Kaka: Faleminderit Milan, por te Reali jam për të fituar
Një javë nga lamtumira dhe Rikardo Kaka, blerja e re e Realit të Madridit flet nga Afrika e Jugut, ku ndodhet me Brazilin për Kupën e Konfederatave, duke theksuar se falënderon Milanin dhe Kombëtaren për famën që i kanë dhënë. Ish-mesfushori i Milanit nënvizoi se nuk do ta diskutojë më lëvizjen e tij drejt Bernabeut, deri në përfundim të Kupës së Konfederatave në Afrikën e Jugut. "Kam thënë gjithçka rreth këtij subjekti, pohoi Kaka. Nga ky moment dua të mendoj vetëm për Kupën e Konfederatave". Mesfushori brazilian nënvizoi se i ishte mirënjohës Milanit dhe tifozëve italianë, që e mbështetën gjatë gjashtë vjetëve që luajti në Serinë A. "Arsyeja e vetme e njohjes sime në skenën ndërkombëtare është Milani. Shpresoj që Milani të vazhdojë të ecë në rrugën e suksesit". Kaka mendon se Real Madrid do të jetë një tjetër etapë në rritjen e tij si futbollist. "Për mua është një motivim i madh. Por e di se sa herë jam vlerësuar me trofe individualë, pas tyre ka qenë suksesi si skuadër. Nëse Milani nuk do të kishte arritur të fitonte trofe dhe atëherë njohja ime nuk do të ishte si kjo tani. Pra për të arritur te suksesi individual, kam nevojë për grupin e futbollistëve në skuadër". 27-vjeçari Kaka mendohet se mund të jetë protagonisti i Brazilit, në Kupën e Konfederatave, por mesfushori brazilian nënvizon se "seleçao" ka shumë futbollistë me përvojë si Luçio, Juan, Gilberto Silva, që kanë luajtur dhe një Kupe Bote". Në fund Kaka mbrojti politikën e presidentit Florentino Perez për të rindërtuar Realin e Madridit të madh. "Florentino e ka të qartë politikën që ndjek. Ai është i vendosur në rrugën e tij, ta bëjë Realin e Madridit, përsëri skuadër të madhe", pohoi Kaka. Ndërsa për transferimin e Kristiano Ronaldos në Bernabeu ai u shpreh: "Ishte një befasi për mua ky operacion, pasi ndodhi shumë shpejt. Por ishte një surprizë e bukur. Një skuadër si Real Madrid ka nevojë për futbollistin përcaktues. Dhe Kristiano Ronaldo është njëri prej tyre".