Tarifat e privatizimi të trojeve shtetërore
Nga vendimi përfitojnë, të gjithë ata që kanë privatizuar ndërmarrje, që ndodhen në zona ekonomike dhe industriale
Qeveria miraton çmimet për privatizimin e trojeve shtetërore. 50% shumës në para, 50% në letra me vlerë
TIRANË- Qeveria ka nxjerrë në shitje të gjitha trojet që shteti ka nën pronësi në zonat ku ushtrohet aktivitet ekonomik dhe industrial. Vendimi u mor dje gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave dhe pritet të hyjë në fuqi brenda një muaji.
Sipas tij, ata që kanë privatizuar ndërmarrjet shtetërore, të cilat operojnë në territore të miratuara si zona ekonomike dhe industriale, do ta blejnë truallin ku është vendosur ajo, sipas vlerës së hartës së tokës miratuar në nëntor të vitit të shkuar. Qeveria ka parashikuar një skemë për privatizimin e këtyre trojeve.
Sipas vendimit, të gjithë ata që duan të marrin në pronësi truallin duhet të paguajnë 50 për qind të vlerës së tij në lekë dhe pjesën tjetër në bono privatizimi.
I njëjti çmim do të aplikohet si për sipërfaqen që ndodhet nën objektin e privatizuar ashtu dhe për atë që është në funksion të objektit, pavarësisht raportit midis tyre.
Nga ky vendim do të preken të gjithë ata që kanë privatizuar ndërmarrje shtetërore në territore, të cilat me vendim të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë janë cilësuar si zona industriale.
Çmimi
Në bazë të hartës së tokës miratuar nga Këshilli i Ministrave disa muaj më parë, rezulton se më shumë se çdo tjetër kanë për të paguar ata që kanë privatizuar ndërmarrje në qarqet, Tiranë, Elbasan dhe Durrës.
Ndërsa, më pak do të paguajnë ata që kanë privatizuar ndërmarrje shtetërore në zona që tashmë janë miratuar për aktivitet industrial në qarqet e Gjirokastrës, Beratit dhe Kukësit.
Ata të cilët kanë blerë ndërmarrje në zonat e Unazës së Re, fabrikës së Miellit, zonës në afërsi të rrugës "Don Bosko", uzinës "Dinamo", Kombinatit të Autotraktorëve, dhe Fabrikës së Bukës, në Tiranë, do t'iu duhet të paguajnë një çmim nga 25 deri në 28 mijë lekëve për metër katror.
Njëzetë mijë lekë për metër katror është çmimi për truallin e ndërmarrjeve shtetërore në zonat e Laprakës, doganave, Spitalit Ushtarak, Bregut të Lumit, Fushë Mëzezit, po në Tiranë.
Zona më e shtrenjtë në kryeqytet, sipas hartës së vlerës së tokës, rezulton të jetë ajo e ish-bllokut dhe stadiumit Qemal Stafa ku një metër katror kushton 180 mijë lekë, ndërsa më e lira cilësohet ajo përreth Spitalit Ushtarak, dhe Bregut të Lumit me 20 mijë lekë për m².
Ndërsa, 15 deri në 17 mijë lekë për m² duhet të paguajnë privatizuesit e ndërmarrjeve shtetërore që ndodhen në zonat e, autostradës Elbasan-Metalurgji, unazës së re, zona e konvikteve dhe spitaleve, etj., në Elbasan.
Në këtë qytet, çmimi më i lartë shënohet në zonën e kalasë dhe përreth saj ku një metër katror truall kushton deri në 20 mijë lekë, ndërsa zona më e lirë është ajo e ullishtave, ku një metër katror kushton shtatë mijë lekë.
Për sa i përket Durrësit, çmimi për m² truall në zonat e cilësuara industriale varion nga 3.600 lekë në zonën e ish-Kënetës, 11 mijë lekë në atë të Urës së Dajlanit, dhe 12 mijë lekë në territorin përreth stacionit hekurudhor. Në Durrës, zona më e shtrenjtë cilësohet ajo e Portit dhe vijës Bregdetare me 30 mijë lekë metri katror, ndërsa më e lira ajo e ish-kënetës me 3.600 lekë.