Taulant Balla shpallet “doktor i shkencave” për shpifje
Gjykata e Tiranës dënoi me 5 milionë lekë të vjetra gjobë deputetin e PS-së
Taulant Balla pas çdo dëftesë për shpifje të dhënë nga Gjykata e Tiranës mori dje nga ky institucion diplomën e doktoraturës për spekulim kundrejt të tretëve. Taulant Balla dje u dënua me 5 milionë lekë të vjetra gjobë për shpifje, pasi vajza e kryeministrit në detyrë, Sali Berisha e akuzoi në Gjykatë deputetin e PS për dëm moral. Vendimi u mor mesditën e djeshme nga Gjykata e Tiranës, ndërkohë që pak ditë më parë po kjo gjykatë dënoi me 1 milion lekë gjobë deputetin socialist Taulant Balla, të cilin e detyroi që shumën në fjalë t’ia dëmshpërblejë Jamarbër Malltezit, dhëndrit të kryeministrit në largim Sali Berisha. Më parë deputeti Taulant Balla është dënuar për shpifje kundrejt ministrit Genc Pollo. Balla gjatë një seancës në Kuvendin e Shqipërisë në tetor të vitit 2011 e akuzoi ministrin Pollo për korrupsion dhe abuzim me tenderat. Gjykata e Tiranës ka dënuar deputetin socialist me 30.000 lekë gjobë. Balla do të paguajë edhe shpenzimet e 17 seancave gjyqësore të zhvilluara gjithsej. Gjykata e Tiranës, me gjyqtar Bledar Abdullain mori vendim dje, për pranimin e padisë të ministrit për Inovacionin dhe TIK, Genc Pollo, kundrejt deputetit të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Po ashtu Balla është dënuar për shpifje kundrejt zv/drejtorit të Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, i cili akuzonte deputetin socialist, për shpifje dhe cenim të imazhit. Sidoqoftë duket ashiqare se formula çdo shpifës do jetë anëtar kryesie i PS si dhe do ketë në ngarkim funksione të rëndësishme në parti, duket se po funksionon. Patentën e shpifësit e ka marrë edhe Taulant Balla, bashkë me një gjobë prej 7 milionë lekësh, për shpifje. Në proces gjykimi për akuza, shpifje dhe përbaltje ndaj deputetëve të mazhorancës janë dhe deputetët Erjon Braçe, Eltar Deda dhe Vasilika Hysi. Po ashtu janë gjobitur nga Gjykata e Tiranës për shpifje dhe dëmtim imazhi edhe Artan Gaçi, Ermonela Felaj, Eduard Shalësi dhe Sajmir Tahiri.
...