E Diel, 1 Nëntor 2026

Ornela Vorpsi: Nuk ndjehem në faj ndaj Shqipërisë

Letërsia, fotografia, piktura apo çdo pasion tjetër i Ornela Vorpsit është zvetënuar para ardhjes së një fëmije. Ritmi i jetës së shkrimtares ka ndryshuar. Angelika, vajza e saj, tashmë disamuajshe, i ka zbuluar të tjera ndjesi. E ka braktisur paksa letërsinë, ndonëse ka projekte që duhen mbyllur. Jeton prej 12 vjetësh në Francë, por vazhdon të shkruajë italisht. Nuk ka provuar të shkruajë ende shqip, por shprehet me bindje se dera mbetet e hapur. Nuk e përjashton as një takim me lexuesin shqiptar, edhe pse prej librit të saj "Vendi ku nuk vdiset kurrë" është krijuar përshtypja e një paragjykimi të heshtur. "Shqipëria nuk ka qenë e lehtë dhe unë e kam vuajtur, por nuk kam asnjë mllef. Nuk ndihem në faj. E vërteta për mua është një formë dashurie", shprehet Vorpsi, e cila i përket fenomenit të shkrimtarëve të rinj që arrijnë të shkruajnë në një gjuhë të huaj. E ftuar në panaire të ndryshme libri, e përkthyer edhe në frëngjisht, Ornela Vorpsi është gjithnjë e më shumë e bindur për rrugën e saj letrare.

Ardhja e një fëmije në jetë. Çfarë ndjenjash po provoni Ornela?

Në fillim m‘u duk shumë e vështirë. Thuajse u pendova. Ndoshta sepse isha mësuar të isha shumë e lirë në jetën time, leximet, gjumin e të tjera. Duhet marrë parasysh fakti që nuk kam qenë asnjëherë një grua shumë e dhënë mbas fëmijëve. Kam pasur një dashuri të marrë për kushëririn tim Ilirin kur ishte bebe. Rrija orë të tëra duke e parë. Isha e mrekulluar, asgjë tjetër nuk më interesonte më tepër në botë se ajo bebe e vogël. Kam qenë dymbëdhjetë vjeçe atëkohë. Pastaj e gjithë kjo më kaloi si me magji. Fëmijët nuk më interesonin më, për më tepër akoma, kur shihja shoqet ose shokët e mi me fëmijë thosha: Të shkretët ata!

Tani më duket një mrekulli e vërtetë, është një bebe jashtë mase e urtë (me siguri i ka ngjarë babait të vet) sepse nga ato që më kanë treguar, në vogëli unë nuk kam qenë e tillë. Natën shkoj në krevatin e saj dhe e përgjoj pak. Mezi pres që të zgjohet. I qartë është fakti: s‘kam fare kohë për punë dhe kjo më dhemb pak.

A do t‘ju ngacmonte ky moment për të shkruar diçka?

Kam nevojë urgjente të shkruaj, sepse kam një projekt në dorë prej kohësh. Por nuk ndiej që kam dëshirë të shkruaj për këtë moment (shtatzëninë, lindjen, beben), të paktën për tani. Ndoshta më duhet më tepër kohë? Distancë?

Ka ndodhur një "braktisje" e letërsisë këto kohë?

Oh, plot braktisje! Dhe sa të dhimbshme janë. Ǒdo gjë vihet në dyshim. Por, mesa duket, është vetë procesi i tillë. Si puna e besimit (fesë), edhe shenjtit më të flaktë dyshonin Zotin. Të paktën më leverdis të ngushëlloj veten kështu.

Thuhet që një fëmijë të zbut ndjenjat. Keni filluar ta ndieni këtë?

S‘më duket se më ka ndryshuar kushedi se çfarë. Ndoshta isha mjaft e butë dhe s‘kishte përse të zbutesha më shumë? Bëj shaka. Diçka ka ndryshuar. Shikoj me kureshtje fëmijët e tjerë, i duroj pak më shumë (më parë nuk i duroja fare) dhe kam lënë pak mënjanë macen time të adhuruar, që deri në ardhjen e bebes ishte në majën e Olimpit dhe bënte ligjin në shtëpi.

Gjithmonë e më shumë flitet për Ornelën si shkrimtare. Çfarë ka ndodhur me pikturën dhe fotografinë?

Vazhdoj të ekspozoj. Kam një galeri zvicerane, "Analix Forever", e cila paraqet punët e mia. Sapo mora pjesë në Panairin e Artit në Bolonjë. Por është e vërtetë që i kam kushtuar më shumë kohë shkrimit. Ndoshta për faktin që ajo që ndodh sot në artin bashkëkohor nuk më pëlqen shumë. Më duket se ka shumë abuzime dhe spekulime. Nganjëherë them nëse ky është arti (sot) e pra unë nuk jam artiste.

Çfarë ju ngacmon kur fotografoni?

Është një proces iracional, i vështirë për ta nxjerrë në dritë me fjalë. Është si një tërheqje qorrazi ndaj diçkaje (e ngjashme pak me dashurinë, e di përse e do dikë por jo ç‘do gjë mund ta sjellësh në fjalë. Mbeten plot dimensione të cilat i përkasin magmës së thellë brenda njeriut).

Imazhet, ndodh më vonë të kthehen në një subjekt për letërsinë?

