PS: Durrës-Kukës, qeveria fshehu shembjen e tunelit
“Rruga e kombit është shembur po aq herë sa është inauguruar nga Berisha”. Reagimi i zëdhënëses së Partisë Socialiste vjen pas shembjes së një gjatësie prej 80 metrash në tunelin e Thirrës në rrugën Durrës-Kukës. Në një prononcim për mediat, Armela Imeraj tha se qeveria është përpjekur të fshehë të vërtetën. “Partia Socialiste denoncon faktin që ministri Olldashi dhe kompania që po kryen punimet jo vetëm që nuk kanë marrë mundimin të informojnë publikun për atë që ka ndodhur, por janë përpjekur me të gjitha mënyrat ta fshehin këtë ngjarje të rëndë”, theksoi zëdhënësja Armela Imeraj. Partia Socialiste i ka kërkuar qeverisë t’i kthejë përgjigje pyetjeve të qytetarëve për ecurinë e një vepre të paguar nga taksat e tyre. “Në një vend demokratik informimi i qytetarëve mbi ecurinë e një vepre të paguar me paratë e taksave të tyre është një detyrim ligjor, prandaj ne sot, në emër të qytetarëve shqiptarë, kërkojmë përgjigje. Çfarë po ndodh me tunelin e Kalimashit, si e shpjegon ministria dhe kompania ndërtuese faktin që një tunel, i cili ka kushtuar qindra miliona euro shembet papritur 4 muaj pas inaugurimit nga Kryeministri. Sa do t’u kushtojë shembja e fundit qytetarëve shqiptarë, të cilët janë sot më të varfër se kurrë. Çfarë po ndodh sot me tunelin e Kalimashit? Si e shpjegon ministria dhe kompania ndërtuese faktin që një tunel që ka kushtuar me qindra miliona euro shembet papritur katër muaj pas inaugurimit të radhës së kryeministrit?”, deklaroi zëdhënësja e Partisë Socialiste.