E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia e Topit, ja zonat që mendohet të thithë më shumë vota

11/01/2012  Synon të tërheqë elektoratin e zhgënjyer, pronarët dhe ish-të përndjekurit

Partia e re që mendohet të ngrihet brenda muajve të ardhshëm nga Presidenti Topi, synon kryesisht marrjen e elektoratit të zhgënjyer të djathtë nga ana e Partisë Demokratike, por në shumicë pretendon të hyjë në ato qytete ku problemi i ish-pronarëve dhe i të përndjekurve politikë është më i ndjeshëm. Tirana, Durrësi, Shkodra, Dibra dhe bregdeti i Jugut mendohet të jenë zonat ku forca e re politike synon të tërheqë elektorat të djathtë.

Tirana dhe Durrësi

Tirana dhe Durrësi janë qytetet ku mbështetësit e Partisë Demokratike kanë vuajtur më shumë neglizhencën apo politikën preferenciale të drejtuesve në qendër. Nga ana tjetër, dihet se këto dy qytete kanë elektorat paksa të lëkundur, sidomos elektorati i djathtë. Shembulli më i mirë është Durrësi, ku Partia Demokratike, megjithëse ka fituar bindshëm zgjedhjet e përgjithshme në vitet 2005 dhe 2009, ka humbur ato lokale në vitet 2007 dhe 2011. Për shkak të kandidaturave të dobëta elektorati ka braktisur kandidatët, duke i dhënë mundësinë kandidatit të majtë Vangjush Dako të merrte dy herë mandatin. Po ashtu edhe Tirana, ku elektorati ka treguar se të braktis shumë shpejt, si në rastin e zgjedhjeve të vitit 2007. Në vitin 2011 ishte një figurë si ajo e Lulzim Bashës që mundi të mobilizojë elektoratin e djathtë dhe të sigurojë fitoren përballë kreut të PS-së.

Shkodra dhe zgjedhjet

Një rast tjetër interesant është dhe Shkodra, një pjesë e së cilës ka hatërmbetjet e saj me Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli për shkak të politikave preferenciale që ajo ka ndjekur atje. Kështu, është jo i paktë elektorati i djathtë, sidomos ai me shumicë myslimane, që prej kohësh e sheh Bamir Topin si kundërshtarin kryesor të Topallit. Në pamundësi për të votuar PS-në, kjo pjesë e elektoratit ka kërkuar përherë një zgjidhje alternative dhe një parti e djathtë e krijuar nga Presidenti do t’i shkonte për shtat. Qarku i Dibrës, dhe kryesisht zona e Burrelit, është një tjetër zonë ku Presidenti synon të marrë vota, për shkak dhe të influencës që ish-deputeti Sali Shehu ka në këtë zonë. Pavarësisht nga kjo, deri në zgjedhjet e ardhshme ka ende shumë kohë dhe dihet që elektorati shqiptar deri në fund mbetet i lëkundur për sa u përket zgjedhjeve të tij, që do të thotë se, pavarësisht pakënaqësive, vazhdon të votojë të njëjtën parti.

Data e formimit më 20 shkurt

Vetëm një ditë më parë ish-deputeti i PD-së Aleksandër Biberaj, i deklaruar si mbështetës i Topit, tha gjatë një emisioni televiziv se po merret me programin dhe statutin e partisë. Sipas tij, emri i kësaj force politike do të bëhet i ditur më 20 shkurt, ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit komunist. Sipas tij, Shqipërisë i duhet patjetër një parti e djathtë, pasi Partia Demokratike ka rrëshqitur shumë majtas për shkak të politikave të saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›