Qeveria Shqiptare kërkon 300 milionë euro borxh jashtë
Qeveria Shqiptare tenton sërish që të marrë borxh nga jashtë, pas dështimit të një viti më parë në rastin e rrugës Durrës-Kukës
Pas një viti të vështirë për financat publike në vend, qeveria ka nxjerrë në shitje 300 milionë euro borxh jashtë vendit, duke kërkuar në këtë mënyrë, që të lejojë sistemin bankar që të ketë aftësi likuidet për ekonominë. Lajmërimi është bërë nga ana e Ministrisë së Financave, e cila bën të ditur gjithashtu edhe termat që kërkohet kjo kredi. Kështu, sipas njoftimit, kredia kërkohet që të jetë në monedhën europiane dhe shumë është rreth 300 milionë euro. Koha e maturimit për kredi kërkohet që të jetë 2-5 vjet. Kërkesa për të shitur eurobonde në tregun e huaj është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave dhe ofertat nga ana e institucioneve ndërkombëtare pritet që të jenë të pranueshme deri në datën 5 shkurt të këtij viti.
***
Kërkesa e bërë nga ana e Shqipërisë për shitjen e eurobondeve nuk është e vetmja nga vendet e ndryshme në kushtet e një krize globale, e cila për hartën e lindjes duket se do të jetë më e fortë gjatë vitit 2010. Duke qenë një dalje në tregun ndërkombëtar, kërkesa për borxh e Qeverisë Shqiptare ka zënë faqet e mediave më të rëndësishme të fushës ekonomike në botë. Kështu, prestigjiozja “Business Week” në faqet e saj ka bërë publike ofertën e Qeverisë Shqiptare, ndërsa me anë të një panorame ka dhënë edhe situatën në tregun ndërkombëtar për sistemet e vendeve të ndryshme që kërkojnë likuiditet. Ndër vendet që “Business Week” liston që janë duke marrë borxh, përfshihen Filipinet, Meksiko, Polonia, Turqia, Indonezia dhe Sllovenia. Këto vende kanë shitur sipas kësaj gazete, më shumë se 13 miliardë eurobonde nga borxhi i tyre publik i këtij viti. Sipas “Business Week”, kostoja e borxhit për vendet në zhvillim ka qenë në nivelin më të ulët të 19 muajve të fundit gjatë javës së kaluar, për shkak të kërkesës së ulët që vjen nga kriza e thellë ekonomike që ka përfshirë rajonin.
***
“Do të ishte e pamundur që Shqipëria të shiste eurobonde 12 muaj ose 6 muaj më parë,”- thotë Nigel Rendell, një specialist i tregjeve në zhvillim në “RBC Kapital Market” në Londër . “Njerëzit janë tani më pozitivë në lidhje me zhvillimet në botë. Shqipëria mundet që të shesë tashmë borxhin e saj me një interes atraktiv krahasuar me më parë”. Referuar të dhënave nga prestigjiozja “Business Week”, Shqipëria mori një kredi 95 milionë euro në maj dhe vitin e kaluar dhe një kredi 225 milionë euro që ristrukturohet në vitin 2025, sipas të dhënave të “Bllomberg”. Sipas të dhënave të bëra publike nga “Bloomber”, borxhi i Qeverisë Shqiptare është dy herë më i shtrenjtë se ai që merret në vendet e zhvilluara. Shqipëria pritet që me 300 milionët e marra borxh këtë vit të shlyejë kredinë prej 200 milionë eurosh që u mor për rrugën Durrës-Kukës. Gjatë vitit 2010, sipas FMN-së, ekonomia e Shqipërisë pritet që të rritet me 2.2 për qind, ndërsa në vitin 2009 rritja ishte vetëm 0.7 për qind.
***
Sllovenia shiti 1.5 miliardë eurobonde me një jetëgjatësi 10-vjeçare, ku norma e yeldit ishte 4.125 për qind, ose 89.3 pikë përqindje më shumë se i njëjti borxh që ka marrë qeveria gjermane, referuar të dhënave që janë bërë publike nga “Bloomberg”. Vietnami ka nisur një strategji marketingu, duke shitur të parat eurobonde në historinë e tij në janar të këtij viti. Rumania mund të shesë 1 miliard euro borxh jashtë vendit në tremujorin e parë të këtij viti, dhe më shumë akoma në pjesën tjetër të vitit 2010 ka bërë të ditur kryeministri i këtij vendi.
