“Jam dënuar shumë”, qep gojën në qeli vrasësi i dy personave
FUSHë-KRUJë – Pretendonte prej kohësh se ishte dënuar pafajësish dhe se nuk e kishte dëgjuar askush në sistemin e drejtësisë. Pasi pak kohë më parë i ishte refuzuar edhe ankimi në Kushtetuese, 32-vjeçari Fatmir Ahmetaj ka vendosur të qepë gojën me gjilpërë dhe fillispanjë. Paraditen e djeshme, 32-vjeçari nga Laçi i dënuar me 22 vjet burg për dy vrasje dhe një plagosje të rëndë, pasi ka pretenduar se ishte dënuar pafajësisht, ndërsa ndodhej në qeli ka nisur të qepte me gjilpërë dhe fillispanjë gojën duke pretenduar se nuk ishte dëgjuar nga askush. Pasi është shpuar në pjesën e buzëve me gjilpërë kanë ndërhyrë bashkëvuajtësit e tij dhe efektivët e sigurisë të burgut, të cilët pasi i kanë hequr gjilpërën nga duart e kanë dërguar për mjekime në ambulancën e burgut. Duke parë gjendjen e tij të rëndë shëndetësore, kryesisht rëndimin e shëndetit mendor të të dënuarit, autoritetet e burgut kanë urdhëruar transferimin e tij në Spitalin e Burgjeve në kryeqytet, ku i është nënshtruar mjekimeve intensive nga stafi mjekësor i spitalit. Burime nga burgu i Fushë-Krujës pohuan se 32-vjeçari Ahmetaj ndodhej në këtë institucion prej katër vjetësh, ndërsa ishte arrestuar në vitin 2001 në qytetin e Laçit, ku ishte dënuar për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e një të treti. Gjykatat e kanë gjetur fajtor për vrasje me dashje dhe e kanë dënuar me 22 vjet nga bashkimi i dënimeve. Pas kësaj, ai ishte dërguar në qeli për të vuajtur dënimin, derisa 4 vite më parë ishte dërguar në qelitë e Fushë Krujës, që nga momenti kur ky burg ka nisur të funksiononte. Prej shumë kohësh, ky i burgosur, duke pretenduar se ishte dënuar më tepër se maksimumi i dënimit, kishte paralajmëruar grevë urie dhe protesta në forma të ndryshme. Sipas tyre, ai kishte dërguar letra në shumë institucione shtetërore dhe gjykata, ku kishte marrë përgjigje negative. Në janar të vitit 2008, Gjykata e Lartë i kishte refuzuar rekursin këtij të burgosuri, ndërsa pak kohë më parë në të njëjtën mënyrë kishte vepruar edhe Gjykata Kushtetuese, si hallka e fundit e gjyqësorit në Shqipëri. Po kështu, sipas burimeve nga burgu, ai kishte pasur edhe probleme të shumta me familjarët e tij, të cilët ishin grindur disa herë me të në kohën që shkonin ta takonin atë. Ndërsa gjatë vuajtjes së dënimit, ai nuk ka pasur probleme me bashkëvuajtësit. fa.ma.