E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tarifa “zero” për studentët e pensionistët

11/01/2012  Transporti Publik/ Basha mbledh operatorët për masat mbi përmirësimin e shërbimit

Nis puna për ristrukturimin e transportit publik në kryeqytet, shërbim i cili gjatë viteve të fundit është shndërruar në makth për qytetarët si pasojë e kapaciteteve dhe infrastrukturës së dobët, që kanë penguar qarkullimin e lirshëm. Kundrejt kësaj situate kryebashkiaku Lulzim Basha ka mbledhur gjatë ditës së djeshme të gjithë operatorët e transportit publik në kryeqytet, me të cilët ka diskutuar planin e masave që do të ndërmerren për përmirësimin e cilësisë së këtij shërbimi. Krahas përmirësimit të infrastrukturës rrugore, shtimit të automjeteve synim i veçantë është dhe mbrojtja e qytetarëve, veçanërisht e shtresave të caktuara nga tarifat e udhëtimit. Sa i takon këtij zëri, Basha ka deklaruar para operatorëve se në bashkëpunim me ta do të shkohet drejt tarifave zero për disa kategori, siç janë pensionistët mbi 65 vjeç, studentët dhe shtresa të tjera në nevojë. “Një nga synimet kryesore është ofrimi i një shërbimi sa më të mirë, por dhe sa më të pranueshëm për xhepat e kategorive të veçanta të qytetarëve, në veçanti për pensionistët mbi 65 vjeç dhe studentët. Këtë nuk e kam si surprizë, sepse ju e dini që unë e kam shpallur këtë si objektiv dhe e kam mbajtur si objektiv programor në programin për katër vjetët e ardhshëm. Në këtë kuadër, mendoj se ka hapësira të mjaftueshme që jo ta diskutojmë si objektiv të veçantë, por në kuadrin e planit të përgjithshëm të masave që do të marrim për t’ju ardhur në ndihmë edhe juve, ne të shikojmë se si mund të realizojmë objektivin e Bashkisë për transport me tarifë të reduktuar deri në tarifë zero për studentët dhe pensionistët mbi 65 vjeç”, - ka deklaruar Basha. Për zbatimin e këtij synimi Basha ka konfirmuar se tashmë po punohet për ofrimin e një shërbimi më cilësor, që do të thotë shtimin e autobusëve të rinj me të gjithë parametrat funksionalë, me mundësitë që duhen si gjatë dimrit, ashtu dhe gjatë verës, me frekuencën e duhur dhe të monitoruar siç duhet të lëvizjes, pra pa vonesa dhe të shtrirë gjatë gjithë kohës si dhe me shërbim të shtrirë sa më shumë në të gjithë qytetin e Tiranës. Tashmë është aprovuar një nismë e tillë, e cila ka të bëjë me miratimin nga këshilli bashkiak rreth dy muaj më parë të vendimit për ngritjen e në linje të posaçme, që do t’i shërbejë kryesisht zonës së Qytetit Studenti. Por pavarësisht kësaj, operatorët janë ftuar të diskutojnë edhe mundësinë e miratimit të linjave të tjera në dobi të transportit të qytetarëve. “Së fund ju duhet dhe do të jeni pjesë e diskutimit për të ardhmen e transportit publik, që nga planet për linjat e tramit veri-jug dhe lindje-perëndim, apo versionet e tjera të këtij moduli të transportit publik e deri te rishikimi i plotë i rrjetit rrugor, me përparësi korsitë e dedikuara, sepse, siç u thashë, në disa synime ne jemi thuajse të përputhur. Zvogëlimi i përdorimit të mjeteve private në favor të transportit publik është interes edhe i qytetit të Tiranës, por, që të ndodhë kjo, transporti publik duhet të ofrojë të gjithë komoditetin e nevojshëm.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›