PD: Kryesocialisti Rama presion medieve të pavarura
11/01/2010 Politika dhe media
Partia Demokratike përmes zëdhënëses së saj Erla Mëhilli vlerëson se kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama po sulmon mediet e pavarura për arsyen e thjeshtë se ato po përcjellin me realitet punën që po bëhet në zonat e përmbytura të vendit për kapërcimin e situatës. Sipas zëdhënëses së PD-së, kryesocialisti Rama u kishte deklaruar përfaqësuesve të medieve se kanë shitur lirinë. Për Mëhillin kjo deklaratë erdhi për shkak se po raportohet e vërteta mbi operacionet e ndërmarra nga qeveria në zonën e përmbytur. “Zoti Edvin, nuk ta kanë fajin gazetarët, që raportojnë të vërtetën dhe nuk shpifin trillojnë e mashtrojnë siç do ti, por faji qëndron në ligësinë e shpirtit tënd, që do të manipulojë edhe fatkeqësitë madhore natyrore”, - tha Mëhilli. Në qëndrimin e saj tejet kritik ndaj deklaratave të kryesocialistit Rama zëdhënësja demokrate tha se duhet të marrë fund presioni politik ndaj medieve. “Edvin Kristaq Rama, në një akt tërbimi të plotë ndaj efiçencës së operacionit të shpëtimit të Komitetit Ndërministror për menaxhimin e situatës së përmbytjes në rrethin e Shkodrës, nuk kurseu në sulmin e tij as edhe mediet e lira të vendit. Ai i kërcënoi ato në mënyrën më të denjë për etërit e tij biologjik e historik”, - tha zëdhënësja Mëhilli.