E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, ekzekutohet ish-agjenti i antidrogës

ATENTATI/ Vrasja e Roland Rexhepit është lidhur me kohën në të cilën ai punonte me Edmond Kosenin, Komisarin e Hekurt


Policia ka deklaruar se vrasësit janë joprofesionistë, megjithatë nuk përjashtohet një vrasje me pagesë


ELBASAN - Roland Rexhepi, i njohur në qytet me pseudonimin "Doda", ish-agjent i antidrogës në polici, është ekzekutuar me dy breshëri kallashnikovi në derën e garazhit të makinës para syve të nënës së tij.


Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 08:00 të mëngjesit të së mërkurës në blloqet e pallateve të lagjes "Vullnetari" kur ish-agjenti, për shumë kohë i papunë dhe tashmë punonjës sigurie pranë stadiumit "Ruzhdi Bizhuta" po shkonte të nxirrte makinën e tij pasi kishte folur me të ëmën.


Teksa po hapte derën, dy persona të maskuar mbi një motor të cilindratës së vogël i kalojnë përballë dhe një prej tyre i drejton kallashnikovin duke e qëlluar me breshëri dy herë.


Skena e llahtarshme është parë nga nëna e tij, e cila ka ulëritur me sa fuqi kishte "Mos e vrisni se është djali im". Autorët nuk janë ndalur, por sapo kanë qëlluar, janë larguar me shpejtësi mes njerëzve me motorin e tyre. Vetëm disa qindra metra më tej në një rrugicë po në të njëjtën lagje, është gjetur fillimisht automatiku, i cili mendohet se i ka rënë në lëvizje e sipër autorëve.


Po kështu agjentët e policisë kanë arritur të gjejnë edhe maskat, si dhe motorin të braktisur në një cep të lagjes "Vullnetari". Nëpërmjet tyre pritet të gjenden prova të mjaftueshme që të çojnë tek autorët e vrasjes.


Doda kishte marrë shumë plumba në trup dhe transporti në spital ka qenë i kotë për të përfunduar më pas në morg. Paraprakisht mendohet se vrasja ka ardhur si pasojë e hakmarrjes për shkak të detyrës.


Policia


Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë qindra agjentë policie. Ndërsa është rrethuar vendi i ngjarjes, shumë të tjerë janë vënë në kërkim të provave dhe i janë përgjigjur informacioneve për vendndodhjen e armës dhe të mjeteve të tjera që ndihmuan vrasjen.


Po kështu, me shpejtësi janë grumbulluar gëzhoja të shumta në numër në vendin e ngjarjes. Në vendin e krimit kanë mbërritur drejtori i policisë, Aleks Hajdari, dhe kryeprokurori Elvin Gokaj.


Dy drejtuesit kanë kërkuar nga agjentët të ketë fshehtësi të plotë për hetimet dhe të grumbullohen sa më shumë dëshmi për ngjarjen duke qenë se këto do të ndihmojnë mjaft për vetë orën e ndodhjes së krimit.


Hajdari tha se është një ngjarje e rëndë për Elbasanin për shkak se krime të tilla regjistrohen rrallë në këtë qytet. Ai deklaroi se policia është e angazhuar totalisht për të zbardhur autorët e krimit.


Hetimi


"Për momentin, - tha drejtori i policisë, - nuk kemi një pistë të veçantë. Po hetohen dhe vlerësohen kontigjentë krimi të arrestuar në kohën kur Rexhepi ka qenë në detyrë, megjithëse kjo nuk i ngushton mundësitë për të mbërritur tek autorët e ngjarjes".


Policia ka grumbulluar prova të mjaftueshme dhe në ditët në vazhdim mund të ketë të reja përsa i përket autorësisë. Sipas të dhënave nga agjentët, autorët nuk janë shumë profesionistë, por gjithsesi mbeten ende dyshimet për një vrasje të porositur ose të paguar nga persona të tjerë. Drejtues të policisë deklarojnë se ekzistojnë të gjitha mundësitë për të zbuluar vrasësit.


Doda ka punuar si agjent i antidrogës, por edhe si truprojë i Edmond Kosenit, Komisarit të Hekurt. Në kohën kur ai shërbeu në antidrogë u zhvilluan mjaft operacione të suksesshme dhe u kapën sasi të konsiderueshme droge. Pikërisht në këtë pikë pritet të mbështeten hetimet për vrasjen e tij. Hetuesit janë duke verifikuar këto raste, si dhe mundësinë që njëri prej tyre të jetë rikthyer ose të ketë dalë nga burgu.


Por nuk përjashtohen edhe konflikte të tjera që kanë ardhur për shkak të detyrës në kohën kur vendosej rend e qetësi pas dëmit të madh nga bandat e armatosura. Mbi 3 vjet më parë Doda ishte larguar nga policia për shkak të reformave. Të afërm thonë se kjo gjë ka sjellë deri edhe vrasjen e tij, pasi në rast se do të ishte agjent, do të ishte më i mbrojtur.


Sipas tyre, shteti duhet t'i kishte krijuar mbrojtje agjentëve që mbajnë në kurriz pasojat e viteve të vështira në tentativë për të vënë rregull e qetësi në qytet.


