.