E Diel, 1 Nëntor 2026

Milani, në sulm për Mekses: 10 milionë euro dhe Jankulovski

Milani vazhdon të punojë për përforcimin e mbrojtjes. Pasi riparuan krahun e majtë me Sisoko, tashmë synohet një lojtar i fortë në qendër të repartit difensiv. Objektivi është mbrojtësi i Romës, Filip Mekses. Trajneri Leonardo kërkon që francezi të luajë përkrah Tiago Silvës. Për të realizuar transferimin, në "San Siro" kanë përgatitur një ofertë të kënaqshme për verdhekuqtë: 10 milionë euro, Jankulovskin dhe një tjetër lojtar nga të rinjtë, që sipas gjasave është Abate. Gjithsesi, presidentja e klubit të kryeqytetit italian, Rosela Sensi, vazhdon të mos i hapë "dritën jeshile" bisedimeve. Ajo e ka përfshirë Mekses në listën e lojtarëve "të pashitshëm", përkrah kapitenit Françesko Toti dhe De Rosit. Një tjetër problem është edhe rroga e lartë e Jankulovskit, por mbrojtësi çek është i gatshëm të ulë të ardhurat sezonale për të firmosur kontratë 3-vjeçare me Romën. Përveç mbrojtjes, drejtuesi i stolit kuqezi pret lajme edhe për sulmin, ku objektivi kryesor është Xheko. Së shpejti pritet marrëveshja me Volfsburgun për boshnjakun.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›