Reagimi i ARMO-s: Akuzat ndaj Taçit, të pabaza
Punonjësit e kompanisë ARMO, "Taçi Oil" dhe "Kuid" kanë reaguar dje ndaj vendimit të gjykatës për arrest me burg të aksionerit dhe presidentit Rezart Taçi. "Në emër të 1798 punonjësve shprehim indinjatën tonë për akuzat absurde me të cilat fatkeqësisht po përballet aksioneri dhe drejtuesi i kompanive të grupit tonë Rezart Taçi", u shpreh dje Milton Nushi, përfaqësuesi i kompanisë. Bazuar në parimin që shtypi është informues dhe jo shpifës, Nushi konfirmoi se çdo akuzë e paraqitur këto ditë dhe në të shkuarën mbi kompaninë tonë dhe Rezart Taçit, janë absolutisht të pabazuara. "Këto akuza nuk identifikohen aspak me figurën morale dhe formimin e tij si një person me integritet të lartë dhe jokonfliktual", tha përfaqësuesi i kompanive të Taçit, me "besimin se organet e drejtësisë do të marrin vendimin e duhur dhe nuk do të ndikohen nga presioni i grupeve të interesuara për të goditur dhe dëmtuar biznesin dhe mbijetesën e familjeve tona".