Pranga "policit", mashtronte për nxjerrje vizash amerikane
Një mashtrues që hiqej si oficer i Interpolit ka përfunduar në prangat e policisë, pasi është zbuluar nga një denoncim, ku kishte mashtruar dy persona se do t‘u nxirrte viza për në Amerikë. Marsel Dhroso ishte pajisur me dokument policie dhe shpeshherë hiqej si një i tillë, duke iu shmangur problemeve që kishte me policinë. Sipas të dhënave policore, kapja e tij u bë e mundur nga antikrimi ekonomik, të cilët kishin nisur hetimin për këtë person prej pak javësh. Burimet policore shpjeguan se gjatë orëve të vona të mbrëmshme, specialistët e seksionit Kundër Krimit Ekonomik Financiar kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit Marsel Arben Dhroso, 22 vjeç, lindur dhe banues në Pogradec. Arrestimi i tij u bë se është kapur në afërsi të kryqëzimit të "21 Dhjetorit", me disa dokumente të llojeve të ndryshme si pasaporta për jashtë shtetit, fletë të printuara nga faqja e Interpolit, vërtetime Gjykate dhe Prokurorie, fotokopje pasaportash dhe dëshmie për drejtim automjeti. Në momentin e kapjes, personi i është prezantuar shërbimeve të policisë si punonjës i Interpolit, duke paraqitur edhe një dokument, për të cilin po kryhen verifikimet përkatëse. U kryen veprimet procedurale dhe pas verifikimeve të bëra, rezulton se personi i mësipërm ka mashtruar edhe një shtetas, duke i vjedhur me anë të mashtrimit një shumë parash prej 35 mijë lekësh, si dhe dy pasaporta, me pretendimin për t‘i nxjerrë viza për në SHBA. Materialet e përpiluara në ngarkim të tij, do t‘i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të "Mashtrimit", dhe të "Përvetësim i titullit apo detyrës shtetërore".