E Diel, 1 Nëntor 2026

"Tartufi" nga Prishtina në Tiranë

"Tartufi" i Molierit nga Prishtina vjen në Tiranë. Në kuadrin e muajit të kulturës Shqipëri-Kosovë, komedia e vënë në Teatrin e Prishtinës nga regjisori maqedonas Rrahim Burhan, do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë në datën 14 mars. Më shumë se ngjitjen e një vepre, në mediat kosovare është komentuar fakti që personazhit kryesor, në konceptin e regjisorit, i është ndërruar feja. Burhan ka sjellë një Tartuf mysliman, i veshur me petka të gjelbra, në ndryshim nga ai i krishterë i origjinalit. Gjatë vënies në Prishtinë, regjisori Burhan ka thënë se ishte i lumtur që i ishte dhënë mundësia për inskenim të kësaj shfaqjeje në Kosovë. Rolin kryesor e luan aktori Bajrush Mjaku, i cili është shprehur i kënaqur që luan me aktorë të rinj, të cilët nuk bëjnë pjesë në Ansamblin e TKK-së. Në pjesën tjetër të roleve interpretojnë: Çun Lajçi, Igballe Qena, Mentor Zyberaj, Blerta Syla, Shengyl Ismajli, Bekim Guri, Florentina Ademi, Besnik

Krapi, Asllan Hasaj dhe Ramadan Mala. Si pjesë e këtij kalendari, është menduar të vijë në Tiranë edhe shfaqja "Çifti Martin" i Joneskos.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›