E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tatimorët, konfiskime dhe gjoba “dhuratë” për bizneset

25/12/2008  Kontrolle në 3 206 subjekte

Administrata tatimore ka vendosur plot 474 gjoba për bizneset që janë gjetur në shkelje gjatë dy muajve të fundit. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet strukturave të saj, Drejtorisë së Investigimit Tatimor, Sektorit të Zbatimit (Task-Forcë) kontrollet janë bërë në subjekte me aktivitet të ndryshëm. Qëllimi i punës së tatimorëve ka qenë ulja e evazionit fiskal, regjistrimi i subjekteve të paregjistruara që ushtrojnë aktivitet dhe nuk paguajnë detyrimet tatimore, verifikimin e deklarimit të punonjësve në skemën e pagesës së sigurimeve shoqërore, si dhe evidentimi i punonjësve të padeklaruar. “Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar kontrolle në 3 206 subjekte në disa rrethe të vendit si Tiranë, Durrës, Elbasan, Kavajë, Shkodër, Lezhë. Gjatë këtyre kontrolleve janë vendosur gjithsej 474 gjoba me vlerë 13 690 000 lekë si dhe janë konfiskuar mallra në 63 raste”, theksuan burimet zyrtare të DPT-së. Po kështu, janë evidentuar 129 raste të subjekteve të paregjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit që janë penalizuar në bazë të Legjislacionit në fuqi me vlerë totale prej 3 225 000 lekë. “Drejtoria e përgjithshme e Tatimeve i rikujton të gjithë tatimpaguesve, detyrimin ligjor të pajisjes së mallit në lëvizje me faturë tatimore shoqërimi ose shitjeje, të cilat mund t’i tërheqin pranë drejtorive rajonale tatimore. Në rast të kundërt subjektet do të përballen me penalitetet sipas legjislacionit tatimor në fuqi”, thanë burimet. Nga kontrollet në 60 prej rasteve konfiskimi është kryer për mos pajisje të mallit në lëvizje me faturë tatimore shitjeje sipas legjislacionit tatimor në fuqi, ndërsa në 3 raste të tjera për mos pajisje të mallit të llojit “pije alkoolike” me pullë akcize të miratuar nga Ministria e Financave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›