E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli në Kuçovë, urdhërohet mbyllja e shkollave dhe institucioneve publike

Nga A.Kaja

Takimi i nënkryetares së PD, njëherazi edhe kryetare e Kuvendit, Jozefina Topalli, me gratë kuçovare, u ka falur një ditë pushimi, jo vetëm nxënësve, mësuesve dhe punonjësve të tjerë të administratës publike të qytetit të naftëtarëve dhe fshatrave përreth, por edhe nxënësve, mësuesve dhe punonjësve të administratës publike të qytetit të Beratit, që kishin mbërritur me autobusë në Kuçovë.

Më herët, drejtuesit e institucioneve shtetërore kishin dhënë urdhër për mbylljen e shkollave dhe largimin nga puna të grave që punojnë në administratën shtetërore dhe rreth orës 11:00 të paradites së djeshme, autobusët të ardhur edhe nga fshatrat përreth, si dhe nga qyteti i Beratit kanë mbushur sheshin kryesor të qytetit të Kuçovës me nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe shkollave të mesme.

Të pyetur për largimin nga shkolla, disa prej nxënësve kanë thënë se ishin urdhëruar nga mësueset dhe mësuesit e tyre që të linin mësimin dhe të shkonin në takimin e Topallit me gratë. “Nuk është hera e parë që largohemi nga mësimi. Kjo ndodh, sa herë që në qytetin tonë vjen Berisha dhe Topalli. Ne nuk duam të merremi me politikë, për ne është herët, ne duhet të mësojmë”, - shprehen disa prej nxënësve.

Takimi i zonjës Topalli me gratë kuçovare dhe ato të ardhura nga qyteti i Beratit është zhvilluar rreth orës 12:30 të mesditës së djeshme në një nga fushat e futbollit të qytetit të Kuçovës.

Kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, ka falënderuar të gjitha gratë për pritjen e tyre të ngrohtë dhe e ka quajtur veten të privilegjuar në mes të grave, të cilat kanë ditur të jetojnë, të vuajnë e t’iu mbijetojnë vuajtjeve me forcën e ndryshimit. Topalli i ka cilësuar gratë si mrekullia e gjithë botës, një forcë e madhe në ndryshimin e vendit, sepse vetëm ato me ndjenjën e tyre të amësisë kanë mundur të ripërtërijnë njerëzimin dhe kanë dëshmuar dinjitet e vendosmëri në çdo aspekt të jetës. Ajo iu ka premtuar grave kuçovare se mbështetja e saj ndaj grave e nënave që janë nevojtare as nuk është ndalur ndonjëherë dhe as do të ndalet edhe në mandatin e ardhshëm të demokratëve. Nga qyteti i Kuçovës, Topalli iu ka premtuar grave se ajo do të shndërrohet në avokaten e secilës prej grave, do të bëhet mbështetja e të gjitha grave e nënave në nevojë për t'iu lehtësuar dhimbjet e jetës.

Nënkryetari i grupit kuvendor të PS, deputeti Erion Braçe, i ndodhur në qytetin e Kuçovës, në një prononcim për medien ka thënë se ajo që po ndodh është shpërdorimi më i madh që i bëhet pushtetit, shpërdorimi më i madh që iu bëhet qytetarëve, veçanërisht grave, fëmijëve dhe nxënësve të shkollave të Beratit dhe të Kuçovës. “Ky veprim bie ndesh me të gjitha ligjet në fuqi, si dhe me Kushtetutën e këtij vendi”, - tha Braçe.

Më poshtë Braçe i ka kujtuar kryetares së Kuvendit, Topalli, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nenin 54, pika 3, ku thuhet: “Çdo fëmijë ka të drejtën të jetë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi, shfrytëzimi dhe përdorimi për punë e veçanërisht nën moshën minimale për punën e fëmijëve që mund të dëmtojë shëndetin, moralin ose të rrezikojë jetën a zhvillimin e tij normal”.

Skandali i dytë, sipas deputetit E. Braçe, është përdorimi me dhunë i administratës shtetërore.

“Si mundet një nënë si zonja Topalli, që ka fëmijë në shtëpinë e vet, të marrë e t’iu mësojë nxënësve se si të lënë me dhunë mësimin, ashtu si bënë sot? Si mundet një pedagoge, siç thotë zonja Topalli, se ka qenë në Shkodër, të marrë dhe të mësojë mësuesit se si duhet të mbyllin shkollat dhe të lënë mësimin? Si mundet kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të shkelë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë? Ky është skandali dhe kjo po ndodh. Ajo që na shqetëson është fakti se po thellohet dhuna përkundrejt punonjësve të administratës shtetërore. Po thellohet dhuna përkundrejt një kategorie shumë të rëndësishme, siç janë mësuesit, mjekët dhe infermierët që paguhen nga taksat e shqiptarëve për t’u sjellë në mënyrë të organizuar me autobusë, që të vinë në takimin me Topallin”, - deklaroi Braçe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›