E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tavo: Fshatrat minoritare po vuajnë për ujin e pijshëm

GJIROKASTER - Deputeti socialist minoritar Vangjel Tavo është rreshtuar në krah të komunitetit të zonës së Dropullit të Poshtëm për kërkesat ,që ka kjo popullatë për furnizimin me ujë të pijshëm. 

Në një konferencë për shtyp, deputeti i Gjirokastrës ka bërë fajtor për situatën e krijuar pushtetin lokal që kontrollohet nga PBDNJ dhe instancat shtetërore të varura nga qeveria Berisha. Tavo ka denoncuar situatën e krijuar në disa fshatra të Komunës së Dropullit të Poshtëm, ku mungesa e ujit të pijshëm ka krijuar probleme të theksuara sociale dhe vështirësi jetese në popullatën e zonës. "Kjo gjendje është prezente në 7 fshatra të kësaj komune nga Dhuvjani e deri në Grapsh, të cilat furnizohen nga burimi i Vrizit në Nepravishtë". Duke denoncuar mungesën e menaxhimit nga pushteti lokal dhe pasivitetin sipas tij tmerrues të përfaqësuesve të qeverisë Berisha në Gjirokastër, të prefektit Ksera dhe gjithë institucioneve që kanë lidhje direkte me problemin, Tavo tha se nëse këto instanca nuk do të reagojnë në kohë, atëherë populli do të marrë vetë situatën nën kontroll. Apeli i bërë nga popullata e kësaj zone tek deputeti Tavo në mungesë të ujit të pijshëm ka lidhje me shfrytëzimin e burimit të Vrizit në fshatin Nepravishtë, ku furnizohet e gjithë pjesa perëndimore e luginës së Drinos, nga ana e kompanisë "Glina". Kjo e fundit ka dalë fituese në procesin gjyqësor të para dy viteve kundrejt banorëve të Nepravishtës, të cilët nuk lejonin shfrytëzimin e këtij uji për efekte komerciale. Sipas Tavos, reagimi vjen fill pas daljes në treg të ujit të ri, të ambalazhuar, nga burimi i Vrizit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›