Varrosja e të vdekurve tanë
Ndërsa e ardhmja po lyhet me nuanca të ndryshme të së zezës, sllovenët panë fragmente nga e shkuara e tyre jo dhe aq fisnike.
Pas përpjekjeve të organizuara, të nisura nën kujdesin e qeverisë së kaluar për zbulimin e të gjitha varreve të pazbuluara nga Lufta e Dytë Botërore (LBD), një minierë e braktisur në Lasko u hap dhe u zbulua që përmbante qindra skelete, viktima të ekzekutimeve pas luftës.
Ky zbulim rihapi menjëherë - brenda disa orësh - debatin e përhershëm, me sa duket, për rolin e politikanëve të ndryshëm sllovenë dhe segmenteve të ushtrisë gjatë LBD. Ose, më direkt: kjo u dha shtysë atyre që kanë prirjen ta rishikojnë historinë me qëllimin e përmbushjes së nevojave të tyre politike.
LBD në Evropë mori fund realisht në Slloveni. Pasi gjermanët dorëzuan njësitë e tyre, ushtri të ndryshme kolaboracioniste nga gjithë Ballkani bënë një përpjekje kundër pjesës austriake të kontrolluar nga britanikët. Si sllavë ne ishim pak më lart se çifutët në ideologjinë naziste, në këtë pjesë të botës gjermanët bënë më shumë se një pushtim të thjeshtë. Ata ishin të përkushtuar në eliminimin e kombeve të tëra dhe gjetjen e bashkëpunëtorëve brenda vendeve të pushtuara. Në 1942, Hitleri ri-vizitoi Mariborin dhe shqiptoi frazën famëkeqe: “Kthejeni këtë sërish në tokë gjermane.” Shpesh bashkëpunëtorët ishin më të pashpirt se mentorët e tyre nazistë. Ndërsa lufta po i afrohej fundit, të gjitha ushtritë humbëse nxituan të mos binin rob në duart e atyre që ata donin të zhduknin.
Disa ia dolën, po shumica jo. Edhe ata që ia arritën, britanikët i kthyen kolaboracionistët në Slloveni (asokohe pjesë e Jugosllavisë Socialiste). Dihet, vijoi gjakderdhja, dëshmi e së cilës - mes të tjerave - është miniera Huda Jama.
Gjashtëdhjetë e pesë vjet më vonë Sllovenia është e pavarur, anëtare e BE dhe ndjekur nga fantazmat e të vdekurve të saj. Por në vend që t’i lërë në paqen e përjetshme, gjurmët e tyre përdoren si relikte dhe pikë referimi për ata që refuzojnë të pranojnë se pala e tyre shihet humbëse dhe mohojnë të kenë bërë diçka gabim duke bashkëpunuar.
Nëse do të bëhej fjalë për disa pleq të mbijetuar që e urrenin njëri-tjetrin deri në vdekje, mund të mendohej se debati do të zhdukej ngadalë. Problemi është se sherri mes palës fituese dhe humbëse është transplantuar në politikë e ditës, ku - duke rrezikuar të thjeshtëzohet - e majta shihet si trashëgimtare e palës fitues dhe e djathta si trashëgimtare e humbësve.
E djathta e ka kthyer në zakon të përdorë çdo zbulim varri masiv pas lufte si një tjetër dëshmi e monstruozitetit të regjimit komunist që sundoi Slloveninë dhe Jugosllavinë nga fundi i LBD deri në 1990, thjesht duke shpjeguar se lufta kundër pushtuesve nuk është aq e fisnike për shkak të ekzekutimeve pas lufte ndaj bashkëpunëtorëve dhe - për shtesë - të djathtët nuk bashkëpunuan, por luftuan komunizmin, duke e ditur se çfarë do të ndodhte pas lufte, nëse fitonte e majta.
Masakrat e pasluftës kanë qenë një veprimtari e trishtueshme dhe ka qenë gabim mohimi i gjyqit për ata që dyshoheshin si bashkëpunëtorë dhe tradhti. Por pas gjashtë vitesh (katër në rastin e Sllovenisë), lufte kundër gjermanëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, aleatët (përfshi ushtrinë partizane jugosllave), nuk e vranë shumë mendjen për Konventën e Gjenevës. Jo se kjo mund të justifikohet, por kështu ndodhi.
Megjithatë, sot, më tepër se të pranojmë që nuk ekziston gjë e tillë si luftë e pastër dhe të varrosim të vdekurit tanë, e djathta fiton pikë politike duke u përpjekur të rishkruajë historinë dhe të provojë se kauza e tyre gjashtëdhjetë vjet më parë ishte fisnike. Është koha ta shohim të vërtetën drejt njëherë e përgjithmonë dhe më në fund të shikojmë mes adoptimit të “ligjeve të luftës” - të propozuara dhe të mosmiratuara nga të gjitha qeveritë deri tani - të cilat do të përcaktojnë ligjërisht viktimat e dhunës së luftës së brendshme dhe pasluftës në mënyrë historike, të saktë dhe do të mundësojë ngritjen e një monumenti për të gjitha viktimat e LBD, pavarësisht bindjeve të tyre. Vetëm atëherë sllovenët do të jenë gati të trajtojnë qartë problemet e së ardhmes.