E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tatimet, PS: Pabarazi, Bode: U rekomandua nga USAID

 Këto ndryshime parashikojnë vetëdeklarimin për të gjithë ata që kanë të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë në vit, pranë zyrave rajonale tatimore brenda datës 30 prill të çdo viti, me përjashtim të këtij viti ku u la afat deri në datën 30 shtator, pasi ligji nis zbatimin për herë të parë. 

Deputeti i Partisë Demokratike, Florion Mima u shpreh se ligji parashikon një sërë ndryshimesh që kanë si synim thjeshtimin e procedurave për qytetarët.  "Rritet nga 200 mijë lekë në 2 milionë lekë kufiri për deklarimin e të ardhurave. Deklarimi bëhet i detyrueshëm vetëm për individët që realizojnë të ardhura vjetore bruto të barabarta ose më të larta se 2 milionë lekë. Rritet nga 800 mijë në 1 milionë e 50 mijë lekë kufiri i të ardhurave vjetore të deklaruesve që përfitojnë nga shpenzimet e zbritshme", theksoi ai.

Po ashtu, sipas Mimës, ky kufi u llogarit mbi bazën e pagës maksimale mujore dhe indeksohet paralelisht me indeksimin e pagës. Ndryshimet konsistojnë edhe në shtimin e kategorisë së deklaruesve tatimpagues individë, rezidentë në Republikën e Shqipërisë, që realizojnë të ardhura të tatueshme jashtë territorit, si dhe për ata jo rezidentë që realizojnë të ardhura të tatueshme brenda territorit.

"Ndryshimet i japin të drejtë tatimpaguesit ta korrigjojë deklaratën dy herë brenda 3 muajve pa paguar penalitete, ndërsa pakësohet dokumentacioni që i bashkëlidhet deklaratës vjetore të të ardhurave", shpjegoi Mima.  "Individët që realizojnë të ardhura jashtë shtetit, kur ka marrëveshje për shmangien e tatimit të dyfishtë", vijoi Mima, kreditohen për shumën e tatimit të paguar.

Ai bëri të ditur se, ndryshohet afati i pagesës së tatimit nga brenda 30 ditëve në, jo më vonë se data 30 prill. "Për vitin 2011, afati i i dorëzimit të deklaratës dhe i pagesës së tatimit shtyhet deri në datën 30 shtator 2012. Kreditimi i shpenzimeve të zbritshme bëhet brenda datës 31 dhjetor për vitin 2011, ndërsa për vitet e tjera deri më 30 prill", tha Mima.

Opozita: Të shtyhet ky vendim

Deputeti i opozitës, Arben Ahmetaj, theksoi se nuk është momenti për zbatimin e këtij ligjit, pasi sipas tij, që të funksiononte i gjithë ky proces duhet që të shtyhet të paktën deri në 2014-2015, në mënyrë që të përgatitej sistemi. "I kemi kërkuar administratës tatimore dhe ministrisë së Financave të na përgjigjej, nëse e ka apo jo infrastrukturën për zbatimin e ligjit dhe është shprehur se nuk e kemi por do ta vendosim", sqaroi Ahmetaj. 

Deputeti i PS-së shtoi se kjo taksë është një padrejtësi shoqërore pasi i merr çdo qytetari 5 milionë lekë të vjetra në 10 vjet ndërkohë që favorizon ata persona të cilët kanë të ardhura të larta. “Sipas taksës sonë progresiste që ju e hodhët poshtë kryeministri Berisha do të duhej të paguante më shumë nga sa paguan tani ndërsa 4 infermierë paguajnë në 10 vjet,  20 milionë lekë më shumë”,theksoi Ahmetaj. 

Sipas tij, sot janë mbi 36 mijë deklarata të papërpunuara. Po ti shtojmë edhe përpunimin e kësaj deklarate, vijoi ai, e mbysim administratën tatimore. Njëkohësisht, vendosja e kësaj takse të sheshtë që mund të konsiderohet fare mirë "taksa e varfërisë", vijoi Ahmetaj, ngarkon edhe qytetarin e thjeshtë. "Një infermier pragun 30 mijë lekë më shumë nga kjo taksë çdo vit, pas 10 vitesh kjo shumë arrin në 5 milionë lekë", tha ai.

Bode: Ligji shmang pabarazinë

Në mbrojtje të ndryshimeve të ligjit, kreu i Financave, Ridvan Bpde, u shpreh se ky pr/ligj është rekomanduar nga USAID-i dhe shmang pabarazinë, teksa opozitën se megjithëse trumbeton për drejtësi sociale realisht është kundër saj. Bode theksoi se ndryshimet në ligj janë teknike dhe reflektojnë nevojën e atyre që duhet të deklarojnë të ardhurat vjetore dhe nuk prek asnjë nga asetet e tjera. 

"Ky ndryshim reflekton të kundërtën e asaj që pretendojnë disa të majtë që mundohen të gjejnë shpirtrat e vdekur, duke theksuar se në vend kanë 1.2 milionë të papunë. Ky ligj është nga më modernët dhe është përqafuar anembanë botës. Ai është më funksionali dhe më efikasi për eliminimin e pabarazive që sjell ekonomia e tregut" ka theksuar Bode. Ai ka theksuar se, opozita kërkon që nëpërmjet kundërshtimit të ligjit t`i hapë rrugë taksës progresiste, duke e prezantuar atë si modernizim.

Gjithashtu, ministri Bode iu përgjigj edhe akuzave të PS-së për taksën e sheshtë, duke e cilësuar atë si taksën më moderne dhe më të mirë që bën të mundur zhvillimin e ekonomisë dhe mirëqenies së vendit. "Taksa e sheshtë na mbajti jashtë krizës. I qëndruam krizës sepse ne ndërmorëm një politikë fiskale që na bëri t`i qëndrojmë goditjeve të ardhura nga jashtë. Ju kërkoni të riktheni politikën e monopoleve. Ky ishte modeli juaj. Ju doni të shkatërroni ekonominë e vendit, doni të riktheni konjukturat që nuk favorizojnë transparencën dhe konkurrencën. Ju keni armiqësi ndaj tregut në tërësi", iu është drejtuar ministri Bode socialistëve. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-03-01 12:39
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›