E Diel, 1 Nëntor 2026

Figurat emblematike që do ti mungojnë Kuvendit të ri

Pas 20 vjetësh deputet mungon në Kuvend Skënder Gjinushi. Mbeten jashtë 9 kryetarë partish dhe shumë deputetë dhe figura historike

Eljona Ballhysa
Sistemi i ri zgjedhor u dha një goditje partive të vogla parlamentare. Shumica e këtyre partive të vogla nuk kanë arritur të marrin asnjë mandat deputeti. Pavarësisht se krerët e këtyre partive, në bazë të Kodit Zgjedhor e kishin vendosur emrin e tyre të parin në listën e kandidatëve për deputetë në të 12-të qarqet e vendit, shumica e kryetarëve të partive të vogla nuk do të jenë në Kuvendin e ardhshëm. Në bazë të rezultateve paraprake të Komisionit Qendror Zgjedhor nuk do të jenë në Kuvendin e ardhshëm shumë prej figurave emblematike që kanë më shumë se 20 vjet në Kuvend. Kështu, mbeten jashtë 9 kryetarë partish dhe shumë deputetë të njohur dhe aktivë.
Kryetarët
Një ndër kryetarët e partive që nuk do të jetë në Kuvendin e ardhshëm është Skënder Gjinushi. Partia e tij Social Demokrate, e cila në zgjedhjet e 28 qershorit ishte pjesë e koalicionit “Bashkimi për ndryshim”, nuk ka arritur të fitojë asnjë mandat deputeti. PSD-ja nuk ka arritur të marrë përqindjen e duhur të votave për të nxjerrë fitues të paktën kryetarin Gjinushi, i cili ka qenë i pari i listës së kandidatëve për deputetë në të 12-të qarqet e vendit. Skënder Gjinushi është një ndër deputetët më të vjetër të Kuvendit, me një eksperiencë mbi 20-vjeçare, që daton përpara historisë së pluralizmit politik në Shqipëri. Ndërsa gjatë periudhës së pluralizmit Gjinushi ka qenë deputet në çdo legjislaturë.
Një tjetër kryetar partie, dhe ky një ndër deputetët me moshën më të vjetër në Kuvend, që nuk do të jetë në Parlamentin e ri, është Lufter Xhuveli. Partia e tij Agrare Ambientaliste shpresonte deri në minutat e fundit të procesit të numërimit të votave që të merrte një mandat deputeti në qarkun e Lezhës me ndihmën e Partisë Demokratike. PAA-ja arriti në këtë qark të marrë afërisht 2.45% të votave, por rezultati u përmbys në favor të së majtës dhe Xhuveli humbi shansin të fitojë mandatin e deputetit. Xhuveli e ka përfaqësuar Partinë Agrare në të gjitha legjislaturat e historisë së pluralizmit. Kjo parti ka bashkëpunuar gjatë kësaj periudhë si me koalicionin e majtë, ashtu dhe me koalicionin e djathtë.
Kuvendit të ri do t’i mungojnë aleancisti Neritan Ceka. Partia e tij në këto zgjedhje nuk ka arritur të marrë aq përqindje sa Ceka të fitonte mandatin e deputetit. Në zgjedhjet e vitit 2009 Ceka u fut në garë në bashkëpunim me koalicionin e djathtë, ndërkohë që gjatë 4 viteve të kaluara ishte pjesë e koalicionit të majtë. Edhe Neritan Ceka është një ndër krerët e partive me disa legjislatura mbi supe.
Humbës në zgjedhje rezulton, në bazë të rezultateve paraprake të dhëna nga KQZ-ja, edhe kryetari i Partisë Demokracia Sociale. Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, nuk ka arritur në këto zgjedhje të sigurojë mandatin e deputetit në asnjë nga të 12 qarqet e vendit. Në këto zgjedhje Milo u fut si pjesë e koalicionit të majtë “Bashkimi për ndryshim”.
Një tjetër kryetar partie që do të mbetet jashtë është Nard Ndoka i Partisë Demokristiane. Edhe PDK-ja, e cila u mundua të krijonte polin e tretë politik në Shqipëri bashkë me LZHK-në, mbeti jashtë Kuvendit duke mos siguruar asnjë mandat deputeti. PDK-ja gjatë katër viteve të kaluara luajti rolin e një miniopozite brenda maxhorancës. Për gati një vit Ndoka ishte pjesë e kabinetit qeveritar, por u shkarkua nga Berisha për shkak të përplasjeve me nënkryetaren e PD-së Topalli dhe u la jashtë qeverisë. Ndoka është deputet i zgjedhur që në vitin 2001.
Jashtë Kuvendit të ri mbesin në këto zgjedhje Nikollë Lesi i Lidhjes Demokristiane dhe Arian Starova i Bashkimit Liberal Demokrat. Edhe këto figura kanë vite eksperiencë në Kuvend duke u rizgjedhur deputetë në disa legjislatura. Jashtë mbetet dhe ish-deputeti i PS-së, Petro Koçi, i cili krijoi në ditët e fundit para zgjedhjeve Partinë PSV ‘91 dhe hyri në zgjedhje në koalicion me LSI-në. Edhe Spartak Ngjela, ish-deputet i Partisë Demokratike që në vitet e para të demokracisë, në këto zgjedhje u fut me Partinë e tij për Ligj dhe Drejtësi. Ngjela nuk arriti të fitojë asnjë mandat deputeti duke mbetur jashtë Kuvendit të ri.
Duket se më i zgjuari nga të gjithë u tregua ish-kryetari i PDR-së, Genc Pollo, i cili e shkriu partinë e tij me Partinë Demokratike. Për shkak të kësaj marrëveshjeje, Pollo arriti të fitonte mandatin në qarkun e Beratit, pasi u vendos në krye të listës së PD-së në këtë qark.
Këto zgjedhje nuk arritën t’u jepnin fitoren disa figurave të njohura politike si Aleksandër Meksi, ish-kryeministër i Partisë Demokratike në vitet e para të pluralizmit politik. Meksi bashkëpunoi në këto zgjedhje me Polin e Lirisë dhe u vu në krye të listës së kandidatëve për deputetë të LZHK-së në qarkun e Tiranës. Jashtë Kuvendit mbeti dhe Dashamir Shehi, kryetar i LZHK-së, si dhe kryetari i G99-s, Erion Veliaj, i cili shpresonte se do të merrte votat e të rinjve.
Të vetmit kryetarë partie që arritën të fitojnë në minutat e fundit mandatin e deputetit janë Fatmir Mediu i Partisë Republikane, Ilir Meta i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Vangjel Dule i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Në Kuvendin e ri kemi një risi, që është fitorja e një mandati e kryetarit të partisë së çamëve, Tahir Muhedini.
Deputetët
Jashtë Kuvendit të ri mbetën disa nga deputetët jetëgjatë të viteve të pluralizmit. Kështu, Preç Zogaj nuk arriti të fitonte mandatin e deputetit në qarkun e Lezhës, ku kandidoi me siglën e partisë së Ngjelës. Zogaj u largua nga PD-ja në ditët e fundit të regjistrimit të listës së kandidatëve për deputetë në KQZ për shkak se nuk pranoi të ishte kandidat në një qark tjetër përveç Lezhës.
Jashtë Kuvendit të ri mbetën dhe dy deputetë e LSI-së, Ndre Legisi e Spartak Braho. Që të dy janë zgjedhur deputetë të Partisë Socialiste që në vitin ‘91. Më pas bashkëpunuan me Lëvizjen Socialiste për Integrim, ndërsa në këto zgjedhje nuk arritën të fitojnë mandatin e deputetit.

