Makinat e blera jashtë vendit, ndryshojne tarifat doganore
Ervin Koçi
Qeveria premton falje gjobash dhe kamatëvonesash në këmbim të detyrimit doganor për makinat e importuara me regjim të përkohshëm. Qëkur shqiptarët filluan të përdornin makina, përpjekja e tyre për të shmangur pagesën e detyrimeve doganore ka qenë mbinjerëzore. Sot, të gjithë në Shqipëri njohin kuptimin e fjalëve “dokumente varreze”, “makinë e futur me targa të huaja”, “makinë me shasi të ndërruar” etj. Një sasi jashtëzakonisht e madhe makinash qarkullon me dokumente të tilla dhe asnjë qytetar nuk i dorëzon targat dhe dokumentet e makinës kur kjo e fundit del përfundimisht nga qarkullimi. Kjo ka bërë që qeveria të heqë dorë nga përpjekja për të ditur se sa është numri i makinave që qarkullojnë në vend sot. Në mungesë të kësaj, qeveria vendosi t'u ofrojë shqiptarëve që kanë makina të tilla një mundësi të dytë. Një projektligj i propozuar së fundi e që është dërguar në Parlament, premton të falë “detyrimet doganore, gjoba e kamatëvonesa për makinat e importuara deri në vitin 2000”, si dhe të falë gjobat dhe kamatëvonesat, por jo detyrimet doganore për makinat e importuara pas kësaj date me kushtin që qytetarët të paguajnë detyrimet doganore deri më 31 dhjetor të këtij viti. Programi synon të falë 130 milionë euro detyrime në këmbim të 250 milionë eurove pagesë taksash.
Falja e taksave
Rreth 45 për qind e mjeteve që teorikisht qarkullojnë sot në Shqipëri nuk paguajnë taksa dhe detyrime në shtet. Për këtë arsye është vendosur që pronarëve të këtyre mjeteve, ku falen disa vite pagese taksash në këmbim të pagesës së taksave për tre vitet e fundit. Gjatë 20 viteve të fundit janë lëshuar dokumente për 350 mijë makina, por nga këto vetëm 192 mijë makina i shlyejnë detyrimet çdo vit. Në fakt, projektligji i propozuar nga qeveria është më shumë një procedurë pastrimi bilanci sesa një amnisti fiskale. Edhe në relacionin përkatës qeveria pranon se detyrimet e pashlyera për makinat është e pamundur që të mblidhen.
Mjetet e reja
Për të regjistruar një makinë të re tashmë nuk do të duhet më vërtetimi i zhdoganimit. Për të lehtësuar barrierat e biznesit, qeveria ka zëvendësuar vërtetimin e zhdoganimit me një urdhër çlirimi, i cili merret nëpërmjet printimit elektronik nga sistemi në pikat doganore.
Urdhri i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave ka nisur të zbatohet për të gjithë qytetarët që regjistrojnë një makinë për herë të parë. Sipas ekspertëve të këtij sektori, kjo masë do të ketë një efekt pozitiv për sa i përket tregtisë së makina në Shqipëri.
Dokumentet
Kjo masë është marrë në kuadër të shtrirjes së gjerë të informatizimit të sistemit doganor dhe kontrollit të deklaratave doganore të të gjitha mjeteve që regjistrohen për herë të parë në Shqipëri. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor nuk e kërkon më këtë vërtetim, dokument i cili lëshohej deri tani nga doganat në përfundim të procedurave doganore. Aktualisht ata që duan të regjistrojnë një automjet u duhet të kenë aktin e përfitimit të pronësisë, formalitetet doganore, certifikatën e përputhjes ose dokumentin e çregjistrimit të shtetit nga vjen mjeti, certifikatën e pronësisë, lejen provizore të qarkullimit dhe dokumentin e vendbanimit.
Targat
Drejtoria e përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor prodhon vetë targat dhe pajis mjetin me targa, pasi ka përfunduar regjistrimi i mjetit për herë të parë, apo kur ndryshon vendbanimi i pronarit të mjetit. Gjithashtu nëse ju ka humbur apo ju është dëmtuar targa kjo drejtori e ka për detyrë që të pajisë qytetarin me targa të tjera pasi të jetë bërë kërkesa përkatëse në këtë drejtori. Afati i kryerjes së këtij shërbimi bëhet brenda ditës.
Procedurat për të ndryshuar pronësinë e automjetit brenda një vendbanimi
Ekspertët e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor sqarojnë se kur automjeti kalon te personi i ri me vendbanim në të njëjtin rreth me pronarin e mëparshëm kërkohen pesë dokumente. Ato janë: 1)certifikata e pronësisë, 2)leja e qarkullimit, 3)kontrata e shitblerjes, 4)certifikata e lindjes me fotografi, 5)vërtetimi i vendbanimit.
