E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet apel bizneseve: “Paguani taksat, zgjedhjet nuk ju shpëtojnë nga detyrimi”

Drejtori Papajani u kërkon rezultate drejtorive të qarqeve. Subjektet që nuk i paguajnë detyrimet, i nënshtrohen gjobave

Ervin KOÇI

Zgjedhjet e 28 qershorit kanë bërë që një pjesë e madhe e subjekteve të biznesit në të gjithë vendin të ndalin pagesën e taksave dhe tatimeve, me shpresën se do të përfitojnë nga rrëmuja e krijuar. Kjo gjë solli rënie të ndjeshme në grumbullimin e të ardhurave tatimore gjatë muajve maj-qershor, edhe pse Administrata Tatimore është angazhuar në aksione në të gjithë vendin. As fushata zgjedhore dhe as procesi i votimit nuk i ka penguar tatimet që të vazhdojnë punën normalisht, duke siguruar grumbullimin e nivelit të të ardhurave. Drejtori i përgjithshëm i Tatim-Taksave, Artur Papajani, tha dje gjatë një mbledhje se, arkëtimet mbeten në nivelet e një viti më parë, konkretisht në muajin qershor 2008, me një rritje të lehtë. “Të dhënat operative flasin për një nivel më të larë se 11.8 miliardë lekë, të realizuar në qershorin e vitit të kaluar, kur nuk kishim zgjedhje, pra mendojmë se edhe këtë herë kemi të njëjtat shifra", tha Papajani. Gjatë javëve të fundit Kreu i Tatimeve, Papajani, ka përsëritur gjithmonë të njëjtat deklarata dhe ka ushtruar “presionin” e nevojshëm ndaj punonjësve të administratës tatimore për të pasur si objektiv vetëm mbledhjen e të ardhurave nga taksat dhe jo fushatën.

Fushata elektorale

Fushata zgjedhore nuk la jashtë saj edhe mjaftë individë që punonin pranë administratës shtetërore, duke mos përjashtuar as sektorin e Tatimeve. Në listat e kandidatëve për deputetë nuk mungojnë persona që vijnë nga fusha e tatim-taksave, e për rrjedhojë shqetësimi i Papajanit mbetet i justifikueshëm. "Nuk mund të jap emra konkretë, por kam sinjale se punonjës nga administrata e tatim-taksave janë përfshirë në fushatën zgjedhore. Padyshim që këta persona do të ndëshkohen nga ligji në rast se vërtetohen dyshimet. Çdo veprim do të kryhet pas zgjedhjeve parlamentare", deklaroi kreu i Tatimeve, Papajani. Pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare 2005, institucioni i tatimeve u prek nga një reformë e thellë. Rreth 300 punonjës u larguan nga detyra, ku shkak kryesor ishte pjesëmarrja në fushatë, por në apelim gati gjysma fituan të drejtën për t‘u rikthyer në punë.

Mbledhja e taksave

Shqetësimi se situata zgjedhore mund të ndikonte negativisht në mbledhjen e të ardhurave alarmoi vetëm një muaj më parë Administratën Tatimore dhe kreun e saj Papajani. Për pasojë me urdhër të tij u ngritën 12 grupe pune për të mbikëqyrur situatën në terren. Dy javë para fillimit të fushatës elektorale, drejtori i përgjithshëm i Tatimeve nxori një urdhër për 12 drejtoritë rajonale, nga ku kërkonte angazhim të plotë në mbledhjen e taksave, pa pasur ndikim nga fushata elektorale. Konkretisht puna e inspektorëve tatimorë duhet të jetë e përqendruar te katër taksat kryesore: TVSH-ja, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale dhe sigurimet shoqërore.

2 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›