Kryetarët jashtë Kuvendit
Skënder Gjinushi
Neritan Ceka
Lufter Xhuveli
Nard Ndoka
Nikollë Lesi
Arian Starova
Paskal Milo
Petro Koçi
Spartak Ngjela

Fituan
Fatmir Mediu
Vangjel Dule
Ilir Meta

Humbën
Dashamir Shehi
Aleksandër Meksi
Erion Veliaj

Deputetët
Preç Zogaj
Ndre Legisi
Spartak Braho

Neritan Ceka
1991: Kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së
1991: Nënkryetar i PD-së
1992: President i Aleancës Demokratike
1997-1998: Ministër i Brendshëm
1998-2005: Kryetar i Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare
2005-2009: Deputet në Kuvendin e Shqipërisë

Skënder Gjinushi
1987-1991: Ministër i Arsimit; shkurt 1991: jep dorëheqjen
1991 e në vazhdim: Kryetar i Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë, deputet në Legjislaturat XI, XIII, XV e XVI
1997-2001: Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë
2001 (shtator)-2002 (korrik): Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale
Maj 2006 - Korrik 2006: Anëtar i Komisionit Hetimor për Çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm
Maj 2007-2009: Anëtar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore

Lufter Xhuveli
1991-1992: Deputet i Kuvendit Popullor dhe sekretar i Komisionit për Politikën e Jashtme
1993-1994: Kryetar i Komitetit Ndërkombëtar për krijimin e Internacionales Agrare (zgjedhur në Bukuresht, Rumani, nga përfaqësuesit e 11 partive)
1997-2001: Deputet i Kuvendit të Shqipërisë
2001-2005: Deputet i Kuvendit të Shqipërisë
2005 e në vazhdim: Deputet i Kuvendit të Shqipërisë
1992 e në vazhdim: Kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste të Shqipërisë

Paskal Milo
2003: Kryetar i PDS-së
1992-1997: Nënkryetar i PSD-së
2001-2002: Ministër i Integrimit
1997-2001: Ministër i Jashtëm
1991: Sekretar Shteti për Arsimin
2001-2005: Deputet
2005-2009: Deputet

Nard Ndoka
1992-1999: Anëtar i Kryesisë së Degës së PD-së, Shkodër
1999-2005: Nënkryetar i PDR-së;
2001-2005: Kryetar i Grupit të PDR-së në Kuvend
2005-2006: Kryetar i Grupit Parlamentar Reformator-Demokristian
Shtator 2005 - mars 2007: Anëtar i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut
Deri në prill 2007: Anëtar i Sekretariatit për Buxhetin e Kuvendit
Prill 2007-2008: Ministër i Shëndetësisë

Arian Starova
1995-1998: Nënkryetar i Partisë Bashkimi Socialdemokrat
1997 (mars-gusht): Ministër i Punëve të Jashtme
1997-2001: Kryetar i Bordit i Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare
1998-2005: Nënkryetar i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat.
2005: Deputet i PBLD-së
Maj 2007-2009: Anëtar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore

Nikollë Lesi
1997-2002: Deputet i pavarur në Kuvendin e Shqipërisë
2002 e në vazhdim: Kryetar i Partisë Demokristiane
2002-2005: Deputet, anëtar i Komisionit të Edukimit dhe Medias
2005-2009: Deputet i Kuvendit të Shqipërisë

Spartak Ngjela
1991: Anëtar i Kryesisë së PD-së; sekretar për Marrëdhëniet me Publikun i PD-së
1997: Ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Pajtimit Kombëtar
2001-2003: Nënkryetar i Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë
Shtator 2005 - prill 2006: Kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut

2 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›