Procedurat kryhen brenda ditës dhe për këtë shërbim dhe tarifa e shërbimit për lejen e qarkullimit është 600 lekë. Ndërkaq, kësaj tarife i shtohet edhe vlera 2 për qind e kalimit të pronësisë. Në rastin kur automjeti kalon nga një prefekturë në një tjetër, kërkohen po ato dokumente që janë përshkruar edhe më sipër. Por ndryshimi është se qytetari duhet të paraqitet vetë së bashku me makinën e tij, për të dorëzuar dokumentet. Madje kërkohet edhe leja provizore e qarkullimit provizor dhe fleta e çregjistrimit të makinës. Në këtë rast afati i kryerjes së shërbimit është brenda ditës dhe tarifa e shërbimit është vetëm 600 lekë. Qeveria, vetëm një muaj më parë, mori vendimin për faljen e detyrimeve të prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor të mjeteve dhe të taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve për disa kategori makinash. Kështu, taksapaguesve të mjeteve rrugore, debitorë ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, për taksën vjetore të qarkullimit rrugor të mjeteve dhe debitorë ndaj njësive të qeverisjes vendore, për taksën e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, u falen detyrimet e prapambetura me kusht që pronarët e mjeteve, që nuk janë në qarkullim, të kenë kryer, brenda datës 31 dhjetor veprimet përkatëse të çregjistrimit. Nga ana tjetër, sipas vendimit, pronarët e mjeteve që janë në qarkullim duhet të kenë kryer brenda datës 31 dhjetor 2008 veprimet për të paguar detyrimet për vitet 2006, 2007 e 2008. Këtyre personave do t’u falen kamatëvonesat nëse paguajnë detyrimin në principal.
Regjistrimi i mjeteve dhe pajisja e tyre me targa
I. Për të regjistruar një mjet kërkohet:
1. Akti i përfitimit të pronësisë
2. Formalitetet doganore
3. Certifikatë e përputhjes ose dokument i çregjistrimit të shtetit nga vjen mjeti
4. Certifikatë e pronësisë
5. Leje e qarkullimit provizor
6. Dokument i vendbanimit
II. Për të bërë ndryshimin e pronësisë së mjetit kërkohet:
1. Akti i ndryshimit të pronësisë
2. Leje e qarkullimit
3. Leje e vendbanimit të ri
4. Certifikatë e pronësisë
5. Dokument identifikimi
III. DPSHTRR-ja prodhon vetë targat dhe pajis mjetin me targa:
1. Kur bëhet regjistrimi i mjetit për herë të parë
2. Kur ndryshon vendbanimi i pronarit të mjetit
3. Kur humbet targa
4. Kur dëmtohet targa
Mjetet që futen për herë të parë në Shqipëri
Dokumentet që kërkohen:
1. Dokument hyrje (kufitare)
2. Dokumenti i fitimit të pronësisë me një nga format e mëposhtme:
a. Kontratë e fitimit të pronësisë.
b. Akti i trashëgimisë për fitimin e pronësisë.
c. Tipi me anë të cilit është fituar pronësia
3. Dokumenti i origjinës së mjetit i lëshuar nga prodhuesi ose agjencia e shitjes e ngarkuar prej tij (origjinale).
4. Dokumenti i zhdoganimit të lëshuar nga autoriteti shqiptar që nënkupton:
a. Deklaratë Doganore D.A.V. (Origjinal).
b. Urdhër Çlirimi (origjinal)
II. Dokumentimi i nevojshëm për të regjistruar mjete të reja të blera në vend:
1. Dokumenti sipas pikës I/2
2. Dokumenti i origjinës së mjetit lëshuar nga prodhuesi ose agjencia e shitjes e ngarkuar prej tij.
3. Dokumentet e zhdoganimit sipas pikës I/4 të këtij neni
III. Dokumentacioni i nevojshëm për regjistrimin e mjetit të përdorur blerë jashtë shtetit
1. Dokumenti i hyrjes kufitare
2. Dokumenti i origjinës së mjetit i lëshuar nga prodhuesi ose agjencia e shitjes e ngarkuar prej tij, ose dokumenti prejardhjes i shoqëruar me treguesin teknik të mjetit në origjinal.
3. Dokumenti i fitimit pronësisë sipas I/2
4. Dokumenti i zhdoganimit sipas pikës I/4 të nenit 1.
IV. Dokumentacioni i nevojshëm për regjistrimin e mjetit të përdorur të blerë në vend:
1. Dokumenti i fitimit pronësisë sipas pikës ½ të këtij neni
2. Dokumenti i origjinës së mjetit sipas pikës III/2
3. Dokumenti i zhdoganimit të mjetit sipas pikës I/4
Ndryshimet e pronësisë kur automjeti kalon te personi i ri me vendbanim në të njëjtin rreth. Kërkohen këto dokumente:
1. Certifikatë e pronësisë.
2. Leje qarkullimi.
3. Kontrata e shitblerjes.
4. Certifikatë lindje me fotografi.
5. Vërtetim i vendbanimit
9 Shtator 2008