E Diel, 1 Nëntor 2026

AMF: Tregu i sigurimeve nuk u prek nga kriza financiare në vitin 2009

 
Të ardhurat nga primet e sigurimeve për 11-mujorin e parë të vitit 2009 kanë arritur në rreth 52 milionë dollarë, duke shënuar një rritje me më shumë se 9.4 për qind krahasuar me një vit më parë
 
Kriza financiare që përfshiu mbarë globin, duke mos përjashtuar as vendet e rajonit, nuk ka pasur ndikime të dukshme në tregun e sigurimeve, madje mund të thuhet se kompanitë e sigurimeve në Shqipëri kanë përjetuar një rritje të shpejtë. AMF ka bërë të ditur në analizën e saj të 11-mujorit 2009, se tregu i sigurimeve nuk ka pasur ndikime të ndjeshme nga situata e tregjeve financiare ndërkombëtare, me të cilën po përballen një pjesë e vendeve europiane. Monitorimet dhe analizat e kryera nga AMF tregojnë për një treg të qëndrueshëm dhe me kapacitet për të mirëpritur rritje edhe më të madhe në periudhat në vazhdim.
Situata financiare
Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, 11-mujori i vitit 2009 rezultoi i suksesshëm për sektorin e sigurimeve në Shqipëri, duke reflektuar rritje në të ardhurat e shoqërive të sigurimit dhe tregut në tërësi. Të ardhurat nga primet e sigurimit arritën rreth 7.152 milionë lekë, ose 9.43 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në periudhën janar-shtator 2009, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 692,941, duke shënuar një rritje prej rreth 10.30 përqindësh krahasuar me janar-nëntor 2008. Rritja e primeve ka qenë në harmoni me rritjen e numrit të kontratave të sigurimit, gjë që përforcon qëndrueshmërinë e tendencës së zhvillimit. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar te sigurimet e Jo-Jetës, që sollën rreth 90.93 për qind të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 9.07 për qind. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit të detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 46.31 për qind dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 53.69 për qind të totalit të tregut. Rritja e ndjeshme e volumit të primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar ka ndikuar në ndryshimin e strukturës së tregut, në favor të sigurimeve vullnetare.
INSIG humb 2.4 milionë USD
Pas tërheqjes nga privatizimi i kompanisë INSIG nga amerikanët e “American Reserve Insurations”, duket se gjërat në këtë ndërmarrje, tashmë tërësisht shtetërore, nuk duket se po shkojnë dhe aq mirë. Bazuar në raportin janar-tetor të vitit 2009, INSIG-u ka pësuar një humbje në tregun e sigurimit të Jo-Jetës prej 23.82 përqindësh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Nëse këtë ulje të pjesës së tregut në përqindje do ta përkthenim në vlerë monetare, atëherë kompania e sigurimeve shtetërore, dikur gjigandi i industrisë së sigurimeve, llogaritet që të ketë humbur vetëm në këtë periudhë në sigurimin e Jo-Jetës 2.4 milionë dollarë. INSIG me këto të ardhura të realizuara nga primet për periudhën janar-tetor llogaritet që të ketë një pjesë tregu në sigurimin e Jo-Jetës prej 11.57 përqindësh, duke qenë në vendin e tretë në këtë produkt dhe afër pjesë së tregut që zotëron ndërmarrja “Interalbanian Sh.a”, me 11.36 për qind. Nëse i referohemi këtij produkti, atëherë shihet se INSIG është e vetmja ndërmarrja që ka pësuar një humbje kaq të konsiderueshme (-23.82) për periudhën janar-tetor, ndërsa kompanitë e tjera përgjithësisht kanë realizuar fitime në rritje.   
 
