E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-roja: Gërdeci u ngrit para VKM-së

 Gjykata e Tiranës ka administruar nga dëshmitë më të rëndësishme të prokurorisë, në procesin me 29 të pandehur, të akuzuar si përgjegjës për shpërthimin e 15 marsit 2008 në Gërdec. Beqir Prini, ish-punonjës në fabrikën e demontimit, ka dëshmuar në seancën e pak ditëve më parë se ishte punësuar në Gërdec që më 1 shkurt të vitit 2007, në një kohë që ligjërisht, Gërdeci nuk ishte përcaktuar ende si një vend i demontimit të municioneve ushtarake. Sipas dëshmitarit, drejtuesit e mëvonshëm të fabrikës ishin parë të përgatisnin terrenin që në muajin e dytë të vitit 2007, kur Ministria e Mbrojtjes dhe Qeveria ende nuk kishin marrë një vendim.DESHMITARIReferuar dëshmisë së dëshmitarit Beqir Prini, ish-roje në fabrikën e Gërdecit, përgatitja e territorit ku më vonë u ndërtua punishtja e demontimit të municioneve të Gërdecit, kishte filluar disa muaj para se Ministria e Mbrojtjes të përzgjidhte kompaninë amerikane “SAC” dhe shoqërinë e kontraktuar “Albademil”, për procedurat e shitjeve të materialeve ushtarake në Gërdec. “Unë kam filluar të punoj si roje në muajin shkurt të vitit 2007”, mësohet të ketë thënë dëshmitari para togave të zeza. Sipas dëshmisë së dhënë prej tij në gjykatë, ai ka pohuar se kishte parë Mihal Delijorgjin, Dritan Minxollit dhe persona të tjerë të merreshin me sistemimin e ambienteve të Gërdecit që në këtë kohë. Përpjekjet ligjore për të krijuar fabrikë të demontimit të municioneve të vjetëruara ushtarake nisën në mars të vitit 2007. Në datën 14 mars 2007, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin nr. 138, “Për procedurat e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi”. Ky vendim rregullonte procedurat e trajtimit të armëve të hequra nga armatimi dhe përdorimi, si edhe procedurën e klasifikimit të tyre në lidhje me destinacionin e tyre përfundimtar. Ndërkohë që, projektvendimi në fjalë kishte mbërritur edhe njëherë më parë në Qeveri në shkurt të 2007-ës, por ishte kthyer si i papërputhur në ligj.SHTYRJA E GJYQITSeanca e djeshme e dosjes “Gërdeci” është shtyrë për shkak të mungesës së avokatëve. Mosprania e tyre dështoi edhe pyetjen e 10 dëshmitarëve që ishin prezentë në gjykatë. Në kushtet e mungesës së mbrojtësve, kryesuesi i seancës, gjyqtari Ridvan Hado, vendosi shtyrjen e seancës për të premten e ardhshme. Për datën e seancës së ardhshme, gjyqtari mori parasysh kërkesën e Kreut të Dhomës së Avokatisë, Maksi Haxhia, njëkohësisht një prej mbrojtësve në proces, se ardhja në proces ditën e hënë ishte e pamundur për disa avokatë, për shkak të një angazhimi jashtë vendit. Gjithashtu nga avokatët u pretendua dje se zhvillimi i seancave të Gërdecit dy ditë në javë, të hënë dhe të premte, po bëhej pengesë për procese të tjera gjyqësore në të cilat ata janë të angazhuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›