Bllokimi i “Gërdecit” çon KLD-në në Gjykatën e Tiranës
TIRANË - Shtyrja e pafund e procesit të Gërdecit dhe rasti i gjykimit të djalit të deputetes së PS-së për plagosje me armë, ka çuar mëngjesin e djeshëm në Gjykatën e Tiranës inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Një inspektor i KLD-së ka mbërritur në Gjykatën e Tiranës për të verifikuar arsyet e shtyrjes së procesit të bujshëm për tragjedinë e rëndë të 15 marsit. Inspektori do të vëzhgojë deri ku ka arritur procesi dhe arsyet e mungesës së avokateve. Por, sipas përfaqësuesve të prokurorisë, mungesa e avokatëve në seanca është e qëllimshme për të sjellë dështimin e procesit. KLD-ja deklaroi se në fokus do të jetë dhe çështja "Dabulla", pasi prokurori i çështjes ka kërkuar 20 ditë burgim për Dabullën, pas akuzës për plagosje të nipit të Adil Çarçanit, Endri Lufi. Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë me arrest shtëpie për Besnik Dabullën, djalin e deputetes Arta Dade. Por, avokati mbrojtës i Dabullës i ka paraqitur gjykatës një deklaratë të të plagosurit që pohonte se ngjarja kishte ndodhur pa dashje, pasi ai ka marrëdhënie të mira shoqërorë me Dabullën.
Hetimi
Reagimi i KDL-së vjen menjëherë pas letrës që Gjykata e Tiranës i dërgoi Dhomës Kombëtare të Avokatisë, ku kërkohet marrja e masave ndaj avokatëve. Për shkak se mungesa e tyre sistematike në proceset gjyqësore po çon drejt dështimit një prej proceseve më të rëndësishme gjyqësore në vend. Procesi gjyqësor ndaj dosjes “Gërdeci” është shtyrë mbi 15 herë, duke zvarritur prej afro tre vjetësh gjykimin ndaj autorëve përgjegjës të tragjedisë së rëndë. Përfaqësues të prokurorisë pretendojnë se mungesa e avokatëve në seanca është e qëllimshme për të sjellë dështimin e procesit.
Gjykata e Tiranës shtyu për të premten shqyrtimin e çështjes "Gërdeci", me 29 të pandehur, pjesa më e madhe ish-funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes. Por, Këshilli i lartë i Drejtësisë ka marrë nën hetim edhe çështjen e djalit të deputetes Arta Dade, Besnik Dabullën. Pasi për këtë të fundit Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë me arrest shtëpie.
Çështja “Dabulla”
Pas incidentit të ndodhur midis Besnik Dabullës dhe Endri Lufit, ku ky i fundit ngeli i plagosur, gjykata vendosi masën e sigurisë "arrest shtëpie" për djalin e Dades. I akuzuari ka qenë vetë i pranishëm në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë që u bë në praninë e mediave. Prokurori i çështjes kërkoi 20 ditë burgim për Dabullën, pas akuzës për plagosje të nipit të Adil Çarçanit, Endri Lufi. Por, avokati mbrojtës i Dabullës i ka paraqitur gjykatës një deklaratë të të plagosurit që pohonte se ngjarja kishte ndodhur pa dashje, pasi ai ka marrëdhënie të mira shoqërorë me Dabullën. Djali i deputetes socialiste akuzohet për "armëmbajtje pa leje", por arma nuk është gjendur ende. Sipas policisë, ngjarja ndodhi mbrëmjen e një jave më parë në një lokal në zonën e ish-Bllokut, në pronësi të Besnik Dabullës. Policia ndaloi Dabullën pasi kishte çuar në Spitalin Ushtarak për mjekim Endri Lufin. Fillimisht në ngjarje u dyshua si i përfshirë edhe nipi i diktatorit Hoxha, Shkëlzen Hoxha, por më pas ky version u hodh poshtë, pasi ai kishte alibi praninë në momentin e ngjarjes, në një festë familjare me shumë të ftuar. Për këtë proces pati edhe reagime politike nga PD-ja.
Kapja e 180 kg Cannabis, prangoset bosi
TIRANË – Arrestohet organizatori i trafikimit të 180 kilogramëve drogë të sekuestruar nga Policia e Tiranës të shtunën, gjatë kontrollit të një banese në Marikaj. Burime zyrtare të Policisë së kryeqytetit thanë se përgjatë orëve të vona ditës së martë u bë e mundur kapja e organizatorit të trafikimit të 180 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis sativa, operacion i cili u finalizua pak ditë më parë. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Kufiri ndarës”, i realizuar më datë 8 janar 2011, ku u sekuestrua sasia prej 180 kg Cannabis sativa dhe u arrestua në flagrancë shtetasi Astrit Bekteshi, u arrit kapja e pronarit dhe njëkohësisht organizatorit të këtij rrjeti trafikimi, lëndë e cila dyshohet se kishte për destinacion trafikimin dhe shpërndarjen në vendet fqinje. Pas ndjekjes disaditore të policisë u lokalizua vendndodhja e shtetasit në kërkim Arshi Rrokaj, 39 vjeç, lindur e banues në Vlorë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim për veprën penale të “trafikimit të bimëve dhe lëndëve narkotike”.
“Lavazhieri” prangos dy të rinj për plagosje
TIRANË – Në kuadër të operacionit policor të koduar me emrin “Lavazhieri”, Policia e kryeqytetit tha se ka arrestuar dy shtetas të akuzuar për plagosje. Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, në bashkëpunim me Sektorin e Operacioneve Speciale dhe Kërkimit pranë Policisë së Tiranës, kurorëzuan operacionin policor të koduar ”Lavazhieri“, ku u arrit të bëhet kapja e tre personave në kërkim. Burime policore sqarojnë se shtetasi Gjergji Luli, 18 vjeç, banues në Tiranë, u prangos pasi është lëshuar nga Gjykata e Tiranës urdhër-ndalimi për konsumim të veprës penale të “plagosjes së rëndë me dashje”. Ky shtetas dyshohet të jetë autor i plagosjes me armë të ftohtë thikë të shtetasve Heralind dhe Klajdi Biberaj, ngjarje kjo e ndodhur më datë 21 tetor 2010. I arrestuari i dytë është Klaidi Gjeçi, 23 vjeç, lindur në Laç dhe banues në Tiranë.
Ky shtetas dyshohet të jetë autor i plagosjes me armë të shtetasit Marinel Llaze, ngjarje e ndodhur më datë 22 gusht 2010 në rrugicat e ish–Bllokut në Tiranë. Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim për veprën penale të “Plagosjes së lehtë me dashje dhe “armëmbajtje pa leje”.
13 Janar 2011