 
Box
Sigurimi vullnetar
Në harkun kohor të pak viteve, tregu i sigurimeve gjendet me një strukturë të përmirësuar në favor të sigurimeve vullnetare, që në 11-mujorin 2009 sollën 46.31 për qind të primeve të sigurimit. Primet e sigurimit vullnetar arritën vlerën rreth 3,311 milionë lekë, ose 15.03 për qind më shumë se në 11-mujorin e vitit 2008. Kjo rritje u shoqërua edhe me 38.87 për qind rritje të numrit të kontratave të sigurimit vullnetar, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
 
 
Qeveria, zbardhet leja për interkonjeksionin e “Enel” nga Porto Romano
Qeveria ka zbardhur lejen për ndërtimin dhe shfrytëzimin e lejes për ndërtimin e interkonjeksionit në linjën e rrymës së vazhduar Porto Romano-Bari, Itali. Qeveria Shqiptare miratoi këtë leje për ndërtimin dhe shfrytëzimin e linjës të interkonjeksionit energjetik Shqipëri-Itali, për llogari të kompanisë italiane “Enel”. “Enel Produzione” ka regjistruar në Shqipëri një filial me kapital fillestar të konsiderueshëm dhe ka në plan të ndërtojë një termocentral qymyri në zonën e Porto Romanos. Për ta ndërtuar këtë termocentral ka nevojë për një linjë interkonjeksioni me Italinë, ku do të eksportohet një pjesë e energjisë së prodhuar. Qeveria Shqiptare i pati dhënë fillimisht lejen “Enel”-it në tetor të vitit 2008, por kjo leje sanksiononte se punimet e ndërtimit duhej të fillonin brenda 12 muajsh. Afati kaloi dhe punimet nuk filluan. Për këtë arsye, qeveria miratoi shfuqizimin e lejes së mëparshme dhe miratimin e një lejeje të re. Qeveria Shqiptare ka dhënë deri tani disa leje për ndërtimin e linjave të interkonjeksionit energjetik mes Shqipërisë dhe Italisë dhe në disa raste i ka prezantuar këto leje si investime të stërmëdha. Por për asnjë nga këto linja nuk kanë filluar punimet konkrete. Në rast se realizohet një linjë e tillë, koncesion-marrësi do të ketë detyrimin të vendosë në dispozicion të Operatorit të Sistemit të Transmetimit 20 për qind të kapacitetit të linjës pa pagesë, ose t’i japë OST-së 20 për qind të fitimeve.
***
Linja e transmetimit është parashikuar që të jetë në funksion të TEC-it të Porto Romanos. TEC-i është planifikuar që të jetë më i fuqishëm se ai që do të ndërtohet në qytetin e Vlorës. Por ndryshe nga ky i fundit, TEC-i i Durrësit mendohet që të punojë me qymyrguri, pasi në këtë mënyrë kostoja e prodhimit të energjisë elektrike do të jetë më e ulët sesa prodhimi e saj me naftë. Sipas burimeve, vlera e ndërtimit të këtij TEC-i është parashikuar të jetë rreth 140 milionë euro, të cilat do të sigurohen nga qeveria shqiptare. Koha e ndërtimit të tij do të jetë dy vjet që nga dita e nisjes së punimeve. Sipas planit të qeverisë, TEC-i i Porto Romanos duhet të hyjë në prodhim në vitin 2010. Drejtuesit teknikë të firmës “Romano Port” janë shprehur se projekti për TEC-in thuajse është i përfunduar dhe parashikohet që brenda dy muajve të ardhshëm do të kryhen procedurat e miratimit të tij, si dhe do të nisin procedurat e tenderimit. Që prej 3 vitesh, rreth 20 hektarë tokë në Porto Romano, si dhe një pjesë e detit aty pranë i janë dhënë me koncesion një subjekti privat, “Romano Port”, nga ana e qeverisë, me qëllim ndërtimin e një pellgu energjetik. Deri më tani, në Porto Romano janë ngritur një numër i madh rezervuarësh karburanti dhe gazi të lëngshëm, si dhe ka përfunduar së ndërtuari kalata e anijeve të naftës, si dhe godina e doganës në funksion të portit të karburanteve. Pritet që kjo zonë, si dhe porti të nisin nga puna me kapacitet të plotë. Pikërisht në këtë zonë energjetike është parashikuar edhe ngritja e TEC-it, i cili parashikohet të zgjidhë një herë e mirë problemin e furnizimit me energji elektrike jo vetëm për qytetin e Durrësit, por edhe gjithë fshatrat përreth tij.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›