Zhduket 12-vjeçari nga shtëpia e fëmijës
Një 12-vjeçar po kërkohet nga policia, pasi është larguar nga shtëpia e fëmijës "Zyber Hallulli" dhe dyshohet se ai mund të bjerë pre e kontingjentit kriminal. Denoncimi për largimin e tij është bërë nga përgjegjësit e shtëpisë së fëmijës, ndërkohë që deri në orët e mbrëmjes nuk ka pasur informacion zyrtar nëse ai është kthyer më. Pikërisht dy ditë më parë, Genc L. 47 vjeç, është paraqitur në Komisariatin Nr. 1 për të denoncuar largimin e fëmijës Agron M., 12 vjeç. Ai ka treguar se fëmija ishte larguar nga "Zyber Hallulli", që me datë 2 dhe nuk ishte kthyer më. Sipas tij, fëmijët ikin shpeshherë, por kthehen brenda ditës. Por, ai nuk është kthyer për tri ditë, kështu që gjendja është rënduar më shumë. Në këto kushte, policia ka regjistruar denoncimin dhe ka marrë një foto të fëmijës 12-vjeçar. Menjëherë, lajmërimi u është dhënë gjithë shërbimeve të policisë, të cilat kanë nisur kërkimet për gjetjen dhe kthimin e tij në banesë. Policia tha se situata është vlerësuar maksimalisht, pasi këta fëmijë janë të prirë të bashkohen me kontingjentin kriminal në Tiranë dhe mund të bëhen viktima të veprave të tyre penale.