Tronditja e nënës


Ajo që ka përjetuar tmerrin dhe që madje ka ulëritur mesa fuqi kishte për të ndalur krimin, ka qenë Sala, nëna e Roland Rexhepit. Gruaja rreth të 60-ave kishte vendosur të lyente shtëpinë e ndodhur në katin e tretë të pallatit përballë garazhit ku u regjistrua vrasja.


Ajo kishte dalë dhe po fliste me të birin nga pallati kur ky ishte duke nxjerrë makinën nga garazhi për të shkuar në punë. Në atë moment ka parë të ndalojnë me motor dy autorët, prej të cilëve ai pas ka qenë i armatosur.


Gruaja ka thirrur "Mos ma vrisni djalin!", por ulërimat e nënës janë shuar nga breshëria e automatikut që është zbrazur mbi të birin. Skena rrëqethëse për të gjithë i ka bërë mjaft keq gruas e cila ka rendur tek trupi i djalit të gjakosur.


E ka ndjekur në spital që të shfrytëzonte edhe qoftë edhe një shpresë të vetme, por nuk ka pasur asnjë mundësi jete dhe më pas është kthyer mes lotëve dhe tronditjes e shoqëruar nga familjarë të tjerë në shtëpi.


Dëshmitë e banorëve


Vrasjen e kanë parë e dëgjuar shumë banorë të lagjes ku jetonte 42-vjeçari. Tronditja ka qenë e madhe për të gjithë dhe shumë kanë dalë të shqetësuar për të parë atë që kishte ndodhur.


Dy gra thonë se autorët u kanë kaluar shumë afër me motor dhe se në atë kohë ka pasur mjaft njerëz që lëviznin, por ata ishin me maska. Nexhmije Mema është njëra prej fqinjeve që tregon se në atë moment ka dëgjuar dy herë breshëri të shtënash dhe i ka shkuar mendja për armë. "Unë isha në shtëpi dhe sapo e dëgjova dola të shihja, pasi e mendova armë.


Kur dola, pashë nënën e Dodës dhe të gjithë që ishin grumbulluar. Unë mendova se vranë ndonjë ordiner, por jo Dodën. S'më mbushej mendja që ishte ai që ishte vrarë. U afrova dhe e pashë. Ishte i larë me gjak. Doda ishte një njeri që respektohej nga të gjithë. Ishte korrekt dhe i sjellshëm.


Autorët duhet të kapen sa më parë". Ndërkohë, banorë të tjerë thonë se nga përmasat e trupit autorët dukeshin dy djem rreth moshës 25-30 vjeç, megjithëse askush nuk ka mundur t'ua shohë fytyrën. Dëshmitarët kanë ndjekur me sy skenën që ka zgjatur për disa minuta dhe largimin e autorëve. Një nga fqinjët e pallatit afër garazhit thotë se tronditja më e madhe ka qenë për ata pasi të shtënat janë dëgjuar shumë afër.


Pa dashur të identifikohen, ata thonë se kanë qenë me fat pasi, nëse do të kishin qenë duke zbritur shkallët apo nëse plumbat do të kishin vërshuar në dritaret e tyre, atëherë do të kishte të tjera viktima.


Intensifikohen kontrollet në rrugë
Drejtues të policisë konfirmojnë gatishmëri totale pas ngjarjes. Menjëherë janë angazhuar efektiva të qarkullimit, si dhe agjentë të sektorëve të tjerë për kontrollin e rrugëve dhe të lëvizjes së personave të dyshuar.


Në hyrje-daljet, por edhe në segmente të tjera po ndiqet çdo lëvizje e dyshimtë, si dhe është shoqëruar një numër i madh personash me precedentë. Një rëndësi tepër të madhe kanë marrë për këtë ngjarje dëshmitë e banorëve. Ato konsiderohen kyçe, madje policia u ka bërë thirrje banorëve që kanë parë ndonjë detaj më tepër të njoftojnë duke ruajtur anonimatin.

Kush ishte Doda


I lindur në lagjen "Vullnetari" në vitin 1967 Roland Rexhepi kishte dy vëllezër të njohur në Elbasan për korrektësinë dhe aktivitetin e tyre si në institucionet publike, ashtu edhe në biznesin privat.


Doda jetonte në anë të kopshtit Soros në një banesë të përshtatur nga një çerdhe e kohës së komunizmit. Kishte tre fëmijë dhe pas disa viteve i liruar nga detyra e agjentit të policisë, ai kishte filluar punë si punonjës sigurie në stadiumin "Ruzhdi Bizhuta". Banorët e lagjes e respektonin mjaft dhe ai kishte një autoritet të padiskutueshëm mes shoqërisë, por edhe qytetit.


Fqinjët e quajnë djalë të sjellshëm dhe mjaft korrekt ndërsa ish-kolegët vazhdonin ta respektonin sikur ai të ishte mes tyre. Ai admirohej gjithashtu për fizikun e tij dhe formën e shkëlqyer. Doda ka punuar në vitet e vështira si agjent i antidrogës dhe si truprojë i ish-komisarit të hekurt, Edmond Koseni.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›