E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Lidershipi i PS-së ecën kundër interesave të vendit

Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Luan Rama, dënoi veprimet e lidershipit të Partisë Socialiste që është duke shkuar kundër interesave të shoqërisë shqiptare, e cila aspiron të bëhet vend kandidat i BE-së.

“Çështjet e plotësimit të kushteve të vëna nga BE, që Shqipëria të përmbushë të gjitha detyrimet për të merituar statusin e vendit kandidat, nuk janë çështje vullnetesh politike, as çështje që lidhen me interesa individuale. Ato janë çështje që kanë të bëjnë me interesat e vendit. Janë detyrime që duhen përmbushur. Janë përgjegjësi që duhen realizuar dhe në këtë kontekst çdo shmangie, tërheqje apo tentativë për të bllokuar dhe zvarritur këtë proces janë në dëm të interesave evropiane të vendit”, u shpreh Rama.

Sipas tij, “nuk ka vend për ngazëllim të ndokujt, por ka vend për shfaqje përgjegjësish dhe angazhim real. Nuk ka vend për llogari meskine, që duke kontribuar negativisht për ta bllokuar procesin e integrimit evropian të vendit, të mund të shpresojë ndokush që mbi këtë bazë të nxjerrë apo të ketë përfitime, apo kapital politik, për interesa të veta apo të grupit që përfaqëson”. 

Duke qenë se interesat e vendit janë dominante dhe prevalojnë ndaj çdo interesi tjetër, Rama theksoi se, “LSI i fton të gjitha palët, faktorët dhe aktorët e rëndësishëm politikë të kuptojnë domosdoshmërinë e përmbushjes të të gjitha detyrimeve. Të shfaqin seriozitetin dhe përgjegjshmërinë maksimale, që ky proces të jetë serioz dhe produktiv, në mënyrë që 100 vjetori i shpalljes së Pavarësisë t’i sjellë Shqipërisë statusin si vend kandidat në BE”. “LSI është e gatshme, e vendosur dhe gjithë kontributi i saj mbetet në të mirë të interesave evropiane të vendit”, theksoi Rama. /Start/

                                                                                             2012-03-01 14:49
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›