E Diel, 1 Nëntor 2026

Çekët: S’ka problem për aplikimin e Shqipërisë, por OK vetëm pas zgjedhjeve

Nga Erisa Zykaj, Bruksel

Presidenca çeke nuk do të zmbrapsë qeverinë shqiptare për aplikimin lidhur me statusin e kandidatit për në BE, edhe pse kryeministri Berisha kërkon ta ndërmarrë këtë hap para zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit. Deri tani, Komisioni Evropian ka këshilluar rreptësisht Shqipërisë që të mos aplikojë për statusin e kandidatit para zgjedhjeve, duke qenë se ato konsiderohen si një test i vërtetë për pjekurinë e demokracisë shqiptare. Edhe dje, Komisioni ka përkujtuar nëpërmjet zëdhënëses së komisionerit për Zgjerimin, Olli Rehn, se për aplikimin e një vendi kandidat, reformat kyçe lidhur me funksionimin e shtetit ligjor dhe të institucioneve demokratike janë elemente kryesorë për të konsideruar çdo aplikim. “Veçanërisht zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të qershorit janë një test për demokracinë shqiptare”, - është shprehur zëdhënësja, Kristina Nagy, në konferencën e përditshme për shtyp të Komisionit Evropian. Sipas Komisionit, prezantimi i aplikimit është një hap i rëndësishëm, por ky hap vijohet nga vendimi i Këshillit të Ministrave për t’i dhënë mandatin Komisionit Evropian që të japë një opinion lidhur me meritën e aplikimit.

Por presidenca çeke në parim nuk mund të ndalojë një vend kandidat potencial për të bërë aplikimin, aq më tepër që çekët e kanë radhitur integrimin e vendeve të Ballkanit si një prioritet të tyrin. Siç e ka sqaruar gazeta “Lajm”, fakti që çekët i hapën dritën jeshile Malit të Zi për aplikimin, i hap rrugën automatikisht aplikimit të Shqipërisë, për të cilin nuk ka arsye në këtë stad të refuzohet:

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë shqiptare, por ende nuk kemi marrë konfirmimin zyrtar nga Shqipëria që aplikimi do të prezantohet në 28 prill. Dimë që kryeministri Berisha do të vijë më takim me presidencën çeke në këtë ditë, por ende jo se aplikimi do të dorëzohet në këtë ditë. I takon qeverisë shqiptare që ta përcaktojë”, - është shprehur për “Lajm” zëdhënësja e Ministrisë se Jashtme çeke, Zuzana Opletalová. Lidhur me faktin se, nëse aplikimi para zgjedhjeve përbën problem, Opletalová ka thënë: “Po pse duhet të përbëjë problem fakti që një vend kandidat potencial si Shqipëria po bën aplikimin? Është një vendim politik. Pavarësisht nga ajo që ne i kemi këshilluar Shqipërisë të shfrytëzojë si moment për aplikimin, autoritetet shqiptare e dinë vetë cili është momenti më i mirë për ta. Për ne është thjesht çështje procedurale. Këshilli duhet të gjejë konsensusin për t’i dhënë mandatin Komisionit Evropian”, - ka shtuar Zuzana Opletalová.

Në fakt, për presidencën është thjesht çështje procedurale për momentin e aplikimit. Por s'është thjesht procedurë, kur të 27 shtetet anëtare duhet të prononcohen, nëse ata janë dakord apo jo t’i japin mandatin Komisionit Evropian për të vlerësuar aplikimin. Lidhur me konsensusin që duhet të gjendet në Këshilli në këtë aspekt, kuptohet në mënyrë automatike, që diskutimi për aplikimin e Shqipërisë do të zhvillohet pas zgjedhjeve të qershorit. Nëse do të ketë problem me zgjedhjet, kjo do të ndikojë menjëherë në zvarritjen e dosjes së aplikimit të Shqipërisë.

Barra e vërtetë i takon Komisionit Evropian, pasi është ai që duhet të shprehet pas një viti të përmbushjes së pyetësorit nga autoritetet shqiptare, nëse Shqipëria i përmbush kriteret për të qenë vend kandidat apo jo. Pastaj dosja i kalon sërish Këshillit të Ministrave për t’u shprehur mbi opinionin e Komisionit Evropian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›