Ora e Debatit:Zgjedhjet në PD për Tiranën

Partia më e madhe e maxhorances dhe procesi zgjedhor brenda saj ka qenë debati që ka sjellë gazetari Alfred Peza. Me një perballje mes kandidateve për postin e kreut të PD-së së Tiranës dhe dy analistëve te njohur, në fakt emisioni "Ora e Debatit" ka sjellë një imazh të plotë të asaj çka ndodh në qeverinë edhe partinë që drejton shqiptaret prej më shumë se tre vitesh. Ndërkaq edhe pse zgjedhja e kreut të PD-së së Tiranës është ende larg, debatet për kontributet reale në parti të kandidave për këtë post nuk janë të vogla. Besnik Mustafaj, Edi Paloka, Lajla Përnaska dhe Gjergj Bojaxhi edhe pse kanë mbrojtur se gara brenda partisë është një garë reale , kanë njohur rolin dhe autoritetin e liderit Sali berisha , mbështetja e të cilit do të bëjë edhe diferencën. Për herë të parë gara brenda PD-së, për një post sicc është kreu i PD-së në Tiranë bëhet kaq mediatike dhe ka kaq shumë kandidate të cilët në mënyrën e tyre përfaqesojnë vlera të kësaj partie. Besnik Mustafaj deklaroi se kandidon për kryetarin e PD-së për Tiranën pasi ka ndërtuar një karrierë që ka të bëjë me marrëdhëniet me jashtë dhe asnjëherë nuk është provuar përtej kësaj hapësire ndaj duhet ta provonte këtë sfidë. "Mendoj se kam profilin e duhur për të drejtuar PD-në, u shpreh ai. Mustafaj theksoi se ai ka një platformë për të drejtuar PD-në e Tiranës dhe si pikën më të rëndësishme të kësaj platforme ai veçoi sigurimin e ekuilibrit mes brezave në këtë parti. "Një pjesë e anëtarëve të PD-së janë të zemëruar sepse nuk ndihen pjesë e PD-së, ndihen të shpërfillur", tha Mustafaj.Gjergj Bojaxhi aktualishit drejtori i KESH-it deklaroi se kandidon për kryetarin e PD-së për Tiranën pasi ka kritere politike që të jetë pjesë e kandidatëve. Ai shtoi se nëse do fitonte këtë garë do vlerësonte kontributin e padiskuteshëm të Berishës në fitoren e tij. Bojaxhi u shpreh se do donte që në listën e PD-së si kandidat për Tiranën të kishte persona që plotësojnë kriteret. "Nuk po garoj për të qenë më vonë pjesë e kandidatëve për deputetë në PD, por gjykoj se me energjitë që kam mund ta vitalizoj degën e PD-së. Mendoj se parlamenti është më shumë për pensionistët. Ofroj profesionalizëm dhe itegritet, unë do punoj në PD dhe nuk do vjedh", theksoi Bojaxhi. "Karriera ime politika ka më shumë se një dekadë që ka nisur dhe mendoj se kam dhënë një kontrubut për PD-në. Brenda angazhimit që kam pasur në PD dhe në sajë të karrierrës kam gadishmërinë për të qenë kryetare e PD-së për Tiranë", u shpreh Lajla Përnaska. Sipas saj ka nevojë për një rifreskim të të gjithë PD-së së Tiranës. Përnaska deklaroi se PD-ja është partia e parë që ka sjellë një garë reale dhe me standarde dhe gara ka kohë që ka fillluar. Deputetja e PD-së theksoi se ishin anëtarët e PD-së që e shtynë dhe e mbështetën për të garuar, pasi u bënë shumë vjet që ajo është pranë kësaj partie duke dhënë kontributin e saj. Edi Paloka deklaroi se jeta e tij është e lidhur me PD-në dhe është një nga njohësit e mirë jo vetëm të PD-së në përgjithësi, por edhe të Tiranës në veçanti, duke njohur të gjithë anëtarësinë e kryeqytetit. "Mendoj se mund të garoj dhe ta çoj PD-në e Tiranës drejt fitores", u shpreh ai. Dy nga pikat e platformës së Palokës janë ristrukturimi i PD-së së Tiranës dhe angazhimi i sa më shumë njerëzve brenda kësaj strukture. Paloka u shpreh i sigurt që do jetë në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme. Sipas deputetit të PD-së kandidati Mustafaj për shkak se ka qenë i angazhuar me diplomacinë është i shkëputur nga strukturat e partisë. Ndërsa për kandidaturën e Gjergj Bojaxhi, Paloka tha se "Gjergj Bojaxhi ka punuar mirë në administartën shtetërore, por për Gjergjin është herët për të kandiduar sepse zgjedhjet parlamentare janë shumë afër dhe ai do ishte një kandidat jo i suksesshëm për PD-në".