Raporti i BB-së, PS-ja kërkon ndërhyrjen e Prokurorisë
Debate në Kuvend për raportin e Bankës Botërore. Mazhoranca dhe opozita nuk lëvizin nga qëndrimet e tyre
TIRANË- Raporti i panelit të inspektimit të Bankës Botërore dhe deklarata e drejtorit të këtij institucioni, Robert Zoellick lidhur me zbatimin e projektit të menaxhimit të bregut të jugut të Shqipërisë, janë bërë objekt i debateve të forta dje në Kuvend, mes mazhorancës dhe opozitës, lidhur me përmbajtjen e tyre. Opozita, duke marrë shkas jo vetëm nga qëndrimi i BB-së, por edhe nga reagimi i qeverisë shqiptare lidhur me raportin e panelit të inspektimit, ka deklaruar se mazhoranca e djathtë po turpëron vendin, në raport jo vetëm me këtë institucion financiar, por edhe në raport me gjithë partnerët ndërkombëtarë që po ndjekin me vëmendje zhvillimet rreth kësaj çështjeje. Sipas nënkryetarit të grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, akuzat që Kryeministri Berisha bëri ndaj anëtarëve të panelit të inspektimit të BB-së si të korruptuar, kanë dëmtuar imazhin e vendit në sytë e ndërkombëtarëve, si dhe kanë krijuar një përshtypje të keqe në sytë e biznesmenëve të huaj që kërkojnë të investojnë në Shqipëri. Braçe, duke replikuar me qëndrimin e qeverisë, e cila e konsideroi këtë çështje si një kapitull i mbyllur, ka deklaruar se deklarata e fundit e drejtorit të BB-së, Robert Zoellick, tregoi qartë se ky institucion tashmë sapo ka nisur hetimin lidhur me këtë skandal. Madje, sipas tij, Banka sapo ka nisur hetimin jo vetëm kundrejt shkeljeve që i janë bërë projektit, por edhe ndaj drejtuesit të tij në vendit tonë, dhëndrit të Kryeministrit, Jamarbër Malltezi. "Nga deklarata e drejtuesit të lartë të BB-së, kuptohet fare qartë se hetimi tani po ndodh dhe do të përfshijë një gamë shumë të gjerë të kësaj çështjeje. Prandaj çështja nuk mund të konsiderohet e mbyllur nga ana e qeverisë, për aq kohë sa nga deklarata thuhet se projekti do të jetë i pezulluar për sa kohë do të merret një vendim ose për të ristrukturuar projektin, ose për anulimin e plotë të tij", - tha Braçe. Në funksion të nevojës së zbardhjes së kësaj historie, ai ka kërkuar dhe ndërhyrjen e prokurorisë shqiptare, të cilën e ka ftuar që të shkojë në terren për të parë shkeljet që janë bërë me projektin. "Fajet penale nuk mund të jenë kurrë kolektive, prandaj prokuroria duhet të bëjë punën e vet dhe të shkojë edhe në terren atje për të hetuar këtë çështje", - tha më tej Braçe. Por, duke marrë shkas nga deklaratat e nënkryetarit të grupit socialist, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, ka pretenduar të kundërtën, duke vlerësuar raportin e BB-së si një fakt që i dha të drejtë qëndrimit të qeverisë, se në bregun e jugut është zbatuar vetëm projekti i këtij institucioni. Ai ka mohuar gjithashtu konstatimet e bëra nga parafolësi se zyrtarë të lartë të qeverisë dhe drejtuesit e projektit janë në hetim nga BB-ja. "Raporti i 17 shkurtit nxori të gjitha faktet e vërteta. Askush nga zyrtarët e qeverisë dhe drejtuesit e projektit nuk është hetuar dhe nuk hetohet për korrupsion", - tha Olldashi. Ai ka shtuar se të 300 objektet e prishura në këtë zonë, ku dhe shtrihet projekti, janë bërë në përputhje me projektin që qeveria shqiptare ka pasur me BB-në. Madje, ai u ka kujtuar socialistëve se një pjesë e mirë e ndërtimeve në këtë zonë janë prishur që në vitin 2004, kur në pushtet ishte e majta.