Tatimet, masa penalizuese dhe gjoba dhjetëfish për kontributet
11/01/2010 Parashikohet pesëfishimi i gjobave për bizneset që nuk kanë vendosur kasat
Administrata Tatimore do të pesëfishojë vlerën e gjobave për subjektet tregtare që nuk kanë vendosur apo që nuk përdorin kasat fiskale. Propozimet ku parashikohet shumëfishimi i shumës së gjobave për bizneset pritet të kalojë shumë shpejt në seancë plenare. Sipas ligjit aktual, nëse një biznes nuk e ka vendosur kasën fiskale, ai gjobitet nga 20 mijë deri në 100 mijë lekë. Ndërsa, me ndryshimet e propozuara nga qeveria për gjobat, ato janë përshkallëzuar duke parashikuar edhe mbyllje të aktivitetit. Arsyeja e ndryshimit të ligjit lidhet me faktin se për detyrime të papaguara në afat, që i përkasin shumave deri në 200 mijë lekë ndaj tatimpaguesve rezulton një penalitet i barabartë, në masën 10 mijë lekë. Ky qëndrim prek një numër të madh tatimpaguesit, kryesisht biznesin e vogël. Nëse konstatohet se subjekti nuk ka vendosur pajisjen fiskale si fillim ai gjobitet me 100 mijë lekë dhe i jepet një afat 10 ditor për vendosjen e saj, nëse përsëri brenda këtij afati ai nuk e ka vendosur ende, biznesi rigjobitet, por kësaj radhe me 500 mijë lekë por duke i dhënë edhe 10 ditë të tjera afat për ta vendosur. Nëse edhe pas kësaj gjobe subjekti përsëri kapet pa pajisje fiskale nga punonjësit e tatimeve, merret masa për ndërprerjen e aktivitetit për një periudhë gjashtë mujore. Kur vërehet se edhe pas kësaj periudhe biznesi nuk e ka vendosur pajisjen, tatimet mbyllin në mënyrë përfundimtare aktivitetin e tij. Por edhe nëse biznesi merr përsipër vendosjen e kasës fiskale, përsëri ndryshimet në ligj parashikojnë një serë gjobash për shkeljet që presupozohet se kryhen. Nëse biznesi nuk lëshon faturë për çdo shitje të bërë, herën e parë gjobitet me 100 mijë lekë, herën e dytë me 500 mijë lekë. Nëse përsëritet ligji parashikon ndërprerjen për gjashtë muaj të aktivitetit. Gjobat e vendosura për shkelje administrative, që lidhen me një detyrim tatimor, nuk mund të kalojnë 100 për qind të detyrimit tatimor. Kjo gjobë zbatohet edhe ne rastet kur tatimpaguesi ndryshon deklaratën fillestare.