E Diel, 1 Nëntor 2026

PS braktis parlamentin, paralajmëron protesta e bojkot të zgjedhjeve

Nga L.Progni

Opozita bojkoton parlamentin dhe paralajmëron bojkot edhe të procesit zgjedhor të 28 qershorit për shkak të kartave të identitetit. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami, tha dje se nuk do të ketë proces zgjedhor më 28 qershor, nëse mbetet edhe një shqiptar i vetëm pa kartë identiteti, duke dhënë kështu sinjalin e fortë për bojkot të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Sekretari socialist paralajmëroi gjithashtu edhe protesta duke i bërë thirrje elektoratit që të jetë i gatshëm për të protestuar në mënyrë paqësore deri në momentin që qeveria të vendos t’u japë qytetarëve pa pasaportë kartat e identitetit falas. Qëndrimi i djeshëm i Islamit erdhi vetëm pak minuta pasi opozita braktisi seancën parlamentare në shenjë proteste ndaj mazhorancës qeverisëse për mosplotësim të kërkesës së opozitës për dhënien falas të kartave të identitetit për ata qytetarë që s’kanë pasaporta dhe jetojnë në varfëri. Nga ana tjetër, Islami i kërkoi qytetarëve që kanë mundësi të paguajnë kartën e identitetit të mos vonojnë për të aplikuar. Megjithatë, qëndrimet e djeshme të PS, të deklaruara nëpërmjet Sekretarit të saj për Çështjet Zgjedhore, sjellin një situatë të rënduar politike në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, e ngjashme me atë të periudhës parazgjedhore për zgjedhjet lokale të shkurtit 2007. Sa i përket qëndrimeve të qeverisë për këtë çështje, Islami tha dje se me vendimin e fundit të qeverisë, kryeministri ka pranuar përfundimisht gabimin e vendosjes së taksës së votës. Sipas Islamit, zgjidhja e dhënë prej kryeministrit rezulton e cunguar, e komplikuar, konfuze dhe e pazbatueshme.

“PSSH vlerëson se për shkak të paaftësisë deri më sot, por me sa duket edhe mungesës së vullnetit të qeverisë, problemi i pajisjes së votuesve pa pasaportë mbetet i pazgjidhur dhe shumë më i rrezikuar se asnjëherë tjetër deri tani. Gjendja është alarmante. Kërkesa e përsëritur, e thjeshtë dhe e qartë e PSSH është: Të hiqet taksa e votimit dhe karta e identitetit për votuesit pa pasaportë të trajtohet si mjet identifikimi vetëm për votimin më 28 qershor 2009. Nga ana tjetër, qeveria duhet të gjejë zgjidhjet e përshtatshme në përdorimin e saj për të gjithë shërbimet e tjera pas zgjedhjeve të përgjithshme. Nëse situata nuk ndryshon, PSSH do të përshkallëzojë shprehjen e refuzimit ndaj këtij procesi tanimë qëllimisht të dështuar e të kompromentuar nga qeveria. Nëse Sali Berisha mendon se mund të kontrollojë rezultatin e zgjedhjeve duke kthyer në farsë provimin e madh të 28 qershorit, PSSH deklaron se nuk mund të ketë zgjedhje, po qe se edhe një shqiptar nuk arrin të votojë për shkak të taksës së votës. PSSH me këtë rast iu bën thirrje njerëzve të përgatiten shpirtërisht për të shpëtuar demokracinë në rrezik me rezistencë paqësore. Askush të mos vonojë të aplikojë, nëse e përballon taksën e votës. Por, nga ana tjetër, gjithkush që nuk e paguan dot këtë taksë të turpshme për shkak të varfërisë, duhet të dijë se PSSH do të rezistojë me të gjitha mjetet demokratike për të garantuar lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve. Nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme dhe në përputhje me standardet demokratike pa zgjidhje të kësaj nyjeje që po mbyt zgjedhjet”, - thuhet në deklaratën e Islamit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›