Vietnami dhe Sllovenia
Sllovenia shiti 1.5 miliardë eurobonde me një jetëgjatësi 10 vjeçare ku norma e yeldit ishte 4.125 për qind, ose 89.3 pikë përqindje më shumë se i njëjti borxh që ka marrë qeveria gjermane, referuar të dhënave që janë bërë publike nga “Bloomberg”. Vietnami ka nisur një strategji marketingu, duke shitur të parat eurobonde në historinë e tij në janar të këtij viti. Rumania mund të shesë 1 miliardë euro borxh jashtë vendit në tremujorin e parë të këtij viti, dhe më shumë akoma në pjesën tjetër të vitit 2010 ka bërë të ditur kryeministri i këtij vendi.
Borxhi i qeverisë, interesat rekord mbizotërojnë në tregun vendas
Kriza e interesave rekord të borxhit qeveritar vazhdon që të bëjë presion për mbajtjen e frenuar të kreditit, i cili tashmë është në një ngërç prej një viti, duke tkurrur aktivitetin e biznesit
Interesat rekord me të cilat qeveria vazhdon të marrë borxh në tregun e brendshëm valutor, bëjnë presion në mënyrë direkte, që kreditë për sipërmarrjen dhe individët të mbeten tejet të shtrenjta. Një situatë e tillë, ku bankat shfrytëzojnë edhe faktorët që lidhen me konkurrencën në këtë treg, vazhdon që të jetë e pranishme gjatë gjithë vitit 2009, por edhe në ankandin e parë të vitit 2010. Në ankandin e radhës të zhvilluar vetëm një javë më parë, bonot e thesarit me afat maturimi njëvjeçar janë blerë nga bankat e nivelit të dytë me një interes mesatar prej 9.0 përqindësh. Duhet theksuar se ky është një interes, i cili paguhet që në momentin e blerjes së bonos nga ana e bankave në këtë rast, dhe në këto kushte është më i lartë nëse krahasohet me interesin e një depozite që maturohet në fund të periudhës. Edhe diferenca midis interesave maksimale dhe minimale në këtë ankand nuk ka një ndryshim të madh, duke treguar se në treg nuk ka një “etje” për të blerë këto letra me vlerë, që afrojnë një interes shumë fitimprurës, nëse krahasohen me borxhin që emetojnë vende të tjera. Edhe interesat për afatet e tjera të maturimit të borxhit qeveritar kanë një ankorim rreth këtyre nivele që paraqitet borxhi me afat njëvjeçar. Kështu, në ankandin e një jave më parë të realizuar nga BSH, bonot me afat tremujor janë shitur me një interes mesatar të ponderuar prej 7.48 përqindësh. Ky interes mbetet i lartë, edhe nëse e krahasojmë me nivelin e interesit të depozitave që ofrojnë një pjesë e madhe e bankave të nivelit të dytë për një afat njëvjeçar.
***
Pjesën dërmuese të borxhit të qeverisë e blejnë bankat e nivelit të dytë në vend dhe një pjesë të madhe të tij e blen Banka e Shqipërisë, që mbetet një nga rregullatorët e fortë, duke ruajtur një normalitet, që në këtë situatë të tronditjes së tregjeve nuk duket edhe shumë fitimprurës. Në radhë të parë, qeveria është duke e paguar shtrenjtë paranë që merr borxh në tregun vendas dhe një situatë e tillë ndikon edhe si nivel imagjinar dysheme për normat e interesit që aplikohen për bankat e nivelit të dytë. Llogaria që bëjnë bankierët është e thjeshtë.
Pasojat
Nëse bonot blihen me një interes mesatar vjetor prej 9.0 përqindësh, atëherë një biznes mund ta marrë një kredi, duke i shtuar kësaj rente një 4 përqindësh. Kjo normë interesi po zbatohet aktualisht për kreditë në lekë që vlerësohen si të mbuluara me kolateral dhe me të ardhura të mjaftueshme nga ana e klientit të bankës. Këtu përfshihen një pjesë e madhe e kredive për strehim dhe të atyre për investime. Ndërsa kredia për konsum, e cila është parë në këto vitet e fundit si një mjet i mirë për të plotësuar disa nevoja të familjeve shqiptare, ka një interes që nis nga 18 për qind, por edhe në këtë rast miratimi i një aplikimi nga ana e një banke mbetet një proces disi i vështirë.