Fullani: Shqipëria ka nevojë për likuiditet, duhet të kërkojë pará nga FMN
Banka e Shqipërisë ka kërkuar dje nga institucionet shqiptare dhe kryesisht nga qeveria shqiptare angazhimin në sigurimin e likuiditetit për ekonominë dhe sidomos në hartimin e kërkesës për pará nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, tha dje se ekonomia shqiptare, pavarësisht efekteve të krizës ekonomike globale, do të vazhdonte të ishte e mbrojtur dhe nuk do të binte në krizë. Guvernatori, duke folur në parlamentin shqiptar, tha se vendi do të vuante kritere shtrënguese për kreditë, por megjithatë ekonomia do të kishte likuiditet, ndonëse ky ishte ulur shumë dhe do të vijonte ta bënte këtë gjë. “Bankat shqiptare do të jenë likuide edhe në vitin 2009, pavarësisht kushteve shtrënguese. Tashmë nuk ka arsye objektive që individët të mbajnë paratë jashtë bankave”, - u shpreh kreu i Bankës Qendrore. Fullani theksoi se gjatë këtij viti problemi kryesor i ekonomisë është mungesa e likuiditeteve, si pasojë edhe të shtrëngimit të kredive. Në këto kushte, guvernatori kërkon që të sigurohen financime nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. “Problemi më i madh i ekonomisë shqiptare në vitin 2009 do të jetë mungesa e likuiditetit. Shtrëngimi i kushteve të financimit dhe kriza e likuiditetit kërkon gjetjen e burimeve të reja financiare, sidomos atyre të huaja. Shqipëria duhet medoemos të përfitojë nga fondi që 20 vendet më të fuqishme akorduan për FMN. Shqipëria i plotëson të gjitha kriteret”, - theksoi Fullani.
Injektimi i parave në ekonomi me anë të kreditimit po vjen në rënie, pasi bankat gjithnjë e më shumë po tregohen dorështrënguara. Ky është përfundimi i Bankës së Shqipërisë. Sipas rezultateve të vrojtimit të aktivitetit kreditues për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2008, ka një shtrëngim të standardeve dhe kritereve të zbatuara nga bankat për miratimin e kredive. Kredimarrja po bëhet më e vështirë për individët sesa për bizneset, të cilët kanë balancat neto përkatëse minus 61% dhe minus 56%. Sipas llojit të kredisë për individët, kredia konsumatore u shtrëngua më shumë se kredia për blerje banese. Kredia u shtrëngua në pothuaj të njëjtën masë si për korporatat e mëdha ashtu dhe për bizneset e vogla dhe të mesme, por me një shtrëngim më të dukshëm për kredinë për investime afatgjata. Në vrojtimin e gjashtëmujorit të dytë ka rezultuar që bankat presin që standardet e miratimit të kredisë të vijojnë të shtrëngohen gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2009, më shumë për bizneset sesa për individët. Por gjithashtu në kontrast me vrojtimet e mëparshme, bankat presin që kërkesa e bizneseve për kredi të bjerë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009, si për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ashtu edhe për korporatat e mëdha.