E Diel, 1 Nëntor 2026

Në qershor premtohet furnizimi me pajisje të reja për spitalet

Projekti Aparatura “luksi” në spitalin “Nënë Tereza”, qendrën universitare të Tiranës dhe spitalet rajonale

Radha që pacientët mbajnë në dymbëdhjetë muajt e vitit do të shkurtohet për pak kohë. Madje një pjesë e të sëmurëve që vijnë nga rrethet, të cilët mbajnë edhe radhë për të marrë kujdes spitalor e shërbim shëndetësor, do të kenë disa mundësi për t’u kuruar.

Në qershor, pritet të ndodhin dy gëzime brenda një muaji, dy përurime tejet të rëndësishme, në planet e shëndetësisë - shtimi i shërbimeve dhe aparaturave diagnostikuese parashikon “stimulim” edhe për spitalet e tjera rajonale. Në Durrës është parashikuar ngritja e një shërbimi onkologjik. I vetmi shërbim i tillë, ku trajtohen pacientë nga i gjithë vendi, aktualisht ndodhet në kryeqytet. Ashtu siç është deklaruar edhe nga ministri i Shëndetësisë, në një nga vizitat e tij në spitalin e Durrësit, në spitalin e këtij qyteti mendohet se do të ngrihet një shërbim i tillë, për pasojë qendra do të pajiset edhe me aparaturat e nevojshme për kryerjen e trajtimeve onkologjike. Skaneri dhe rezonanca magnetike mendohet se do të instalohen në dy qytete të tjera, në Elbasan, si dhe në spitalin e Shkodrës.

Pajisjet

Por lista e aparaturave aq të kërkuara nga pacientët, të cilët shpeshherë janë të detyruar t’i kryejnë ekzaminimet në qendrat private, për shkak të mungesave materiale që vendosin pajisjet në punë, apo për efekt të radhës së gjatë, do të shtohet, dhe jo vetëm në kryeqytet. Për këtë vit, ndër spitalet që mendohet se do të instalohen pajisje, do të jetë edhe qendra e Fierit. Sakaq, “qershia” mbi tortë do të jetë investimi për qendrat e kryeqytetit. Disa herë është thënë se do të ketë blerje të një tjetër pajisjeje si koronarografia. Pas shumë vitesh, mendohet se një pajisje e tillë do të instalohet në qendrën spitalore rajonale të Tiranës, përkatësisht në spitalin e sëmundjeve të mushkërive, “Shefqet Ndroqi”, i cili do të marrë në qershor të gjitha “kompetencat” e një spitali rajonal për kryeqytetin. Skaner, rezonancë, shintigrafi, laboratorë do të ofrohen si shërbime në godinën e re brenda qendrës “Nënë Tereza”. Blerjet për masterplanin Pajisjet mjekësore për këtë fazë, për masteplanin e QSUT-së janë prokuruar, me buxhetin e shtetit, me fond prej 8 milionë eurosh.

Tashmë janë në procesin e ardhjes dhe instalimit të tyre. Parashikimi për këtë fazë është që në muajin qershor të fillojë nga funksionimi. Krahas pjesës që siguron funksione spitalore është dhe pjesa tjetër, qoftë impianti i gazit apo furnizimi me ujë. Në katër katet e masterplanit do të vendosen sterilizimi qendror, departamenti i imazherisë dhe diagnostika funksionale, të cilat do të mbulojnë të gjitha nevojat e spitalit. Në këtë godinë do të vendoset departamenti i urgjencës me 18 shtretër, gjysmë intensive dhe për observim. Në këtë shërbim do të ketë 30 shtretër kirurgji e përgjithshme dhe 30 shtretër të mjekësisë interne. Në godinë janë parashikuar laboratorët dhe 15 shtretër reanimacioni, hematologjia, sallat e operacionit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›