Tare: Jam edhe une në listë kundër Realit te Madridit

Nëse Lorik Cana do të jetë kapiteni i Marsejës në sfidën kundër Liverpulit të Stiven Xherard, Igli Tare është përfshirë në listën e 24-lojtarëve të Lacios për t'u përballur sot kundër Realit të Madridit në "Santiago Bernabeu" për ditën e fundit të Ligës së Kampioneve. Kundër Realit, Lacio luan për kualifikimin në një të tetat e finaleve, dhe për të bërë pjesë në grupin e 16-të më të mirave i duhet një fitore e madhe.
TETË MINUTA - Gjasat janë të pakta për aktivizimin e ish-kapitenit të Kombëtares, i cili është aktivizuar vetëm tetë minuta në ndeshjen e parë kundër Verderit të humbur 2-1 në Bremen , kur zëvendësoi në minutën e 82-të, Tomaso Rokin Sidoqoftë, të paktën "virtualisht" Tare e ka shansin të luajë kundër Realit në Madrid, momente që do t'i mbeten të pashlyera gjigantit shqiptar pasi do të shijojë një ambient madhështor si "Santiago Bernabeu".
BEHRAMI- Në stërvitjen e fundit trajneri Delio Rosi zhvilloi një minindeshje duke i ndarë lojtarët pesë kundër katër. Tare bentë pjesë në grupin me pesë lojtarë, ndërkohë që kosovari me pasaportë zvicerane, Valon Behrami zhvilloi një stërvitje të diferencuar. Behrami është aktivizuar në katër nga pesë ndeshjet e zhvilluara deri tani, që në total bëjnë 337 minuta lojë aktive.
24 LOJTARËT - 34-vjecari shqiptar është aktivizuar shumë pak edhe në kampionatin e Serisë A dhe në fitoren e Lacios me Katanian (2-0) qëndroi në bankinë, por sidoqoftë trajneri Delio Rosi e ka përfshirë në listën e futbollistëve që udhëtuan drejt kryeqytit spanjoll. Ja dhe lista e të thirrurve nga Delio Rosi: Artipoli, Balottta, Baronio, Behrami, Cribari, De Silvestri, Firmani, Kolarov, Ledesma, Makinua, Manfredini, Mauri, Meghni, Mudingayi, Muslera, Mutareli, Pandev, Rocchi, Scaloni, Siviglia, Stendardo, Tare, Vignaroli, Zauri.