Nuk më duket. Edhe pse ndoshta kjo që them nuk ka shumë vlerë sepse është e vështirë të shohësh vetveten. Më duket se bëj gjëra të ndryshme në foto dhe pikturë. Jam e motivuar nga të tjera arsye e dëshira kur shkruaj. Ndoshta duhet të ketë njëfarë ngjashmërie, meqë unë jam po ai person, d.m.th burimi i këtij prodhimi.

Nuk ju tremb eksperimentimi?

Nuk më tremb fare, por nuk më pëlqen si arritje. Nuk do të doja të kisha p.sh një libër ose diçka tjetër eksperimentale. Eksperimenti, sipas mendimit tim, është një rrugë e re që duhet të çojë (duhet të më çojë) diku ku unë dua. Në momentin që e sjell një vepër kudo me ndërgjegje të plotë, më duket se eksperimenti merr fund, ose më mirë të them e ka kryer "funksionin" e tij.

Mes këtyre pasioneve, nëse do t‘ju duhej që një ditë të zgjidhnit vetëm njërin, cili do të ishte?

Oh, më duket gjithmonë e më e qartë që është shkrimi. Ndonëse piktura është ende aty mbrapa derës dhe nuk më lë të qetë. Por më duket, me kalimin e kohës, duhet ta lë të ikë.

"Vendi ku nuk vdiset kurrë", ndoshta ishte një çlirim nga e shkuara. Keni ende për të shkruar apo për të reflektuar mbi të?

Nuk e di nëse ishte apo është një çlirim nga e kaluara. Unë nuk e kam përdorur asnjëherë shkrimin ose forma të tjera të krijimit për t‘u çliruar. Kam një ide shumë më të lartë për procesin e krijimit: për mua është një terren takimi me njeriun në formën më të bukur që mundem. Pastaj pse të çlirohem nga e kaluara? Më ka bërë këtë që jam sot. E pranoj dhe vazhdoj jetën me këtë dimension brenda vetes.

Ju shkruani në italisht dhe jeni përkthyer në shumë gjuhë të tjera. Si është të mendoni në një gjuhë, e të shkruani në një gjuhë tjetër?

Nuk më krijon vështirësi të mendoj ose të shkruaj në një gjuhë të huaj. Njoh kolegë për të cilët është e pamundur kjo. Mund të të them që jam gjithmonë unë, në çfarëdo gjuhë që shkruaj apo mendoj. Kjo është për mua gjëja thelbësore. Një gjuhë e huaj është një mjet pune. Asgjë më tepër se kaq. Fakti që shkruaj italisht apo frëngjisht nuk bën që të jem italiane apo franceze, ndjehem thellësisht shqiptare dhe do vdes e tillë. Por për mua, mbi të gjitha këto nocione të kombit, gjuhës apo të tjera, qëndron të qenurit njeri në kuptimin më të thellë të fjalës.

Ke menduar që të shkruash në shqip, i ka ardhur koha?

Nuk e kam mbyllur kurrë atë derë. Por ndoshta duhet të jetoja në Shqipëri për t‘ju kthyer shqipes... Nuk e di. Kjo s‘do të thotë që e kam harruar shqipen, por vendi dhe gjuha në të cilën zhvillohet jeta, ndikon mjaft për mua. Është e vërtetë që jetoj në Francë prej 12 vjetësh dhe mund të shkruaj frëngjisht po aq mirë sa italisht, por ndoshta jam akoma me italishten, sepse në shtëpi flitet italisht (im shoq është italian). Ndoshta gjuha e ndjenjave ka vendosur mënjanë gjuhët e tjera për momentin. Mund të bëhet një libër i tërë mbi psenë e një gjuhe të huaj.

Po një takim me lexuesin shqiptar? Ju tremb paragjykimi?

Jo, nuk më tremb fare. Përse të më trembë? Nëse ka një gjë që më tremb në këtë botë është vetja ime. Besoj se me librin e parë, duke e treguar Shqipërinë siç ishte, siç e kam jetuar, nuk jam në faj ndaj Shqipërisë. Përkundrazi, për mua është një formë dashurie e vërteta.

Në intervistat tuaja duket sikur ka një "mllef" për kohën e kaluar në Shqipëri. Ndaj kujt?

Nganjëherë intervistat e mia nuk janë publikuar duke ruajtur saktësinë e përmbajtjes mbi temën që kam folur dhe më ka ardhur shumë keq. Për mua, si edhe për shumë të tjerë, (ndryshe shqiptarët s‘do kishin mërguar në katër anët e botës), Shqipëria nuk ka qenë një vend i lehtë dhe e kam vuajtur. Por nuk kam asnjë mllef. Përkundrazi, libri im është gjithë humor! Pastaj, çdo më hynte në punë mllefi?

Sa i ndjek zhvillimet e sotme në Shqipëri: në shoqëri, letërsi dhe artin në përgjithësi?

I ndjek në të njëjtën masë siç ndjek Italinë, Francën, ose botën në përgjithësi. I ndjek me kureshtje dhe dashurinë që kam për njeriun.

Ndiheni e qetë me veten?

Po të isha e qetë me veten do të isha një Buda sot. Qetësinë mundohem ta gjej duke u përpjekur që ta pranoj jetën për atë që është. Nganjëherë është e vështirë.

Cilat janë projektet tuaja më të afërta?

Pikërisht fraza me të cilën u përgjigja lart: të pranoj jetën për atë që është.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›